Më 17 shkurt 2008, para orës 16, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në një seancë që do të shënonte një kthesë historike. Pas viteve të luftës, administrimit ndërkombëtar dhe negociatave të gjata për statusin politik, Kosova shpalli Pavarësinë nga Serbia.
Por, ajo ditë nuk ndodhi vetëm në Kuvend.
Ajo u përjetua në kohë reale në fshatra e në qytete të Kosovës, në rajon e në diasporë.
Radio Evropa e Lirë u kërkoi lexuesve të saj historitë e tyre të shkurtra, se si e mbajnë mend ditën e shpalljes së Pavarësisë, dhe ata – nga vende, mosha e profesione të ndryshme – u përgjigjën.
Kjo është kronologjia e asaj dite, përmes rrëfimeve të përzgjedhura të njerëzve të zakonshëm, nga një mëngjes në Nju-Jork deri në një natë të ftohtë në Kaçanik.
MËNGJES – Nju-Jork, SHBA
Ndërsa Kosova po i afrohej orës 15:39, kur do të shpallej Pavarësia, Nju-Jorku sapo po zgjohej.
“U zgjuam posaçërisht për ta ndjekur drejtpërdrejt seancën e Kuvendit të Kosovës”, kujton Fadil Alloqi, atëkohë 25-vjeçar.
Me prejardhje nga një fshat i Skenderajt, Fadili kishte rreth dy vite që kishte migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo periudhë, për ne mërgimtarët, ishte e ngarkuar emocionalisht, me shumë mall, pasiguri, por edhe shpresë të madhe për të ardhmen e vendit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kur lajmi u konfirmua, gëzimi doli nga shtëpitë në rrugë, ku me makina po bëhej festë e madhe.
“E ndamë gëzimin edhe me familjarë dhe me miq, përmes telefonatave, mesazheve dhe rrjeteve sociale".
"Edhe komuniteti shqiptar në Amerikë ishte i mobilizuar, me flamuj, urime dhe emocion të madh”, kujton ai.
Për Fadilin, ajo ditë ishte “dëshmi se sakrifica e një populli nuk shkon kurrë huq”.
ORA 10:00 – Viti
Për Ibush Nuhiun, 17 shkurti ishte ditë pune. Veçse jo e zakonshme.
Si polic në një fshat të Vitisë, në Kosovë, në pritje të trazirave të mundshme, ai kishte disa ditë që po punonte me orar të zgjatur.
“Ne e kemi ditur [që po shpallet Pavarësia], sepse na kanë angazhuar pak më shumë në punë”, thotë 57-vjeçari, i cili në atë kohë sapo kishte mbushur 39 vjet.
“Ditë e diel, kisha ditëlindjen time dhe festova edhe lindjen e shtetit”, thotë ai.
Për Ibushin ishte gëzim i trefishtë, pasi rreth orës 10 të mëngjesit, atë e njoftuan se i kishte lindur djali i vëllait, që gjendej në mërgim.
Për shkak të angazhimit në punë, Ibushi thotë se nuk pati shumë kohë të mendonte apo të festonte ditëlindjen e tij.
Edhe tani, thotë se më parë e feston ditëlindjen e Kosovës.
“Për mua, më me prioritet është Dita e Pavarësisë, se ditëlindja ime, se ne [si komunitet shqiptar] derisa nuk e kemi fituar shtetin, kemi qenë të nënçmuar, të persekutuar. Nuk kemi guxuar të shfaqim gëzim”.
ORA 15:39 – Gjirokastër, Shqipëri
Një dhomë e vogël, një televizor i ndezur dhe një fëmijë që përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh.
Lajmi për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës kishte arritur në Shqipëri.
“Më 17 shkurt 2008, unë isha 10 vjeç, dhe e mbaj mend shumë mirë edhe sot”, kujton Kelvin Zifla.
“Unë nuk e kuptoja shumë mirë, pasi thosha ‘A nuk është Kosova e lirë? Pavarësi nga kush?’”.
Kelvini, tani 28 vjeç, tregon se gjyshja e tij, që po e ndiqte ngjarjen në televizor, ia kishte shpjeguar situatën në Kosovë, dhe pse ky ishte lajm i gëzueshëm për bashkëkombësit shqiptarë.
“Ajo më shpjegoi se Kosova tani do njihej nga bota, dhe do të ishte më e sigurt, më e fortë!".
