Ndërlidhjet

Një person qëndron në çatinë e një ndërtese duke parë një re tymi që ngrihet pas një sulmi në kryeqytetin iranian, Teheran, më 3 mars 2026.
Një person qëndron në çatinë e një ndërtese duke parë një re tymi që ngrihet pas një sulmi në kryeqytetin iranian, Teheran, më 3 mars 2026.

Krejt çfarë ndodhi në ditën e katërt të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit

  • SHBA-ja dhe Izraeli i vazhduan sulmet ndaj Iranit, ndërsa Teherani kundërgodet objektivat amerikane në rajon.
  • Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani dëshiron bisedime, por shtoi se “tani është tepër vonë për të folur”.
  • Trump theksoi gjithashtu se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.
  • Ambasada amerikane në Riad u sulmua me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht për shkak të tensioneve rajonale.
  • Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor iranian.
18:18 3.3.2026

Trump thotë se pothuajse "gjithçka është rrënuar" në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.

Ai thekson se Irani tani nuk ka më marinë, as forcë ajrore apo kapacitete për të zbuluar sulmet ajrore.

“Pothuajse gjithçka është shkatërruar,” theksoi Trump duke folur në një konferencë për media me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz.

Trumpi u pyet se cili është skenari më i keq për të cilin Shtetet e Bashkuara janë përgatitur.

Ai u përgjigj se skenari më i keq është që “ta bëjmë këtë dhe pushtetin ta marrë dikush që është po aq i keq sa personi i mëparshëm”.

Trumpi shtoi se kishin pasur në mendje disa persona që mund ta udhëhiqnin vendin, por se ata tashmë janë të vdekur.

Trumpi u pyet nëse e konsideron Reza Pahlavin, djalin e të shahut të fundit të Iranit, si një alternativë të mundshme për të udhëhequr vendin në të ardhmen.

Në përgjigje, ai tha se, megjithëse “disa njerëz e pëlqejnë atë”, sipas tij skenari më i mirë do të ishte që pushtetin ta marrë “dikush që tashmë ndodhet brenda vendit”.

Trump foli edhe për marrëdhëniet e tij me Gjermaninë, për të cilën tha se ka një “afërsi të madhe” me SHBA-në.

Ai shtoi se të dyja palët do të diskutojnë gjithashtu për marrëveshje tregtare.


18:09 3.3.2026

Ndërtesa e Asamblesë së Ekspertëve të Iranit në Qom goditet nga sulm ajror

Ndërtesa që strehon Asamblenë e Ekspertëve të Iranit, organi që do ta zgjedhë udhëheqësin e ardhshëm suprem të vendit, është dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore.

Video të verifikuara nga mediat lokale dhe dëshmitarë që publikuan pamje në internet më 3 mars tregojnë se ndërtesa në qytetin e shenjtë të Komit është pothuajse plotësisht e shkatërruar.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRIB raportoi se një zyrë e veçantë që i përket asamblesë në Teheran u godit më 2 mars. Agjencia njoftoi se në të dyja objektet kishte “evakuim paraprak” dhe se nuk pati viktima.

Axios citoi gjithashtu një zyrtar të paidentifikuar izraelit, i cili konfirmoi se Forcat Ajrore Izraelite kishin goditur ndërtesën në Kom, 150 kilometra në jug të Teheranit, “për të ndërprerë procesin e emërimit të një udhëheqësi të ri suprem”.

17:11 3.3.2026

Osmani thotë se i dënon “veprimet e regjimit” iranian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se i dënon “fuqishëm veprimet e regjimit iranian, të cilat përbëjnë një kërcënim të qartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Ajo tha se bisedoi me emirin e Katarit, sheik Tamim bin Hamad Al Thani, pas sulmeve të synuara të Iranit kundër Katarit.

“Kosova qëndron në solidaritet të palëkundur me Katarin dhe popullin e tij. Ne e mbështesim plotësisht të drejtën e Katarit për të mbrojtur sovranitetin e tij dhe riafirmojmë angazhimin tonë për stabilitet rajonal dhe paqe të qëndrueshme”, shkroi Osmani.

16:55 3.3.2026

Irani e mohon përgjegjësinë për sulmin me dronë në Oman

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit njoftoi më 3 mars se nuk ishte kryer asnjë sulm “kundër territorit dhe porteve të Omanit”.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Omanit, duke cituar burime të sigurisë, bëri të ditur se disa depozita në portin tregtar të Duqmit u shënjestruan nga disa dronë dhe se të paktën një prej tyre goditi një rezervuar karburanti.

Porti ishte shënjestruar edhe më herët nga një sulm me dronë më 1 mars.

Derisa Irani nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin e parë, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi la të kuptohej se Teherani qëndronte pas tij në komente të bëra për Al Jazeera.

“Ajo që ndodhi në Oman nuk ishte zgjedhja jonë. Ne tashmë u kemi thënë forcave tona të armatosura të jenë të kujdesshme për shënjestrat që zgjedhin”, tha Araqchi, duke shtuar se Ushtria iraniane po vepronte sipas udhëzimeve të përgjithshme.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG