Një port tregtar në Oman goditet me dron
Një rezervuar karburantesh në Portin e Duqmit në Oman u qëllua me dron, raporton agjencia shtetërore e lajmeve në këtë vend.
"Zjarri që rezultoi, u vu nën kontroll pa shkaktuar viktima në njerëz", citohet të ketë thënë një burim i sigurisë.
I njëjti port u qëllua me dronë edhe në fundjavë, kur, sipas raportimeve, u plagos një person.
Omani ishte një ndërmjetës kyç - për vite me radhë - në bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit.
Franca forcon mbrojtjen e Qipros pas sulmit me dron
Franca do të dislokojë sisteme kundërraketore dhe kundërdronë në Qipro, pas sulmit me dron ndaj bazës britanike RAF Akrotiri.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e informoi homologun qipriot, Nikos Christodoulides, për vendimin, i cili u konfirmua edhe nga burime qeveritare, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Lajmi vjen disa orë pasi Greqia ofroi ndihmë për Qipron, duke i dërguar katër avionë luftarakë F-16.
Sulmi i një dite më parë në bazën britanike RAF Akrotiri dyshohet se u krye me një dron iranian, Shahed, i cili u lëshua nga Hezbollahu - grup militant libanez, i lidhur me Iranin.
Sulmi shkaktoi vetëm dëme të kufizuara në pistë.
Gjysmëhëna e Kuqe: 787 njerëz të vrarë në katër ditë
Organizata iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, ka arritur në 787.
Kjo organizata, që vepron nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Republikës Islamike, tha gjithashtu se 153 qarqe në të gjithë Iranin janë prekur nga sulmet.
Gjysmëhëna e Kuqe publikoi shifrat e viktimave pa dhënë detaje ose ndonjë analizë më të detajuar.
Zyrtarët e Republikës Islamike thonë se 165 nga të vrarët, ishin nxënëse në një shkollë vajzash në Minab.
Mediat shtetërore iraniane publikuan një listë që përmban "57 emra" të të vrarëve në shkollë.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli thonë se nuk janë në dijeni të ndonjë sulmi ndaj shkollës.
Megjithatë, autoritetet iraniane ia atribuojnë incidentin të dyja vendeve dhe thonë se do ta ndjekin këtë çështje në forume ligjore ndërkombëtare.
Trump kritikon Britaninë për mospjesëmarrje në sulmet ndaj Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kritikoi Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se marrëdhënia midis dy vendeve "nuk është si më parë".
Duke komentuar vendimin e Britanisë për të mos marrë pjesë në sulmet e para izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, Trump i tha gazetës The Sun se Amerika nuk ka nevojë për Britaninë për të kryer operacione ushtarake në Lindjen e Mesme, por shtoi se kryeministri i këtij vendi, Keir Starmer, "nuk ka qenë i dobishëm".
Ai gjithashtu lavdëroi Francën dhe Gjermaninë si aleate, duke thënë se "tani kemi marrëdhënie shumë të forta me vendet e tjera në Evropë".
Starmer tha më 1 mars se do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara që t'i shfrytëzojnë bazat ushtarake britanike për sulme mbrojtëse.
Megjithatë, këto baza nuk u përdorën në sulmet fillestare ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt.
Ministri britanik për Marrëdhëniet Ndërqeveritare, Darren Jones, tha se Londra preferon të veprojë në situata të tilla vetëm kur është e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe kur ekziston një bazë e qartë ligjore për veprim.
Starmer tha më 2 mars se Trump ka kundërshtuar vendimin e Britanisë për të mos marrë pjesë në sulmet e para, por "detyra ime është të vendos se çfarë është në interesin kombëtar të Britanisë".