Ndërlidhjet

Engel: Administrata Biden t'i rikrijojë marrëdhëniet me Kosovën


Kongresisti Eliot Engel. Fotografi nga arkivi.
Kongresisti Eliot Engel. Fotografi nga arkivi.

Administrata e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden duhet t'i "rikrijojë marrëdhëniet me Kosovën në kushtet e saj", vlerësoi kongresisti amerikan, Eliot Engel.

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Eliot Engel, i bëri këto komente në një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor.

Ai ishte mjaft kritik për administratën aktuale të presidentit Donald Trump dhe tha se disa nga veprimet e kësaj administrate kanë qenë “faktor kontribuues në rënien e Qeverisë së Kosovës, jo shumë kohë më parë”.

“Këto gjëra duhet të ndalen dhe unë shpresoj se administrata e zgjedhur e Joe Bidenit do t’i rikrijojë marrëdhëniet tona me Kosovën, në kushtet e saj”, theksoi Engel.

Duke folur për Serbinë, ai citoi edhe fjalët e ish-zëvëndësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee, se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige: në Rusi dhe në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka importuar tanke ruse dhe ka kryer stërvitje ushtarake me ushtrinë ruse. Departamenti amerikan i Mbrojtjes na ka thënë se lëvizja e Beogradit drejt Moskës ka ndodhur kryesisht pasi presidenti [Aleksandar] Vuçiq ka marrë pushtetin. Nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe e vendeve të Atlantikut të Veriut, ajo duhet ta heqë gardhin dhe të zgjedhë rrugën perëndimore”, tha Engel.

Albright: Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet vetos së Beogradit

Në seancën dëgjimore mori pjesë edhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila tha se qëllim i përbashkët i SHBA-së duhet të jetë “një Kosovë në Kombet e Bashkuara, pjesë e sistemit të rregullt ndërkombëtar dhe me të gjitha të drejtat e ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur territorin e saj”.

Kosova “nuk duhet t’i nënshtrohet vetos së Beogradit”, tha Albright.

Ajo tha se pret që njerëzit e rajonit të gjejnë një partner të gatshëm në administratën e ardhshme të Bidenit.

“Presidenti [i zgjedhur] ka qenë personalisht i angazhuar në Ballkan që nga koha e tij në Senat dhe ai ka qenë një nga udhëheqësit më të zëshëm në Kongres, që i ka bërë thirrje SHBA-së për t’iu dhënë fund konflikteve”, tha Albright.

Strategjia për Ballkanin, mbi tri elemente

Sipas saj, ekipi i sigurisë kombëtare, që është duke krijuar Biden, “ka dijeni të thella dhe është i përkushtuar për t’i ndihmuar të gjitha vendet në rajon për të ecur përpara si pjesë e Evropës, e cila është e plotë, e lirë dhe në paqe”.

Albright tha se vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke vuajtur shumë nga ndikimet shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Po ashtu shtoi se korrupsioni mbetet problem serioz dhe se udhëheqësit nacionalistë vazhdojnë t’i shfrytëzojnë tensionet etnike.

“Kina dhe Rusia po ushtrojnë gjithashtu ndikim të ri në rajon, me sidomos Serbinë në shënjestër të propagandës anti-perëndimore”, tha Albright, për të shtuar se mbështetja e përparimit demokratik të rajonit duhet të jetë përparësi.

“Ende, kam frikë se kjo mundësi mund të humbet. Për të siguruar se ne do ta ndihmojmë rajonin, administrata e re duhet të zhvillojë dhe zbatojë një strategji të re rajonale”.

“Unë do të sugjeroja që strategjia e tillë të ndërtohet mbi tre elemente: ne duhet të vendosim dhe mbajmë bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian. Së dyti, duhet ta luftojmë korrupsionin që po shkatërron institucionet politike dhe po minon sundimin e ligjit në të gjithë rajonin. Në çdo vend, udhëheqësit duket se e konsiderojnë zyrën politike si një burim patronazhi, për të qëndruar në pushtet. Adresimi i këtyre të ashtuquajturave kapje shtetërore dhe çrrënjosja e këtyre ndikimeve, duhet të jenë përparësi kryesore. Së treti, SHBA-ja dhe aleatët e saj në Evropë duhet të lëvizin drejt një qasjeje më rajonale”, tha Albright.

