Deklarata e BE-së për Iranin tregon rolin e saj të zbehur si aktore e politikës së jashtme
Njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “shqetësimin më të thellë” lidhur me sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës dhe reagimin e mëpasshëm ushtarak të Teheranit ndaj disa vendeve në rajon.
Deklarata, e publikuar më 1 mars, pasqyron ndikimin e kufizuar të BE-së në rajon dhe rolin e saj të zbehur si aktore në politikën e jashtme.
Kriza ka vënë në pah përçarjet e brendshme në BE.
Kriza, siç pritej, shkaktoi një valë takimesh në Bruksel, edhe pasi postimit fillestar të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në X, ku ajo njoftonte se do t’i mblidhte fillimisht ekspertët e sigurisë në komisionin e saj të hënën, u prit me tallje në internet, ku u tha se madje as lufta nuk i bën evropianët ta flijojnë kohën e tyre të lirë.
Më shumë rreth kësaj mund të lexoni në artikullin më poshtë:
Gjermania e qorton ambasadorin iranian
Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se e ka thirrur në një takim ambasadorin iranian në Berlin dhe u ka kërkuar zyrtarëve në Teheran t’i ndalin sulmet ndaj vendeve të rajonit.
Më 3 mars, Ministria njoftoi në një mesazh në platformën X se u ka bërë thirrje udhëheqësve iranianë t’i “ndalin menjëherë sulmet e pamatura ndaj vendeve të rajonit”.
Ministria e Jashtme gjermane deklaroi gjithashtu se dënon sulmet me raketa dhe dronë të Iranit, të cilat i cilësoi si “arbitrare dhe joproporcionale”, përfshirë edhe sulmet ndaj objektivave civile.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, e priti më 3 mars kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në takimin e tij të parë me një lider të huaj qëkurse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Takimi i planifikuar prej kohësh mes Trumpit dhe Merzit ishte parashikuar të përqendrohej në luftën në Ukrainë dhe në marrëdhëniet e tensionuara tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, por përshkallëzimi i konfliktit me Iranin raportohet se ka ndikuar në agjendën e takimit.
Merz, një kritik i vendosur i udhëheqësve të republikës islamike, ka deklaruar se Berlini e kupton “lehtësimin” e popullit iranian që “po i vjen fundi sundimit nga mullahët”.
Megjithatë, ai ka refuzuar të komentojë mbi legjitimitetin juridik të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Gjermania, Franca dhe Britania kanë njoftuar se do të marrin pjesë vetëm në veprime “mbrojtëse” përkrah aleatëve të tyre në rajonin e Gjirit.
Të burgosurit nga burgu Evin evakuohen në një vend të panjohur
Bashkëshortja e Mustafa Mohammad Hassan, një student i burgosur në burgun famëkeq Evin në Teheran, njoftoi për evakuimin e të burgosurve nga reparti 209, ku mbahen shumica e të burgosurve politikë.
“Reparti 209 i Burgut Evin është evakuuar dhe të burgosurit janë transferuar në një vend të panjohur. Të burgosur të tjerë, përfshirë të burgosur politikë dhe persona të dënuar për krime financiare, ndodhen ende në repartin 7”, shkroi ajo në platformën X më 3 mars.
Ajo raportoi gjithashtu se forcat e Njësisë Kundër Terrorizmit janë larguar nga burgu dhe janë vendosur në ndërtesat përreth.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Bashkëshortja e Hassanit ka bërë thirrje për vëmendje urgjente, duke paralajmëruar për një “katastrofë humanitare” të mundshme në lidhje me të burgosurit.
Hassan, student pasuniversitar në departamentin e Filozofisë së Shkencës në Universitetin e Teknologjisë Sharif, u paraburgos në fillim të shkurtit.
Më 1 mars, Fondacioni Narges Mohammadi, i emëruar sipas aktivistes së burgosur për të drejtat e njeriut dhe fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, shprehu edhe një herë shqetësim të thellë për situatën e rrezikshme në të cilën ndodhen të burgosurit politikë dhe protestuesit e ndaluar në burgjet iraniane, pas sulmeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Të dashur lexues, faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë.
Mbulimin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme e vazhdon kolegu Ekrem Idrizi.
Nga unë Valona Tela, mirë mbetshi!