Ndërlidhjet

Familjarët turq trokasin edhe te Gjykata Kushtetuese


Familjarët e të dëbuarve turq duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Familjet e gjashtë shtetasve turq, të cilët më 29 mars të këtij viti u dëbuan nga autoritetet e Kosovës për në Turqi, janë duke përgatitur dosje për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Urim Vokshi, avokati i njërës prej gjashtë familjeve të shtetasve turq, duke shtuar se dosja ka të bëjë më shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kushtetuese me rastin e largimit me forcë të këtyre personave.

“Një periudhë kohore nuk mund të jap saktësisht, por jemi brenda afatit ligjor. Periudha për ngritje të çështjes në Gjykatën Kushtetuese është katër muaj nga ndodhja e rastit, kemi kohë edhe dy muaj”.

“Jemi duke përgatitur në mënyrë të detajuar dosjen, nuk jemi duke shpejtuar në atë aspekt sepse dëshirojmë që të gjitha faktet dhe argumentet t’i paraqesim sa më qartë”, tha Vokshi.

Familjarët e shtetasve turq të dëbuar nga Kosova, muajin e kaluar kanë ngritur edhe padi kundër institucioneve përgjegjëse ndaj vendimit për urdhër- largimin e tyre me forcë dhe për revokimin e leje-qëndrimit të gjashtë shtetasve turq.

Familjarët e turqve të dëbuar kërkojnë azil në Kosovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:07:57 0:00

Padinë e familjarëve të gjashtë shtetasve turq ndaj Qeverisë së Kosovës ditë më parë e kishte konfirmuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës “ka filluar një hetim të brendshëm”, lidhur me këtë çështje.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq ka nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.

Dyshimet e ngritura se janë shkelur standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, kanë shtyrë edhe Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari që të nisë hetimet lidhur me këtë rast të deportimit.

Në një raport më rekomandime të publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit drejtuar institucioneve kompetente në vend, janë gjetur shkelje të të drejtave të njeriut, tha për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Sipas tij, në bazë të të gjeturave gjatë hetimeve shtetasit turq nuk janë dëbuar, por janë ekstraduar nga Kosova.

“Ne kemi konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut, dhe atë shkelje të disa standardeve ndërkombëtare që janë të drejta absolute, të cilat nuk mund të hiqen as në rrethana të jashtëzakonshme, as në rrethana lufte. Do të thotë aq të rëndësishme janë këto dispozita edhe të Kushtetutës edhe të ligjeve, që ne konsiderojmë se janë shkelur në këtë situatë”.

“Dhe e dyta, që është e rëndësishme, ka të bëjë me terminologjinë që është përdorur që nga fillimi kur këta persona janë dëbuar, siç thonë institucionet publike, përderisa në analizën tonë që kemi bërë, rasti del se nuk ka të bëjë me dëbimin si institucion juridik, por në fakt kemi të bëjmë më ekstradim. Analiza ligjore neve na ka bindur se kemi të bëjmë një ekstradim klasik”, tha Jashari.

Kosova të japë llogari
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:13:56 0:00

Edhe Kuvendi i Kosovës më 17 prill pati miratuar një rezolutë për themelimin e një Komisioni hetimor lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Por, ky komision nuk është formuar.

Pesë prej shtetasve turq të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Ankaraja i ngarkon ata me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë, nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.

Në ditën e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova, jo vetëm deputetët, por edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin njohuri rreth këtij rasti.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG