Ndërlidhjet

Inflacioni mund të rritet edhe më 


Domatet në një treg në Prishtinë në shkurt të vitit 2022.
Domatet në një treg në Prishtinë në shkurt të vitit 2022.

Është vështirë që të ndërmerret ndonjë masë për parandalimin e rritjes së inflacionit në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të kishte efekte negative në rritjen e ekonomisë së vendit, tha të mërkurën guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ai i bëri këto komente gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për buxhet, punë dhe transfere.

Sipas tij, agresioni rus në Ukrainë, që ka nisur më 24 shkurt, ka trazuar ekonominë globale, me theks të veçantë atë të Evropës dhe kështu ka pasur ndikim jodirekt edhe në Kosovë.

Evropa, gati 40 për qind të furnizimeve me gaz i merr nga Rusia.

Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë afro 30 për qind të eksporteve globale të grurit.

Tregjet, paraprakisht, i ka lëkundur edhe pandemia e koronavirusit.

Rritja e çmimeve të konsumit në dy muajt e parë të këtij viti pothuajse e ka dyfishuar inflacionin në Kosovë, në krahasim me mesataren vjetore të vitit 2021.

Sipas Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, që del nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor gjatë vitit 2021 ka qenë mesatarisht 3.4 për qind.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, inflacioni mujor ka qenë 7.1 për qind dhe në muajin shkurt 7.5 për qind.

Mehmeti i konfirmoi të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ai tha se në disa takime të mbajtura me Bankën Qendrore Evropiane, nuk është marrë ndonjë masë që do të parandalonte rritjen e inflacionit, me qëllim që të mos pengohet, sipas tij, rritja ekonomike në vend.

“Prandaj, edhe ne, si Bankë Qendrore, por po mendoj edhe Qeveria [e Kosovës], në këtë kontekst... nëse shkojmë dhe marrim masa me qëllim që ta ndalim inflacionin - edhe pse është shumë e vështirë, sepse është inflacion i importuar - atëherë do ta ndikojmë ose do të kemi efekt negativ në rritjen ekonomike”, tha Mehmeti.

Ai sqaroi se inflacioni është i importuar, për shkak se Kosova varet nga importimi i produkteve nga vendet evropiane.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh.

Sadiku: Kosova importon edhe çmimet e larta

Profesori i Ekonomisë në Kosovë, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, burimi i çrregullimit të tregut botëror - lufta në Ukrainë - nuk jep shenja të përmirësimit. Sipas tij, “avaria ekonomike në tregun botëror do të vazhdojë”.

Sadiku thotë se çmimet janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në të gjithë Eurozonën, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Ai thotë se Kosova, me importin nga jashtë, importon edhe çmimet e larta.

“Kjo do të thotë që edhe ne, gjithnjë e më tepër do të jemi të prekur në muajt në vazhdim. Prandaj, unë nuk pres ndonjë qetësim të çmimeve, edhe përkundër masave që Qeveria [e Kosovës] mundohet t’i marrë”.

“Por, Qeveria e Kosovës nuk i ka kapacitetet e duhura që të përballet me trendët që vijnë nga tregu botëror. Po qe se vazhdohet me këtë ritëm të çrregullimeve, atëherë duhet pritur që niveli i inflacionit në Kosovë të arrijë deri në 10 për qind”, thotë Sadiku.

Rënie e rritjes ekonomike

Berim Ramosaj, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se rritja e çmimeve dhe e inflacionit i ndikon edhe parashikimet për rritje ekonomike.

“Ecuria e rritjes ekonomike në Kosovë, ashtu siç ka qenë e planifikuar dhe siç është parë në këta muajt e fundit, ka qenë relativisht e lartë. Do të thotë, ka qenë diku mbi 7 për qind. Mirëpo, unë mendoj se me këtë rritje të çmimeve në njërën anë dhe rritjen e inflacionit në anën tjetër, normat e rritjes ekonomike të Kosovës kanë rënë një deri në dy për qind më poshtë”, thotë Ramosaj.

Projeksionet e Bankës Qendrore në Kosovë, të publikuara më 21 mars, kanë treguar se ekonomia e Kosovës, si pasojë e luftës në Ukrainë, do të pësojë ngadalësim të aktivitetit.

Sipas tyre, rritja ekonomike do të ngadalësohet në rreth 3.3 për qind këtë vit, nga 10.5 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

Pritjet nga ekzekutivi dhe pakënaqësitë e mundshme sociale

Rritja e çmimeve dhe e inflacionit, kujton Sadiku, ka shkaktuar protesta dhe greva në vendet tjera të rajonit, sikurse në Shqipëri.

Pakënaqësitë e ngjashme, sipas tij, janë evidente edhe në Kosovë, ku pagat nuk kanë lëvizur dhe Ligji për pagat, që parasheh rritje të tyre, nuk është miratuar ende.

Disa sindikata të punëtorëve kanë paralajmëruar tashmë protesta dhe greva, në rast se projektligji i pagave nuk miratohet shpejt.

“Nëse ne vazhdojmë me këtë nivel të ulët të të ardhurave dhe me indeks në rritje të inflacionit, atëherë është e natyrshme që do të kemi reagime sociale të popullatës, sepse askush nuk do të arrijë të përballet me rritjen e tillë të çmimeve”, thotë Sadiku.

Lidhur me ngritjen e çmimeve të konsumit dhe për pritjet që kanë nga Qeveria e Kosovës në raport me situatën e krijuar, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa qytetarë në Prishtinë. Flasin: Adelina Hajrizi, Sali Salihu, Lule Isufi dhe Durim Kurtolli.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se Projektligji për pagat është në fazën e fundit të rihartimit dhe se miratimi nga ta pritet të bëhet në muajin prill.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se cili është plani i saj për ballafaqimin me situatën e rritjes së çmimeve, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Profesor Berim Ramosaj thotë se nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ndërhyjë për ta zbutur situatën, ajo do të duhej të ndërhynte fillimisht në politikën e taksave dhe jo në kufizimin e çmimeve. ​

“Qoftë me zvogëlimin e TVSH-së, qoftë zvogëlimin e tatimeve tjera të produkteve... Kjo është ana më e rregullt e ndërhyrjes së Qeverisë përmes politikës tatimore. Por, në qoftë se vërtet dëshiron të ruajë nivelin e mirëqenies së qytetarëve që kanë të ardhura të ulëta, mbase do të ishte dashur qoftë përmes këtij Ligjit të pagave - që është shumë i diskutueshëm - ta realizojë këtë, qoftë përmes ndonjë forme të pakos së ndërhyrjes në ndihmën e qytetarëve me të ardhura të ulëta”, thotë Ramosaj.

Sipas tij, edhe nëse shkaktarët e rritjes së çmimeve - siç është lufta në Ukrainë - pushojnë, çmimet nuk kanë për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme ose të muajve të fundit të vitit të kaluar.

Ramosaj thotë se çmimet do të ulen vetëm simbolikisht dhe, për këtë shkak, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma për zbutjen e situatës së krijuar.

Masa të tilla kanë ndërmarrë tashmë disa vende të rajonit. Muajin e kaluar, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur për lirimin e akcizës për karburantet dhe për heqjen e TVSH-së për artikujt ushqimorë bazë, si: mielli, buka, vaji, mishi, sheqeri, vezët e disa prodhime të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG