Hamza: Nuk ka takim me Kurtin pa u votuar ligji në lexim të dytë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se nuk do të ketë takim të ri me kryeministrin Albin Kurti, derisa Kuvendi të votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Për ne ligji është domosdoshmëri. Ligji dhe presidenti nuk janë çështje të lidhura”, tha Hamza para gazetarëve.
“Le të votohet ligji, pastaj jemi të hapur të bisedojmë për tema të tjera”, shtoi ai.
Hamza tha se qëndrim i përbashkët i PDK-së është që të thirret seanca e Kuvendit dhe projektligji të hidhet në votim, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë pengesë procedurale, ligjore apo politike që kjo të ndodhë.
PDK-ja është iniciuese e ndryshimeve ligjore, të cilat u miratuan në lexim të parë më 5 tetor.
Hamza tha se iniciativa lidhet me atë që PDK-ja e konsideron padrejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar në Hagë.
“Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por ata janë njerëz të pafajshëm”, tha Hamza, duke e cilësuar gjetjen për ndërmarrje të përbashkët kriminale si “goditje për Kosovën”.
“Na dënohet historia, na dënohet e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë”, tha ai.
Më herët, partia e tij, përmes një postimi në rrjetet sociale, i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë me urgjencë seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit që, siç tha, “mbron UÇK-në, çlirimtarët dhe historinë tonë”.
Duke folur për protestat në Prishtinë, Hamza tha se protestuesit po kërkojnë drejtësi dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe miratimin e ndryshimeve ligjore.
Ai kritikoi mënyrën se si policia ndërhyri gjatë përplasjeve të një dite më parë, duke e cilësuar përdorimin e forcës si joproporcional.
“Përdorimi i forcës joproporcionale shkakton zemërim, shkakton skena të panevojshme, shkakton acarim të masës”, tha Hamza.
Ai bëri thirrje për kujdes nga institucionet dhe protestuesit, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe dhuna.
“Nuk dua të besoj që ato do të përsëriten”, tha Hamza.
Hamza komentoi edhe kërkesën që ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.
Sipas Hamzës, Gjykata Kushtetuese tashmë e ka bërë të qartë se 6 tetori është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit.
“Nuk pres që Gjykata Kushtetuese të dalë përtej afateve”, tha ai.
Nis protesta në Prishtinë, kërkohet votimi i ligjit në lexim të dytë
Në Prishtinë nisi protesta në mbështetje të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, një ditë pasi tubimi i së hënës u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Njëri nga organizatorët, Çlirim Haziri, u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë projektligjin në lexim të dytë, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave nëse kjo nuk ndodh.
“Ose votojeni ligjin, ose dilni në zgjedhje me ‘vulën e turpit’”, tha Haziri para protestuesve.
“Derisa ligji të votohet, ne nuk e bëjmë asnjë hap prapa”, shtoi ai.
Haziri iu drejtua gjithashtu deputetëve me fjalët: “Kjo masë do t’ju ndjekë si hije, sepse kush luan me themelet e kombit, nuk do të gjejë paqe”.
Projektligji u miratua në lexim të parë më 5 tetor, por votimi në lexim të dytë mbetet i papërfunduar.
Arifi: Ligji dhe presidenti mund të zgjidhen brenda ditës
- Nga Bekim Bislimi
Politologu kosovar, Dritëro Arifi, thotë se ende ka hapësirë që partitë politike të arrijnë marrëveshje për presidentin dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por se kjo kërkon heqjen dorë nga kushtëzimet.
Gjashtë tetori është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
“Normalisht që shoh ende hapësirë, sepse ka ende kohë, por duhet pasur vizion se çfarë dëshirojmë”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, nëse ka vullnet politik, Kuvendi mund ta votojë brenda ditës në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe partitë më pas të merren vesh për presidentin.
Projektligji u miratua në lexim të parë më 5 tetor, por procesi mbeti i papërfunduar. PDK-ja ka insistuar që fillimisht të votohet ligji, ndërsa LVV-ja ka kërkuar që të sigurohet edhe zgjedhja e presidentit.
Arifi i konsideron të panevojshme këto kushtëzime dhe thotë se barra kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje bie mbi partinë në pushtet.
“Ligji është problemi dhe jo zgjedhja e presidentit. Çështja e presidentit është pika e dytë, e cila zgjidhet në pako me miratimin e ligjit”, thotë ai.
Sipas Arifit, LVV-ja do të duhej ta mbështeste votimin e ligjit dhe më pas ta vendoste opozitën para përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit.
“Në rast se votohet ligji në lexim të dytë dhe nuk gjendet zgjidhja për presidentin, atëherë LVV-ja më nuk mund të konsiderohet fajtore pse vendi shkon në zgjedhje”, thotë ai.
Shqetësim për polarizimin
Arifi paralajmëron se zgjedhjet e parakohshme në klimën aktuale politike do të mund ta thellonin polarizimin, veçanërisht pas protestave të ditëve të fundit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Një ditë më parë, protesta në Prishtinë u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
“Procesi zgjedhor nuk ka për të shkuar sikur herëve të tjera. E them në mënyrë hipotetike se po hyjmë në zgjedhje në rrethanat e një konflikti civil”, thotë Arifi.
Me termin “konflikt civil”, Arifi iu referua polarizimit dhe tensioneve aktuale, jo një konflikti të armatosur apo dhunës së organizuar.
Ai thotë se në këtë fazë nuk është thelbësore se cila parti mund të përfitojë nga zgjedhjet. Sipas tij, prioritet duhet të jetë dialogu dhe gjetja e një marrëveshjeje para përfundimit të afatit.
IPK-ja nis hetim për veprimet e policisë gjatë protestës
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se ka nisur një hetim preliminar për veprimet e policisë gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë, e cila u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.
IPK-ja tha se ka monitoruar protestën, përfshirë përdorimin e forcës dhe të mjeteve të autorizuara nga policia.
Inspektorati tha se ka pranuar edhe ankesën e një qytetari, i cili pretendon se policia ka tejkaluar autorizimet gjatë përdorimit të forcës.
Hetimi nisi bazuar në të dhënat e mbledhura gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera.
IPK-ja tha se, varësisht nga gjetjet, do të vendosë për hapat e mëtejmë.
Pamje nga përplasjet e së hënës: