SHBA-ja u bën thirrje qytetarëve të largohen nga Lindja e Mesme
Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme që të largohen nga rajoni me mjete komerciale, për shkak të “rreziqeve serioze të sigurisë”.
Këshilla vlen për shtetasit amerikanë në Bahrejn, Egjipt, Iran, Irak, Izrael, Bregun Perëndimor, Gazë, Jordani, Kuvajt, Liban, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “goditjet më të forta” ndaj Iranit “ende nuk kanë ndodhur”, por shtoi se nuk do të “zbulojë detajet e përpjekjeve taktike”.
Deklarata erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se mori vendimin për të nisur luftë kundër Iranit, sepse ishte “mundësia e fundit dhe më e mirë” për të ndalur regjimin iranian.
Të dashur lexues, mirëmëngjesi!
Konflikti me Iranin ka hyrë sot në ditën e katërt.
Sulmet dhe retorika sa vijnë e ashpërsohen.
Radio Evropa e Lirë do të bëjë mbulimin direkt të ngjarjeve minutë pas minute.
Me ju në orët në vazhdim do të jem unë Valona Tela.