Ndërlidhjet

Një person qëndron në çatinë e një ndërtese duke parë një re tymi që ngrihet pas një sulmi në kryeqytetin iranian, Teheran, më 3 mars 2026.
Një person qëndron në çatinë e një ndërtese duke parë një re tymi që ngrihet pas një sulmi në kryeqytetin iranian, Teheran, më 3 mars 2026.

Krejt çfarë ndodhi në ditën e katërt të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit

  • SHBA-ja dhe Izraeli i vazhduan sulmet ndaj Iranit, ndërsa Teherani kundërgodet objektivat amerikane në rajon.
  • Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Irani dëshiron bisedime, por shtoi se “tani është tepër vonë për të folur”.
  • Trump theksoi gjithashtu se pothuajse “gjithçka është rrënuar” në Iran.
  • Ambasada amerikane në Riad u sulmua me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht për shkak të tensioneve rajonale.
  • Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor iranian.
10:59 3.3.2026

Njoftim për qytetarët e Kosovës për evakuim të mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dabi njoftoi të gjithë qytetarët - vizitorë dhe rezidentë - se po koordinon me autoritetet lokale, institucionet shtetërore në Kosovë dhe Ambasadën në Riad për të siguruar një evakuim të shpejtë dhe të sigurt, në rast të bllokadës së hapësirës ajrore.

Për më shumë, lexojeni postimin e saj në Facebook.

11:14 3.3.2026

Trump kritikon Britaninë për mospjesëmarrje në sulmet ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kritikoi Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se marrëdhënia midis dy vendeve "nuk është si më parë".

Duke komentuar vendimin e Britanisë për të mos marrë pjesë në sulmet e para izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, Trump i tha gazetës The Sun se Amerika nuk ka nevojë për Britaninë për të kryer operacione ushtarake në Lindjen e Mesme, por shtoi se kryeministri i këtij vendi, Keir Starmer, "nuk ka qenë i dobishëm".

Ai gjithashtu lavdëroi Francën dhe Gjermaninë si aleate, duke thënë se "tani kemi marrëdhënie shumë të forta me vendet e tjera në Evropë".

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Starmer tha më 1 mars se do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara që t'i shfrytëzojnë bazat ushtarake britanike për sulme mbrojtëse.

Megjithatë, këto baza nuk u përdorën në sulmet fillestare ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt.

Ministri britanik për Marrëdhëniet Ndërqeveritare, Darren Jones, tha se Londra preferon të veprojë në situata të tilla vetëm kur është e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe kur ekziston një bazë e qartë ligjore për veprim.

Starmer tha më 2 mars se Trump ka kundërshtuar vendimin e Britanisë për të mos marrë pjesë në sulmet e para, por "detyra ime është të vendos se çfarë është në interesin kombëtar të Britanisë".

11:31 3.3.2026

Gjysmëhëna e Kuqe: 787 njerëz të vrarë në katër ditë

Organizata iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, ka arritur në 787.

Kjo organizata, që vepron nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Republikës Islamike, tha gjithashtu se 153 qarqe në të gjithë Iranin janë prekur nga sulmet.

Gjysmëhëna e Kuqe publikoi shifrat e viktimave pa dhënë detaje ose ndonjë analizë më të detajuar.

Teheran, 3 mars 2026.
Teheran, 3 mars 2026.

Zyrtarët e Republikës Islamike thonë se 165 nga të vrarët, ishin nxënëse në një shkollë vajzash në Minab.

Mediat shtetërore iraniane publikuan një listë që përmban "57 emra" të të vrarëve në shkollë.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli thonë se nuk janë në dijeni të ndonjë sulmi ndaj shkollës.

Megjithatë, autoritetet iraniane ia atribuojnë incidentin të dyja vendeve dhe thonë se do ta ndjekin këtë çështje në forume ligjore ndërkombëtare.

11:43 3.3.2026

Franca forcon mbrojtjen e Qipros pas sulmit me dron

Franca do të dislokojë sisteme kundërraketore dhe kundërdronë në Qipro, pas sulmit me dron ndaj bazës britanike RAF Akrotiri.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e informoi homologun qipriot, Nikos Christodoulides, për vendimin, i cili u konfirmua edhe nga burime qeveritare, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Lajmi vjen disa orë pasi Greqia ofroi ndihmë për Qipron, duke i dërguar katër avionë luftarakë F-16.

Baza Akrotiri në Qipro
Baza Akrotiri në Qipro

Sulmi i një dite më parë në bazën britanike RAF Akrotiri dyshohet se u krye me një dron iranian, Shahed, i cili u lëshua nga Hezbollahu - grup militant libanez, i lidhur me Iranin.

Sulmi shkaktoi vetëm dëme të kufizuara në pistë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG