Një port tregtar në Oman goditet me dron
Një rezervuar karburantesh në Portin e Duqmit në Oman u qëllua me dron, raporton agjencia shtetërore e lajmeve në këtë vend.
"Zjarri që rezultoi, u vu nën kontroll pa shkaktuar viktima në njerëz", citohet të ketë thënë një burim i sigurisë.
I njëjti port u qëllua me dronë edhe në fundjavë, kur, sipas raportimeve, u plagos një person.
Omani ishte një ndërmjetës kyç - për vite me radhë - në bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit.
Shqipëria paralajmëron qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përditësoi njoftimin për situatën në Lindjen e Mesme, duke theksuar se, për shkak të përshkallëzimit ushtarak në rajon, gjendja e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Autoritetet shqiptare këshillojnë shtetasit të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, qytetarët që ndodhen aktualisht atje, duhet të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
Ministria u bën thirrje qytetarëve të ndjekin vetëm burime zyrtare dhe mediatike të besueshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit të gatshme, si dhe të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rast nevoje.
Ajo paralajmëron gjithashtu se, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë mbetet mundësi reale, ndërsa fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim.
Sulme të reja amerikane dhe izraelite në Iran
Raportimet nga Irani bëjnë të ditur se avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj një sërë objektesh ushtarake dhe të sigurisë në disa qytete të vendit.
Sipas burimeve, në shënjestër kanë qenë selia e Inteligjencës së Gardës Revolucionare (IRGC) në Urmia, Gjykata Revolucionare dhe Publike në këtë qytet, baza “Unity” e IRGC-së në Paveh, si dhe i ashtuquajturi “qyteti i raketave” në Najafabad, në veri të provincës së Isfahanit.
Ndërkohë, raportohet për fluturime të vazhdueshme të avionëve luftarakë edhe mbi zona të ndryshme të Teheranit, Shirazit dhe Isfahanit.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme të reja në disa qytete të Iranit - përfshirë kryeqytetin Teheran - në ditën e katërt të Operacionit Tërbimi Epik.
- Irani u kundërpërgjigj me disa sulme kundër caqeve amerikane në rajon. Ambasada e SHBA-së në Riad konfirmoi se ishte cak i një sulmi me dronë, ndërsa ajo në Kuvajt u mbyll përkohësisht, për shkaqe sigurie.
- Gjashtë pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë që nga fillimi i luftës.
- Organizata iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit, ka arritur në 787.
- Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dabi lëshoi një njoftim për qytetarët e Kosovës për evakuim të mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë paralajmëroi qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Lindjes së Mesme.
- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi një ditë më herët sulme edhe më të ashpra kundër Iranit.