Të dashur lexues, faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë!
Zhvillimet vazhdojnë, ndaj qëndroni me ne për të gjitha të rejat nga Prishtina.
Mbulimin e drejtpërdrejtë nga këtu e vazhdon Ekrem Idrizi.
Nga unë, Valona Tela, mirë mbetshi!
Kurti paralajmëron konferencë për media në orën 15:00
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë konferencë për media në orën 15:00, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Konferenca do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë.
Nuk është bërë e ditur tema për të cilën Kurti do t’u drejtohet mediave.
Konferenca vjen në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit dhe ndërsa ende nuk ka marrëveshje mes partive për rrugën përpara.
Çfarë parasheh masa në të cilën këmbëngul PDK-ja?
Projektligji synon ta ngushtojë ndjeshëm juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke e kufizuar periudhën që ato mbulojnë nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 dhe duke përjashtuar veprat pa lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Ai parasheh gjithashtu dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të ri.
Të dënuarit do të mund t’i vuanin dënimet në Kosovë, ndërsa parashihet edhe mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme për çështjet e juridiksionit dhe, për dënimet e formës së prerë, mundësia e faljes presidenciale.
Miratimi i projektligjit, megjithatë, nuk do t’i anulonte automatikisht aktgjykimet ekzistuese dhe as nuk do të sillte vetvetiu lirimin e personave të dënuar.
Për më shumë lexoni këtu.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- 6 tetori është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit: Ende nuk ka seancë të paralajmëruar zyrtarisht të Kuvendit, ndonëse disa media raportuan se një e tillë mund të thirret gjatë ditës.
- PDK-ja kërkon që fillimisht të votohet në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara dhe më pas të diskutohet për presidentin. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha sot se nuk do të ketë takim të ri me Albin Kurtin pa u votuar ligji.
- LVV-ja kërkon që të zgjidhen të dyja çështjet: presidenti dhe ligji. Partia e mbështeti projektligjin, por nuk pajtohet me kërkesën e PDK-së që votimi i tij të përfundojë pa u siguruar edhe zgjedhja e presidentit.
- LDK-ja nuk mori pjesë në votimin e projektligjit në lexim të parë. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, tha sot se “etiketimet” dhe “kërcënimet” nuk ia ndryshojnë qëndrimin partisë.
- Aleanca kërkon, po ashtu, votimin e ligjit. Deputeti Bekë Berisha u bëri thirrje deputetëve të shkojnë në Kuvend.
- Protesta para Kuvendit ka sërish. Protestuesit kërkojnë votimin e ligjit në lexim të dytë dhe paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse kjo nuk ndodh.