Ndërlidhjet

Diskursi shovinist, në mbështetje të ideve politike të Serbisë


Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin (djathtas) dhe presidenti Aleksandar Vuciq
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin (djathtas) dhe presidenti Aleksandar Vuciq

Diskursi publik me shprehje ofenduese dhe pezhorative, të cilin autoritetet e Serbisë po e përdorin muajt e fundit ndaj liderëve institucionalë dhe shqiptarëve të Kosovës, nuk është i ri, por ky diskurs tashmë ka marrë formë fushate dhe nuk është i rastësishëm, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Ata thonë se në mjaft raste opinioni tashmë i ka dëgjuar zyrtarët e lartë të Beogradit, sikurse presidentin Aleksandar Vuçiq, ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe ministrin e Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, të përdorin terma ofendues për liderët politikë të Kosovës si “kriminelë”, “terroristë”, “mjeranë”, “fundërrina” e të tjera.​

#Hashtag: Fushata e Serbisë me bankënota

Fushata e Serbisë me bankënota
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

​Ministri Vulin për shqiptarët përdor termin pezhorativ “shiptari”, ndërkaq kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, së fundmi, ka thënë se disa zyrtarë të Kosovës ‘kanë dalë nga mali’. Deklarata e kësaj të fundit ka nxitur reagimin edhe të Bashkimit Evropian.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, diskursi aktual i zyrtarëve të lartë të Beogradit, ndërlidhet me zhvillimet politike, të cilat kanë të bëjnë me raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që ky diskurs kryesisht përdoret nga politikanë serbë që i kanë takuar kohës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq.

“Ky përdorim i këtij diskursi, nuk është i rastësishëm tash. Të mos harrojmë se presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq e ka pasur një ide dhe qëllim që të zgjidhë çështjen e Kosovës në raport me Serbinë, sipas disa pretendimeve të tij. Duket se kjo ka dështuar dhe si rezultat i kësaj, tash ai (Vuçiq) dhe kryeministrja e Serbisë (Ana Bërnabiq), por edhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë, nuk po hezitojnë që të përdorin këtë diskurs kundër shqiptarëve të Kosovës”, thekson Mushkolaj.

Mendim të përafërt ka edhe Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se diskursi i politikanëve serbë me shprehje ofenduese dhe pezhorative ndaj shqiptarëve, daton që moti.

Sipas tij, këtë diskurs e kanë përdorur më shumë politikanët serbë që i takojnë së njëjtës epokë, asaj të nacionalizmit dhe shovinizmit serb, në të cilën ata e kanë parë botën, siç thotë ai,vetëm “bardh dhe zi” dhe ku gjuha e ndarjes është krejtësisht normale.

Por, sipas tij, diskursi i tanishëm i zyrtarëve të Beogradit është më tepër se kaq dhe vendimi për sforcim të kësaj retorike është marrë në fund të vitit të kaluar.

“Pra, bëhet fjalë për një vlerësim politik. Bëhet fjalë, sipas meje, për një lloj helmimi dhe ngurtësimi të opinionit. Ky më nuk është fjalor as për mobilizim. Kështu që, unë mendoj që e gjithë kjo është në funksion të mos heqjes dorë nga ideja e caktimit të kufirit dhe të tregohet se si me ata të tjerët, me ata ‘njerëzit e malit’, nuk mund të jetohet, sepse ata nuk e meritojnë atë jetë. Pra, në mënyrë, në fakt të krijohet situata për caktimin e kufijve dhe më pas t’i detyrojnë edhe të tjerët që ta pranojnë këtë”, shprehet Janjiq.

Ai shton se ky është përshkallëzimi më i ri i fjalorit shovinist dhe racist, si dhe është në funksion të politikës për caktimin e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, por që për një diskurs të tillë, politikanët serbë marrin nxitje edhe nga mjaft veprime të autoriteteve të Kosovës, ndonëse, sipas tij, këta të fundit nuk kanë retorikë të njëjtë, sepse kanë narracion tjetër.

#Hashtag

"Të dalët nga mali"
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Por, a mund t’i dëmtojë kjo situatë vetë zyrtarët e Beogradit në raport me opinionin në Serbi, marrë parasysh që ata kanë qenë në bisedime dhe pritet që sërish të bisedojnë me liderët institucionalë të Kosovës, ndaj të cilëve përdorin diskurs ofendues?

Analisti Mushkolaj shpreh mendimin se përkundrazi, autoritetet e Beogradit e përdorin këtë diskurs për të përfituar edhe në planin e brendshëm.

“Vuçiq, Daçiq, Bërnabiq, Vulin dhe të tjerë, i quajnë me terma të tillë si: ‘mjeran’, ‘kriminel’, ‘njerëz të malit’ e të tjerë, për shkak se edhe votuesit e këtyre njerëzve mendojnë me të njëjtën logjikë. Këta nuk po shpikin asgjë të re, por vetëm po e ushqejnë elektoratin e vet me disa shprehje, të cilat i përdorin ose të cilat janë në fjalor edhe të elektoratit. Për këtë shkak, nuk shoh se mund të ketë ndikim në elektorat ose në përgjithësi te mbështetësit që regjimi aktual autoritativ në Beograd i ka”, vlerëson Mushkolaj.

Ndërkaq, Janjiq e krahason këtë situatë me atë të kohës së presidentit serb Milosheviq. Sipas tij, pushteti në Beograd po e luan lojën e rrezikshme, që qytetarët e Serbisë të ngurtësohen dhe t’u bëhet e neveritshme dhe e papranueshme cilado qasje politike, në mënyrë që më pas politikanët në pushtet t’i kenë duart e lira për zgjidhjet që mund t’i synojnë, por të cilat, siç thotë ai, janë larg nga realiteti.

“Kjo është njëjtë siç ka bërë Milosheviqi. Ai i quante ‘balie’ (boshnjakët), ndërkaq bisedonte me Alinë( Izetbegoviq, ish-presidentin e parë të Bosnjë e Hercegovinës), i quante ustash (kroatet), ndërkaq bisedonte me Franjon (Tugjman, ish-presidenti i parë i Kroacisë). Kjo, nëse asgjë tjetër, është mbetje e shovinizmit".

"Kjo, është siç ka thënë Dante Aligeri, ideologji e atij që vjedh nga hajni dhe të cilët janë njerëz që do ta shisnin edhe nënën e tyre dhe jo vetëm kombin. Pra, kjo për të cilën ata flasin, nuk ka të bëjë me ta, por flasin për masat. Ata do të ulen me Hashim Thaçin (presidentin Kosovës) dhe do të bisedojnë prej fshatit në fshat ose me Ramush Haradinajn (kryeministër i Kosovës), nëse duhet edhe për koalicione”, thotë ai.

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike, e cilësuan si simptomatik reagimin e Brukselit, të cilin e vlerësuan si të “vakët” ndaj retorikës së zyrtarëve të lartë të Serbisë.

XS
SM
MD
LG