Ndërlidhjet

Rama: Mbledhja e qeverive në formatin e paraparë nuk mund të mbahet


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar. Nga Qeveria e Kosovës thanë se kjo është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar", tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

"Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Rama tha se homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Rama tha se kjo nuk mund të ndodhte sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.

Rama tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohe nuk shfrytëzohet, atëherë “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin Kurti], unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”, theksoi Rama.

Por, nga Qeveria e Kosovës thanë se takimet dypalëshe do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.

"Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por, është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme", tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në veri të Kosovës tensionet janë rritur që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Që nga 29 maji, në këto tri komuna, serbët lokalë kanë protestuar vazhdimisht.

Bashkësia ndërkombëtare i ka parashtruar kryeminstri Kurti tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimi në dialogun për normalizim Kosovë-Serbi.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Kryeminstri Kurti më 13 qershor ka bërë publik planin e tij prej pesë pika për shtensionimin e situatës, por BE-ja ka thënë se Kurti deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa të duhur për të shtensionuar situatën.

Blloku evropian ka thënë po ashtu se është duke shqyrtuar masat që do të marrë ndaj Kosovës.

Asociacioni mund "t'i mbyllë dyert për Kurtin"

Mbledhja në Gjakovë pritej të mbahej disa ditë pasi Rama ua ka dërguar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rreth këtij propozimi, Kurti të martën në një konferencë për media ka thënë se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.

Rama, gjatë konferencës për media tha se për Asociacionin janë bërë edhe drafte të tjera.

"As nuk kam kërkuar të i imponohem dikujt. As nuk pretendoj që ai draft të merret dhe të adaptohet pa e parë. Unë nuk pres që presidenti i Serbisë [Aleksandar Vuçiq], as ta pranojë sepse kanë shkruar dikur një marrëveshje që draftin do të bëjë një ekip menaxhimi që është me serb. Unë nuk pres nga ai, por minimalisht, kryeministri i Kosovës thotë të shohim", tha Rama.

"Merre shihe njëherë, se nuk dihet. Mund të jetë komplet kotë, por ju siguroj që është top. Nuk e kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertët e nivelit më të lartë botërorë", shtoi Rama.

Rama tha se shpreson që Kosova të dëgjojë “këshilla të mira” dhe të shfrytëzojë këtë kohë për “të dalë nga ky qorrsokak”.

Rama tha se për Kosovën Asociacioni është obligim për shkak të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit. Nëse nuk jetësohet ky organ, sipas tij, do të ketë pasoja për Kosovën.

“Bashkësia ndërkombëtare mund të vendosë që kryeministrit Albin Kurti të mos i hapet asnjë derë, sigurisht që dera jonë do të jetë e hapur. Unë pres që Kurti të pranojë kërkesën për t’u takuar dhe të më jap argumentat e tij, unë do t’ia paraqes ato bashkësisë ndërkombëtare”, tha Rama.

Çfarë pritej të ndodhte në Gjakovë?

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin planifikuar të zhvillonin mbledhjen e nëntë të përbashkët.

Mbledhjes së dy qeverive, sipas agjendë së dërguar nga Qeveria e Kosovës, ishte paraparë të udhëhiqej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i Shqipërisë, Edi Rama.

Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.

Qeveria e Kosovës ka thënë paraprakisht se nga 41 marrëveshje të nënshkruara në dy mbledhjet pararendëse, 39 prej tyre janë zbatuar plotësisht e dy tjera janë në fazën finale të zbatimit.

XS
SM
MD
LG