"Kam ndier një gëzim të pashpjegueshëm”, kujton Kelvini.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që kishte bërë njohjen zyrtare të Pavarësisë së Kosovës.
PASDITE – Bllacë e Suharekës
Rreth një orë larg kryeqytetit, Prishtinës, disa të rinj, në fshatin Bllacë të Suharekës, kishin marrë lajmin për Pavarësinë.
Pas kësaj, ata kishin një hall: si t’ju bashkëngjiteshin festimeve në qendër të qytetit, pasi kishte mungesë transporti.
Kështu kujton Leonard Hoxha, që atë kohë ishte 17 vjeç.
“Nga dëshira dhe vullneti për të festuar bashkë me njërin vëlla, dhe bashkëmoshatarë nga fshati Bllacë, kemi ecur në këmbë, deri në Suharekë [10 km], sepse veturë nuk kishim, dhe autobusët nuk qarkullonin”, rrëfen Leonardi në një koment për Radion Evropa e Lirë.
“Ishte ditë e ftohtë, me reshje bore herë pas here, por vullneti nuk na u ndal”, shton ai.
Pas ecjes së gjatë, ai grup adoleshentësh arriti në qytet, ku siç kujton Leonardi, “ishte një atmosferë e zjarrtë”.
“Bizneset kishin ofruar ushqime, pije… Gjithçka kishim pa pagesë në sheshin e qytetit".
"Tupanët gumëzhinin, njerëzit vallëzonin, veturat nuk i ndalnin, thjesht e paharrueshme!”.
Në fund të ditës, siç kujton ai, sërish ishin kthyer në këmbë nga Suhareka në Bllacë.
"Pa e ndier aspak lodhjen”, thotë Leonardi.
MBRËMJE – Vasa, Finlandë
Një natë para 17 shkurtit, Qamil Durmishi mori pjesë në një tubim të komunitetit jo shumë të madh të shqiptarëve në Finlandë.
“E dinim [që do të shpallej Pavarësia]”, thotë ai.
Qamili, me prejardhje nga fshati Rakinicë i Skenderajt, kishte migruar në qytetin finlandez Vasa para luftës së vitit 1999.
Mbrëmjen e 17 shkurtit, Qamili thotë se e pritën jashtë, ndonëse në temperatura shumë të ulëta.
“Dolëm me flamuj kombëtarë, se flamuri i Kosovës nuk ishte ende".
"Festuam si të çmendur. E kemi ndezur lagjen, kërcenim dhe këndonim”, thotë Qamili, që në atë kohë ishte 45 vjeç.
Ai thotë se gëzim më të madh se ajo ditë ka pasur vetëm ditën kur NATO-ja filloi bombardimet ndaj caqeve jugosllave më 1999, për të ndalur luftën dhe spastrimin etnik në Kosovë.
“Kurrë në jetë atë gëzim nuk e kisha përjetuar”, thotë ai.
NATË – Kaçanik
Në sheshin e vogël të Kaçanikut, rreth një orë larg Prishtinës, festa po vazhdonte deri vonë, pavarësisht të ftohtit.
Në shesh kishte dalë edhe Linda Fetahu Krivanjeva, bashkë me familjen dhe me dy fëmijët e vegjël, 4 dhe 2 vjeç.
“Ishte shumë ftohtë. Fëmijët ishin të vegjël, nuk kuptonin. Faqet e kuqe, të mërdhirë. U bë nata. Deri vonë, sa kemi mundur kemi qëndruar. Herë në këmbë, herë i mbanim në krahë”, kujton Linda.
Për të, festa pati edhe ndjenja të përziera, që i kujtonin kohërat e vështira të vitit 1999, kur ishte angazhuar si infermiere në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Gëzimi për lirinë u shoqërua me dhimbje dhe mall për shokët e luftës, që humbën jetën për këtë ditë, të cilët nuk arritën ta prisnin shpalljen e Pavarësisë”, thotë Linda, që atë kohë ishte 27 vjeçare.
VITI 2026
Tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova është shtet i njohur nga rreth 120 vende të botës, dhe ka ndërtuar institucionet e saj. Ajo ka zhvilluar zgjedhje të rregullta, ka forca të veta të sigurisë dhe synon integrimin euroatlantik.
Megjithatë, Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përballet me mungesë njohjeje nga disa shtete të Bashkimit Evropian dhe nga disa fuqi botërore, ndërsa vazhdon dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.