Çmimet e gazit natyror në Evropë vazhdojnë të rriten
Çmimet e gazit natyror vazhdojnë të rriten ndjeshëm, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet.
Sipas raportimeve të publikuara sot, çmimi referencë i gazit në Evropë është rritur për 33%.
Kjo lëvizje vjen pas një rritjeje tjetër prej rreth 50% të hënën.
Po atë ditë, kompania qeveritare e Katarit, QatarEnergy - një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit në botë - ndaloi prodhimin pas “sulmeve ushtarake” ndaj objekteve të saj.
Kush mund ta udhëheqë Iranin?
Ndërsa Irani përballet me pasojat e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, që kanë vrarë disa - e ndoshta edhe dhjetëra - udhëheqës të lartë, Ali Larijani shfaqet si figurë kryesore në pushtetin e mbetur të vendit.
Politikan veteran, me një karrierë që përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike, Larijani u rikthye vitin e kaluar, pas një pushimi relativ, dhe që atëherë, ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Netanyahu: Operacioni kundër Iranit nuk do të jetë një “luftë e pafundme”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë shqetësimet në lidhje me një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme.
"Dëgjoj që njerëzit thonë se do të kemi një luftë të pafundme këtu. Nuk do të keni një luftë të pafundme", tha Netanyahu për Fox News.
"Ky do të jetë një aksion i shpejtë dhe vendimtar, dhe ne do t'i krijojmë kushtet që populli iranian të marrë kontrollin e fatit të tij, për të formuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike", shtoi ai.
Më herët, Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se kanë nisur sulme të reja në kryeqytetin iranian, Teheran, si dhe në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Tërmet në Iran
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) bëri të ditur se një tërmet me magnitudë 4.3 goditi zonën e Gerashit në jug të Iranit.
Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.
Autoritetet iraniane nuk kanë raportuar për ndonjë të lënduar apo dëme materiale.