Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 tetor.
Kuvendi i Kosovës, 5 tetor.

Drejtpërdrejt Kurti: PDK-së ia votojmë sonte ligjin për Specialen, nëse ajo voton Konjufcën ose Rushitin për president

E përditësuar
  • Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje PDK-së t'ia votojë njërin nga kandidatët për president - Glauk Konjufca apo Feride Rushiti - në këmbim të votave të LVV-së për Ligjin për Dhomat e Specializuara.
  • 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës; nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
  • Ndërsa partitë ende nuk kanë marrëveshje për presidentin, protestat për ndryshimin e Ligjit për Specialen po vazhdojnë edhe sot.
14:08

Çfarë parasheh masa në të cilën këmbëngul PDK-ja?

Projektligji synon ta ngushtojë ndjeshëm juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke e kufizuar periudhën që ato mbulojnë nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 dhe duke përjashtuar veprat pa lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Ai parasheh gjithashtu dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të ri.

Të dënuarit do të mund t’i vuanin dënimet në Kosovë, ndërsa parashihet edhe mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme për çështjet e juridiksionit dhe, për dënimet e formës së prerë, mundësia e faljes presidenciale.

Miratimi i projektligjit, megjithatë, nuk do t’i anulonte automatikisht aktgjykimet ekzistuese dhe as nuk do të sillte vetvetiu lirimin e personave të dënuar.

Për më shumë lexoni këtu.

13:44

Për ju që sapo na jeni bashkuar:

  • 6 tetori është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit: Ende nuk ka seancë të paralajmëruar zyrtarisht të Kuvendit, ndonëse disa media raportuan se një e tillë mund të thirret gjatë ditës.
  • PDK-ja kërkon që fillimisht të votohet në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara dhe më pas të diskutohet për presidentin. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha sot se nuk do të ketë takim të ri me Albin Kurtin pa u votuar ligji.
  • LVV-ja kërkon që të zgjidhen të dyja çështjet: presidenti dhe ligji. Partia e mbështeti projektligjin, por nuk pajtohet me kërkesën e PDK-së që votimi i tij të përfundojë pa u siguruar edhe zgjedhja e presidentit.
  • LDK-ja nuk mori pjesë në votimin e projektligjit në lexim të parë. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, tha sot se “etiketimet” dhe “kërcënimet” nuk ia ndryshojnë qëndrimin partisë.
  • Aleanca kërkon, po ashtu, votimin e ligjit. Deputeti Bekë Berisha u bëri thirrje deputetëve të shkojnë në Kuvend.
  • Protesta para Kuvendit ka sërish. Protestuesit kërkojnë votimin e ligjit në lexim të dytë dhe paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse kjo nuk ndodh.
13:35

Kraki: Nuk kam marrë ftesë për seancë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, tha se nuk ka marrë ftesë për ndonjë seancë të Kuvendit.

Kuvendi nuk ka njoftuar zyrtarisht për ndonjë seancë gjatë ditës, ndonëse disa media kanë raportuar se një e tillë mund të thirret.

“Nuk e di, nuk kam marrë ftesë për seancë”, tha Kraki shkurtimisht para gazetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Nezir Kraki
Nezir Kraki

Duke folur për ish-krerët e UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara, Kraki tha se fokusi duhet të jetë te faza e apelit.

“Apelin [në Speciale] e fitojmë nëse krejt nesër dalim bashkë me një strategji”, tha ai.

Kuvendi ende nuk e ka përfunduar votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Sot, është edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Në rast të dështimit, institucioni ligjvënës shpërndahet.

13:24

Protestuesit para Kuvendit

Disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, duke kërkuar votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Tubimi po mbahet një ditë pasi protesta e së hënës u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Për momentin, situata në zonën para Kuvendit është e qetë.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG