Vela: Marrëveshja e minutës së fundit ende e mundshme, por gjasat janë të kufizuara
- Nga Valona Tela
Mundësia për një marrëveshje të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës ekziston ende, por është e kufizuar nëse partitë nuk lëvizin nga pozicionet e tyre aktuale, vlerëson Blerim Vela, bashkëpunëtor i jashtëm kërkimor në Qendrën për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Vela thotë se zhvillimet e një dite më parë dhe mosbesimi i kahershëm mes partive e kanë vështirësuar mundësinë e kompromisit.
“Mundësia për arritjen e një marrëveshjeje të minutës së fundit mes LVV-së dhe PDK-së mbetet formalisht e mundshme, por pas zhvillimeve të djeshme dhe mosbesimit kronik mes partive, gjasat që ajo të ndodhë janë të kufizuara nëse njëra ose të dyja palët nuk lëvizin nga pozicionet e tyre aktuale”, thotë Vela.
Sipas tij, situata nuk është më vetëm çështje e afateve kushtetuese dhe procedurave parlamentare.
Ai e sheh atë edhe si “një provë të kapacitetit të munguar të elitave politike për ta kthyer kompromisin nga një koncesion i detyruar në një akt përgjegjësie shtetërore”.
Vela: Nevojitet formulë paralele për presidentin dhe Specialen
Përplasja kryesore mes LVV-së dhe PDK-së lidhet me dy procese që kanë mbetur të papërfunduara: zgjedhjen e presidentit dhe votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Projektligji për Specialen mori mbështetjen e deputetëve në lexim të parë më 5 tetor, por nuk u votua në lexim të dytë.
PDK-ja ka insistuar që ndryshimet ligjore të përfundojnë para se të procedohet me zgjedhjen e presidentit, ndërsa LVV-ja ka kërkuar që të trajtohen të dyja çështjet.
Vela është kritik ndaj zhvillimeve të një dite më parë - kur protestat në mbështetje të ndryshimeve në ligj u përshkallëzuan në dhunë - dhe, veçanërisht, ndaj qasjes së PDK-së.
Sipas tij, përpjekja e kësaj partie për t’i mbajtur deputetët në Kuvend derisa të votohej në lexim të dytë Projektligji për Specialen bie ndesh me qëndrimet që PDK-ja ka mbajtur gjatë krizave të mëparshme politike, kur kishte theksuar vullnetin e lirë të deputetëve dhe kundërshtonte presionin ndaj tyre.
Ai vlerëson se debati rreth UÇK-së po shndërrohet në një betejë për “pronësi simbolike dhe politike”, ndërsa refuzimi i kompromisit, sipas tij, po përdoret edhe për mobilizim elektoral.
Megjithatë, Vela sheh ende një rrugëdalje.
Sipas tij, një marrëveshje do të kërkonte që partitë të gjenin sot një formulë për të vepruar paralelisht në të dyja drejtimet.
“Çdo kthesë e mundshme sot do të vijë nga një akt i vetëdijshëm përgjegjësie, ku partitë gjejnë një formulë veprimi paralel për çështjen e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të ish-krerëve të UÇK-së dhe zgjedhjes së presidentit”, thotë Vela.
Ai paralajmëron se vazhdimi i bllokadës nuk do të dëmtonte vetëm një parti politike, por “funksionalitetin e shtetit dhe besueshmërinë e demokracisë kosovare”.
Çfarë ndodh nëse marrëveshja dështon?
Gjashtë tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh deri në përfundimin e afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme.
Vela beson se, në një skenar të tillë, përplasjet e ditëve të fundit dhe çështja e ish-krerëve të UÇK-së do të zinin vend qendror në fushatën zgjedhore.
“Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri sonte në mesnatë, Kosova do të futet në fushatën më të acaruar politike deri më tani”, thotë ai.
Sipas Velës, partitë mund të përpiqen t’i përdorin zhvillimet e fundit për të krijuar dy narrativë kundërshtues: njëri rreth pretendimeve se kush “e mbron UÇK-në” dhe tjetri rreth pretendimit se kush ka bërë më shumë lëshime për të shmangur një proces tjetër zgjedhor.
Vela e cilëson këtë ndarje si “konstruktim politik artificial”, që, sipas tij, synon mobilizimin e elektoratit rreth aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe debatit nëse institucionet e Kosovës kanë bërë mjaftueshëm për ta.
Ai pret që PDK-ja, në rast zgjedhjesh, të synojë mobilizimin e votuesve të prekur nga aktgjykimi dhe zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara.
Ndërkaq, sipas tij, LVV-ja mund të argumentojë se ka bërë lëshime ndaj partive opozitare për t’i shmangur zgjedhjet dhe të kërkojë mbështetje më të madhe për të dalë nga cikli i bllokadave politike.
Vela thotë se nuk e përjashton as mundësinë që, para zgjedhjeve eventuale, Qeveria të ndërmarrë masa për mbështetje ligjore, institucionale ose financiare për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit të apelit.
Rreziku i një fushate të polarizuar
Përtej përfitimeve që partitë mund të synojnë nga zgjedhjet, Vela sheh edhe një rrezik tjetër: lodhjen e mëtejshme të votuesve.
Ai përmend rënien e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme të qershorit 2026 krahasuar me ato të dhjetorit 2025 dhe thotë se një tjetër fushatë e dominuar nga akuza për “tradhti” dhe nga polarizimi mund ta thellojë demobilizimin e qytetarëve.
“Gjithë këto manovra politike mund të rezultojnë me thellim të apatisë dhe lodhjes qytetare”, përfundon Vela.
Blerta Deliu-Kodra: Nuk ka lëvizje në qëndrime, ligji duhet të votohet
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se PDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe vazhdon të insistojë që Kuvendi ta përfundojë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Nuk ka lëvizje në qëndrime. Ne vazhdojmë të insistojmë që ligji duhet të votohet në dy lexime”, tha Deliu-Kodra para gazetarëve.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u miratua një ditë më parë në lexim të parë, por votimi në lexim të dytë mbeti i papërfunduar.
Deliu-Kodra tha gjithashtu se përfaqësues të PDK-së do t’u bashkohen protestuesve që po kërkojnë miratimin e ndryshimeve ligjore.
“Do të jemi në protestë me protestuesit”, tha ajo.
PDK-ja ka kushtëzuar pjesëmarrjen në procesin për zgjedhjen e presidentit me përfundimin paraprak të votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Tahiri: PDK-ja dhe Aleanca nuk i kanë votat për ta thirrur seancën
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se partia e tij dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk i kanë nënshkrimet e mjaftueshme për ta thirrur një seancë të Kuvendit gjatë së martës.
Sipas tij, dy partitë kanë së bashku 30 nënshkrime, ndërsa për thirrjen e seancës nevojiten 40.
“Fatkeqësisht, PDK dhe Aleanca bashkë nuk i kanë 40 nënshkrime për ta thirrur seancën dhe për t'i detyruar deputetët të vijnë... Ne i kemi veç 30 nënshkrime”, tha Tahiri para gazetarëve.
Deklarata vjen në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe kur mbetet i papërfunduar edhe votimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Për momentin, nuk është paralajmëruar ndonjë seancë e re e Kuvendit.
Haxhiu i drejtohet Kushtetueses: Kush i ushtron kompetencat presidenciale pas 6 tetorit?
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.
Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor - në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 të Kushtetutës.
“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.
Për më shumë, lexoni këtu.