Ndërlidhjet

Deputetëve u kërkohet të mos udhëtojnë këto ditë jashtë Kosovës


Kuvendi i Kosovës, 24 gusht 2017
Kuvendi i Kosovës, 24 gusht 2017

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sipas një vendimi të Kryesisë së këtij institucioni, nuk mund të lëshojnë vendin për udhëtime zyrtare, para datës 20 shkurt.

Në anën tjetër, një zyrtar nga Kryesia e Kuvendit tha se vendimi i iniciuar nga kryetari Kadri Veseli dhe i miratuar nga Kryesia për moslejimin e udhëtimeve të deputetëve deri më 20 shkurt, lidhet me nevojën e qëndrimit të deputetëve në punën e Kuvendit. Kjo kërkesë, sipas tij, ndërlidhet me faktin se ka seanca ku duhet të miratohen projektligje dhe vendime të cilat kërkojnë numrin e deputetëve për kuorum.

Ndërkaq, të gjithë deputetët që kanë marrë leje nga Kryesia para javës së kaluar për udhëtime jashtë vendit, mund të udhëtojnë, tha ky zyrtar.

Kjo kërkesë e Kryesisë, po vlerësohet nga deputetët në mënyra të ndryshme.

Deputeti, Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka kuptuar kërkesën e Kryesisë dhe se askush, sipas tij, nuk mund të detyrojë deputetët që të rrinë ose jo në një seancë plenare.

Ai thekson se një vendimi i tillë ka kuptim vetëm nëse është bërë për të kursyer buxhetin e Kuvendit.

"Deputetin nuk mund ta detyrojë asgjë që të marr pjesë në seancë. Mund të jetë në Kosovë dhe të mos marrë pjesë në seancë. Po ashtu, mund të mos ketë kuorum nëse ka ndonjë qëndrim të grupit parlamentar, që të mos merret pjesë në seancë, pavarësisht a është deputeti në Kosovë apo jashtë. Kështu që, nuk ka rezon një vendim i tillë për këtë çështje", tha Osmani.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, aktualisht ndodhen para dy çështjeve të rëndësishme, të cilat duhet të kalojnë ose jo me votat e tyre.

Çështje e parë është Marrëveshja për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, kurse e dyta shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatën Speciale.

Deputeti Osmani thotë se nëse vendimi i Kryesisë së Kuvendit është bërë për të krijuar kuorumin në Kuvend për çështje të caktuara, është i pakuptimtë.

"Ai vendim për mua është i pakuptimtë, nëse është bërë për atë qëllim”, thekson Osmani.

Kurse, deputeti Ali Lajçi nga Lëvizja Vetëvendosje, këtë vendim të Kryesisë së Kuvendit e ka kuptuar si kërkesë që deputetët të mos mungojnë në seanca, si dhe që të bëhet kuorumi për miratimin e ligjeve.

"Kjo është ndoshta për të krijuar kuorumin në Kuvend, sepse shpesh edhe deputetët mungojnë. Në këtë aspekt unë e kam kuptuar. Ne duhet të jemi të rregullt dhe duhet secili të jetë i rregullt pavarësisht për çka është fjala. Ne duhet të jemi të rregullt në Kuvend, për të gjitha çështjet", tha Lajçi.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, tha për Radion Evropa e Lirë, se ky vendimi ri i Kuvendit, mund të ndërlidhet edhe me dy vendime të rëndësishëm që duhet t'i marrë ky institucion, përkatësisht me Demarkacionin dhe shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

"Vendimin e Kuvendit të Kosovës që për 30 ditët e ardhshme, deri me 20 shkurt, të ndalen të gjitha udhëtimet e deputetëve, mund ta ndërlidhim me këto dy çështje [Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale] dhe me nevojën që kanë për t'i pasur të gjithë deputetët për ta siguruar kuorumin dhe për t'i pasur votat e nevojshme", tha Krasniqi. Çështja e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, janë dy temat që po e mbizotërojnë skenën politike në Kosovës.

Albert Krasniqi thotë se ligjet dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme janë lënë anash, dhe siç thotë ai, Kuvendi i Kosovë, nuk do të mund ta zë hapin në miratimin e shumë ligjeve, të cilat i ka në agjendë.

Aktualisht në procedurë për miratim janë 5 ligje, kurse në pritje edhe 75 të tjerë.

XS
SM
MD
LG