Tahiri: PDK-ja dhe Aleanca nuk i kanë votat për ta thirrur seancën
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se partia e tij dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk i kanë nënshkrimet e mjaftueshme për ta thirrur një seancë të Kuvendit gjatë së martës.
Sipas tij, dy partitë kanë së bashku 30 nënshkrime, ndërsa për thirrjen e seancës nevojiten 40.
“Fatkeqësisht, PDK dhe Aleanca bashkë nuk i kanë 40 nënshkrime për ta thirrur seancën dhe për t'i detyruar deputetët të vijnë... Ne i kemi veç 30 nënshkrime”, tha Tahiri para gazetarëve.
Deklarata vjen në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe kur mbetet i papërfunduar edhe votimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Për momentin, nuk është paralajmëruar ndonjë seancë e re e Kuvendit.
Haxhiu i drejtohet Kushtetueses: Kush i ushtron kompetencat presidenciale pas 6 tetorit?
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.
Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor - në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 të Kushtetutës.
“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.
Për më shumë, lexoni këtu.
Ministria e Arsimit: Mësimi zhvillohet normalisht, njoftimi për ndërprerjen është i rremë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës njoftoi se procesi mësimor zhvillohet normalisht më 6 tetor, duke përgënjeshtruar një njoftim që po qarkullon në rrjetet sociale se mësimi është ndërprerë.
Sipas Ministrisë, nuk është marrë asnjë vendim për ndërprerjen e mësimit dhe nxënësit e mësimdhënësit duhet t’i përmbahen orarit të rregullt.
“Njoftimi që po qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se më 6 tetor 2026 nuk do të zhvillohet procesi mësimor, është i rremë dhe nuk është publikuar nga Ministria”, thuhet në reagim.
Ministria tha se në materialin që po qarkullon, janë përdorur pa autorizim emri dhe logoja e institucionit, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim zyrtar.
Kjo vjen një ditë pasi protesta në Prishtinë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa pati të lënduar nga të dyja palët.
Protestuesit paralajmëruan se do të mblidhen sërish më 6 tetor në Prishtinë.
Çitaku i bën thirrje Kurtit të shkojë në Kuvend për votimin e ligjit
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të shkojë në Kuvend për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Albin, eja në Kuvend. Eja dhe ta votojmë ligjin”, shkroi Çitaku në Facebook.
Ajo i bëri thirrje Kurtit që të mos nxisë tensione dhe e akuzoi atë se po e urdhëron Policinë të përdorë dhunë ndaj protestuesve.
Çitaku nuk ofroi dëshmi për pretendimin se Kurti ka urdhëruar Policinë të veprojë ndaj protestuesve.
“Sot nuk na duhen përplasje. Nuk na duhen tensione. Nuk na duhet dhunë. Na duhet përgjegjësi. Na duhet qetësi. Na duhet guxim politik”, shkroi ajo.
Çitaku tha se Kurti e ka për detyrë të jetë në Kuvend, t’i dëgjojë qytetarët dhe të votojë, duke e lidhur miratimin e ndryshimeve ligjore me, siç tha ajo, mbrojtjen e UÇK-së dhe të personave që luftuan në radhët e saj.