Serwer: SHBA-ja të angazhohet në dialogun Kosovë-Serbi

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer tha se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden duhet të konsultohet me evropianët dhe të paraqesë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, udhëheqja nga BE-ja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë, por në këtë proces ka nevojë që të ketë një angazhim amerikan.

Ai po ashtu shprehu nevojën e një mekanizmi mbikëqyrës për dialogut, por edhe për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara, në mënyrë që ato të kenë juridiksion edhe mbi krimet e kryera në Serbi.

“Qëllimi kryesor i SHBA-së për dialogun është njohja e ndërsjellë dhe dërgimi i ambasadorëve në shtetet përkatëse. Presidenti Biden dhe kancelarja [gjermane, Angela] Merkel duhet ta bëjnë të qartë këtë qëllim dhe t’iu bëjnë presion shteteve anëtare të BE-së që të deklarojnë se ato do ta njohin Kosovën, jo më vonë sesa Serbia. Anëtarësimi në OKB do të kërkojë që SHBA-ja të bindë Rusinë dhe Kinën që të mos vendosin veto”, tha Serwer.

Dialogu në Bruksel rinisi në korrik të këtij viti, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Takimi i korrikut u pasua nga një takim në shtator, por që atëherë, palët nuk janë takuar. Lidhur me mosmbajtjen e raundeve të reja të bisedimeve në nivelin e lartë politikë, BE-ja është arsyetuar me situatën që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit të ri.

Së fundmi, SHBA-ja ka bërë përpjekje që të ndihmojë në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në kuadër të këtyre përpjekjeve, u arrit në Uashington një marrëveshje për normalizim ekonomik mes Prishtinës dhe Beogradit.

Gjykata Speciale "nuk duhet të ndjekë vetëm një etni"

Kongresisti Engel, gjatë kësaj seance dëgjimore tha se kushdo që ka kryer krime në Kosovë duhet të mbahet përgjegjës dhe “jo të ndiqet vetëm një etni”.

Me këto komente, Engel iu referua Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, teksa foli në një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor.

“Kushdo që ka kryer krime lufte, nga cilido anë, duhet të ndiqet penalisht dhe të vihet para drejtësisë. Pikë. Por, më duhet të pyes: çfarë është drejtësia në rastin e luftës në Kosovë? Tani për tani, duket se Serbia – pala përgjegjëse për shumicën e krimeve të luftës – nuk përballet me asnjë presion në vend ose nga bashkësia ndërkombëtare për t'i sjellë para drejtësisë autorët e saj [të krimeve]”, tha Engel.

Në të njëjtën kohë, shtoi ai, “viktima në luftë, Kosova, është detyruar të krijojë një gjykatë hibride, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë”.

“Miq, nëse kjo do të ishte Danimarkë, ne do të mendonim se diçka nuk është në rregull”, tha Engel.

Ai tha se nëse kosovarët kanë kryer krime, ata duhet të mbahen përgjegjës, por në statutin e gjykatës kujtoi se nuk shkruan se duhet të ndiqet vetëm një etni.

“Por, kjo është pikërisht ajo që po ndodh”, theksoi Engel.

“E paralajmëroj fuqishëm gjykatën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë se nuk duhet të lejojmë që ajo të bëhet gjykatë etnike, sepse nëse lejojmë, ne vetëm se i mbajmë gjallë problemet që kanë shkaktuar vështirësi, konflikte dhe përçarje në rajon”, tha Engel.

Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte kundër disa ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

Engel tha se gjykata ka juridiksion “mbi të gjitha krimet e luftës, të kryera në Kosovë, pa marrë parasysh se cila palë i ka kryer ato”.

Sipas tij, kjo gjykatë është pjesë edhe e mënyrës se si SHBA-ja i qaset Kosovës.

“Ne e shohim atë vetëm pjesërisht si shtet të pavarur, jo si një partner të vërtetë sovran, jo si një vend të rregullt, me të cilin kemi marrëdhënie normale dypalëshe. Shumë shpesh, SHBA-ja i moderon marrëdhëniet e saj dypalëshe në atë masë saqë i kufizon zgjedhjet sovrane të Kosovës, për të shmangur zemërimin e Beogradit”, tha Engel.

Ai kujtoi se SHBA-ja ka kërkuar nga Kosova që të mos e bazojë tregtinë e saj me Serbinë në parime të reciprocitetit, që, sipas tij, janë themele të ligjit ndërkombëtar të tregtisë.

“Ne, madje, kemi vendosur frena në ushtrinë e vogël mbrojtëse të Kosovës”, tha Engel.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, apo siç njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG