Kraki: Nuk kam marrë ftesë për seancë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, tha se nuk ka marrë ftesë për ndonjë seancë të Kuvendit.
Kuvendi nuk ka njoftuar zyrtarisht për ndonjë seancë gjatë ditës, ndonëse disa media kanë raportuar se një e tillë mund të thirret.
“Nuk e di, nuk kam marrë ftesë për seancë”, tha Kraki shkurtimisht para gazetarëve në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara, Kraki tha se fokusi duhet të jetë te faza e apelit.
“Apelin [në Speciale] e fitojmë nëse krejt nesër dalim bashkë me një strategji”, tha ai.
Kuvendi ende nuk e ka përfunduar votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sot, është edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Në rast të dështimit, institucioni ligjvënës shpërndahet.
Protestuesit para Kuvendit
Disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, duke kërkuar votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Tubimi po mbahet një ditë pasi protesta e së hënës u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Për momentin, situata në zonën para Kuvendit është e qetë.
Aleanca kërkon votimin e ligjit
Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, u bëri thirrje deputetëve që të mblidhen në Kuvend dhe t’i votojnë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Deputetët duhet të vijnë në Kuvend dhe ta votojnë ligjin. Kjo është përgjegjësia jonë”, tha Berisha në një konferencë për gazetarë.
Ramush Haradinaj, po nga Aleanca, tha se nuk ka marrë ndonjë ftesë për seancë të Kuvendit, pavarësisht raportimeve se gjatë ditës mund të thirret një e tillë.
Më pas, ai dhe deputetë të tjerë të Aleancës dolën para Kuvendit për t’i përshëndetur dhe falënderuar, siç tha, protestuesit që po kërkojnë votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Jemi një me çlirimtarët”, u tha Haradinaj protestuesve.
Abdixhiku mbron qëndrimin e LDK-së: Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mbrojti qëndrimin e partisë së tij për zhvillimet rreth ish-krerëve të UÇK-së dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara, një ditë pasi deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin e projektligjit për ndryshimin e këtij ligji.
“UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai tha se LDK-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin për shkak të kritikave apo presionit.
“Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin”, shkroi ai.
LDK-ja ishte e vetmja nga partitë e mëdha parlamentare që nuk mori pjesë në votimin e 5 tetorit për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Projektligji kaloi në lexim të parë me 91 vota për, pa vota kundër apo abstenime.
Para votimit, LDK-ja tha se nuk mund ta mbështeste nismën, duke ngritur pikëpyetje nëse ndryshimet e propozuara mund të prodhonin efekt juridik.
Sipas qëndrimit të saj, aktgjykimet duhet të sfidohen përmes rrugës gjyqësore dhe procesit të apelit.
Në postimin e së martës, Abdixhiku nuk tha se LDK-ja e ka ndryshuar këtë qëndrim.
Ai argumentoi se, po të ishte ndjekur qasja e LDK-së, Kosova tashmë do ta kishte zgjedhur presidentin dhe do të kishte angazhim institucional për, siç tha ai, “mbrojtjen e së vërtetës së luftës tonë në botë”.
“Ja ku mbetëm sot. Pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal në vend”, shkroi Abdixhiku.