Ndërlidhjet

Kosova dhe Serbia, të “shtrënguara” të arrijnë marrëveshje 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe shefja e BE-së, Federica Mogherini, pas takimit të 3 qershorit në Bruksel.

Faza e re e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, supozohet se do të përmbyllet me marrëveshje të reja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, si kusht i pashmangshëm për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Marrë parasysh dimensionin e ri politik që po merr dialogu i Brukselit, Kosova dhe Serbia po instalojnë një formë të re të negociatave në nivel të presidentëve.

Në këtë kuadër, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar të hënën një takim të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas të cilit u kumtua se të dy burrështetasit ishin pajtuar që të hapet një fazë e re e negociatave që çon drejt normalizimit dhe pajtimit.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se takimi në nivel presidentësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tregon përkushtimin e të dy vendeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Ishte një takim joformal i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, por që ka për qëllim që të tregojë përkushtimin edhe të Kosovës edhe të Serbisë për vazhdimin e dialogut deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve”.

Ngritja në nivel presidentësh do të thotë edhe afirmim i pozitave të reja ose i figurave të vjetra në pozita të reja të dy personaliteteve që konsiderohen kyçe në të dy palët, pra Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq dhe supozohet se do të konkretizohet dialogu dhe do të arrihen marrëveshjet që mund t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të kapërcejnë çështjet që ishin në shqyrtim”, thotë Tahiri.

Tahiri konsideron se dialogu ndërmjet presidentëve mund të ndërtojë platformën dhe parimet e dialogut, por që dialogu i vërtet rregullohet vetëm ndërmjet ministrive konkrete dhe qeverive të dy shteteve.

Marrëdhëniet e vërteta dhe të qëndrueshme, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjin, bëhen vetëm ndërmjet ministrive dhe marrëveshjeve dypalëshe shtetërore”, thekson Tahiri.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dy shtetet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.

Analistët politikë presin që në javët dhe muajt në vijim, agjenda e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë shumë më intensive.

Avni Mazreku, njohës i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në mënyrë që çështjet e hapura dhe të pambyllura të këtyre dy shteteve të shkojnë drejt normalizimit të raporteve, të inkurajuar nga ana e BE-së, agjenda e dialogut do të jetë shumë më intensive.

Duke e ditur që aktualisht politika e zgjerimit e Bashkimit Evropian konsiston vetëm në kontekst të zgjerimit të BE-së në zonën e Ballkanit Perëndimor, atëherë do ta kemi një agjendë më intensive të BE-së në raport me këtë politikë”.

Ideja qendrore e krejt këtij dialogu është normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe normalizimi i raporteve të këtyre dy vendeve nënkupton mbylljen e çështjeve të hapura të këtyre dy vendeve. Këto dy vende kanë ende çështje të hapura dhe të pambyllura dhe shumë problematike, por që këto çështje duhet të shihen si çështje që do të gjejnë zgjidhje, në kuadër të ecjes së këtyre dy vendeve drejt anëtarësimit në BE”, thekson Mazreku.

Mazreku shton se ka pasur margjinalizim të kësaj temë si rezultat i shumë çështjeve që kanë ndodhur në lidhje me BE-në dhe rreth saj, por sipas tij, pavarësisht këtyre uljeve dhe ngritjeve, politika e zgjerimit të BE-së mbetet njëra nga prioritet kryesore të këtij unioni.

Ndërkohë, faktin që Vuçiq dhe Thaçi, pas takimit në Bruksel, kanë folur për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë, Dushan Janjiq, nga Forumi për marrëdhënie etnike, nuk e sheh si shumë të rëndësishme.

Siç thotë ai, në një botë ku sundojnë konfliktet, pajtim nuk merret seriozisht.

Pajtimi nuk është temë. Temë është normalizimi i zgjidhjeve të problemeve jetësore të qytetarëve, ndërkohë që një prej këtyre probleme jetësore është zgjidhja e çështjes së viktimave të zhdukura. Por, paralelisht me dialogun në Bruksel. Pajtimi është këtu vetëm për komplikim, pajtimi është këtu vetëm për mistifikim”.

Ka diçka tjetër, për të cilën ndoshta kanë menduar, e kjo është që normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës, duhet të shikohet në një kontekst të gjerë të forcimit të bashkëpunimit të shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, thekson Janjiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.

Kosova dhe Serbia ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG