Ndërlidhjet

WP: Mueller po heton nëse “Trump ka ndërhyrë në drejtësi”


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, është duke hetuar nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë përpjekje të detyrojë prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, të japë dorëheqje verën e kaluar, me qëllim që të pengojë hetimet e tij për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane, më 2016, raporton gazeta Washington Post.

Duke cituar njerëz që kanë njohuri për çështjet, Washington Post thotë se ekipi i Muellerit ka marrë në pyetje dëshmitarë në lidhje me komentet private të Trumpit në fund të korrikut dhe fillim të gushtit – koha kur Trump ka bërë vazhdimisht postime në Twitter, duke minuar rëndësinë e Sessions.

Washington Post thotë se gjatë kësaj periudhe, Trump ka diskutuar privatisht shkarkimin e Sessions ose detyrimin e tij për t’u larguar. Gazeta thotë se Trump ka urdhëruar stafin e Shtëpisë së Bardhë një herë që të sigurojë letrën e dorëheqjes nga Sessions. Gazeta po ashtu citon një këshilltar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se Trump në atë kohë ka qenë “i tronditur” që Sessions nuk ka ikur ende.

Washington Post raporton se Mueller tani po përpiqet të përcaktojë nëse qëllim i postimeve të Trumpit në Twitter ka qenë “të turpërojë publikisht prokurorin e përgjithshëm” dhe të zgjedhë një zëvendësues që do të ushtronte kontroll mbi hetimet për bashkëpunimin e mundshëm të Rusisë dhe fushatës së Trumpit, gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Gazeta New York Times ka raportuar qysh më herët se Mueller po heton përpjekjet e dyshuara të Trumpit për të shkarkuar Sessions.

Trump i ka mohuar përpjekjet për penguar hetimin e çështjes ruse dhe ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë me Rusinë gjatë fushatës. Rusia po ashtu e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk i janë përgjigjur kërkesës për komente në lidhje me artikullin e gazetës Washington Post.

Artikulli vjen në kohën kur Trump sërish kritikoi Sessions. Në një postim në Twitter, të mërkurën, ai tha se është “e turpshme” që Sessions nuk i ka urdhëruar prokurorët e Departamentit të Drejtësisë për të hetuar akuzat se FBI, në mënyrë të paligjshme, ka mbikëqyrur një këshilltar të fushatës së Trumpit, në fillim të hetimeve të çështjes ruse.

Sessions tha se e ka referuar çështjen tek inspektorati i pavarur i Departamentit të Drejtësisë për hetime.

“Për aq kohë sa unë jam prokuror i përgjithshëm, unë do të vazhdoj t’i kryej detyrat e mia me ndershmëri dhe ky departament do të vazhdojë ta bëjë punë e tij në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, sipas ligjit dhe Kushtetutës”, tha Sessions.

Trump dhe Sessions kanë pasur marrëdhënie të tensionuara prejse Sessions është tërhequr nga hetimi i çështjes ruse, një vit më parë. Kjo i ka hapur rrugë emërimit të Muellerit, i cili ka akuzuar disa ish-ndihmës dhe ish-këshilltarë të fushatës së Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG