Ndërlidhjet

Trump ftohet të marrë pjesë në hetimet për shkarkimin e tij


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Kongresi amerikan ka ftuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në seancat që po zhvillohen në kuadër të hetimeve për shkarkimin e tij më 4 dhjetor.

Udhëheqësi i Komitetit Gjyqësor në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerrold Nadler, ka thënë se Trump mund të marrë pjesë “apo të ndalojë së ankuari për këtë proces”.

Në rast se merr pjesë, presidenti do të ketë mundësi që të marrë në pyetje dëshmitarët.

Kjo situatë do të shënonte një fazë të re në hetimet për shkarkim, të cilat kanë në qendër një bisedë telefonike në mes të Trumpit dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në atë bisedë, Trump i ka kërkuar Zelenskiyt që të hetojë ish nën-presidentin amerikan, Joe Biden, që aktualisht garon për të fituar nominimin e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, si dhe djalin e tij Hunter që më parë ka punuar për kompaninë ukrainase të energjisë, Burisma.

Hetimet synojnë të konfirmojnë nëse Trump ka kërcënuar me pezullim të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, në këmbim të hetimeve për Bidenët.

Trump në anën tjetër ka mohuar të ketë kryer ndonjë keqbërje dhe e ka cilësuar hetimet si “gjueti shtrigash”.

Javën e kaluar, Komiteti për Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve ka përfunduar dy javë të seancave publike, të cilat janë realizuar pas disa javësh të seancave të mbyllura me dëshmitarë.

Adam Schiff, udhëheqës i këtij Komiteti ka thënë se Komitetet që kanë udhëhequr hetimet: i Inteligjencës, dhe i Punëve të Jashtme janë duke punuar në hartimin e një raporti që do të publikohet më 3 dhjetor.

Komiteti i Gjyqësorit pritet të fillojë hartimin e artikujve për shkarkim në fillim të muajit dhjetor, që përfshijnë akuza për keqbërjet kundër presidentit.

Pas votimit në Dhomën e Përfaqësuese që kontrollohet nga demokratët, një proces i gjykimit pritet të mbahet në Senatin e drejtuar nga republikanët.

Nëse Trump dënohet me një shumicë prej dy të tretave, shifër e cila ka pak mundësi të ndodhë, ai do të bëhet presidenti i parë amerikan që do të largohej nga zyra përmes një procesi të tillë.

Shtëpia e Bardhë dhe disa republikanë dëshirojmë që procesi i gjykimit të kufizohet në dy javë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG