Ndërlidhjet

Rreth 350 persona të deportuar dhe ekstraduar nga Kosova


Nxënësit e kolegjit Mehmet Akif, kanë protestuar kundër dëbimit të mësuesve të tyre. Pesë nga gjashtë të dëbuarit nga Kosova, ishin punëtorë të këtij institucioni arsimor. Prishtinë, 29 mars, 2018
Nxënësit e kolegjit Mehmet Akif, kanë protestuar kundër dëbimit të mësuesve të tyre. Pesë nga gjashtë të dëbuarit nga Kosova, ishin punëtorë të këtij institucioni arsimor. Prishtinë, 29 mars, 2018

Rreth 350 persona janë deportuar dhe ekstraduar nga territori i Kosovës për në shtetet e ndryshme botërore që nga viti 2017 e deri më tash, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Autoritetet kompetente në Kosovë vitin e kaluar kanë ekstraduar 44 persona nga Republika e Kosovës për në shtetet tjera apo anasjelltas. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, nga 44 personat, 25 ishin ekstradime nga shtetet tjera për në Kosovë, kurse 15 persona janë ekstraduar nga territori i Kosovës për në vendet tjera.

Familjarët e turqve të dëbuar kërkojnë azil në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:57 0:00

Aktualisht, janë edhe dy raste të ekstradimit nga Kosova në shtete tjera, tha ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ndërkaq, 4 ekstradime kanë qenë transit, ku Ministria e Drejtësisë ka dhënë leje për shfrytëzimin e territorit të Republikës së Kosovës.

“Ka pasur raste të ndryshme të ekstradimit, duke filluar nga vrasjet, vjedhje të rëndë, trafikim të qenieve njerëzore, trafikim të narkotikëve. Tashme unë kam nënshkruar edhe dy ekstradime të shtetasve të huaj që kanë qenë në Kosovë dhe janë kërkuar nga vendet e tyre”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë

Në një përgjigjeje nga kjo ministri thuhet se numri më i madh i ekstradimeve është realizuar me shtete si, Gjermania, Zvicra, Belgjika, Austria, Italia, Hungaria, Mal i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe kështu me radhë.

Ekstradimi

Ekstradimi realizohet kur një person kryen një vepër penale në një shtet të caktuar dhe gjatë procedurës penale, apo pas caktimit të dënimit, largohet në një shtet tjetër me qëllim shmangien e dënimit.

Në këtë rast shteti ku gjendet i kërkuari ia dorëzon personin shtetit kërkues ku ai ka kryer veprën penale.

Kjo çështje në Kosovë rregullohet në bazë të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2011.

Sipas këtij ligji, “personi mund të ekstradohet me qëllim të ndjekjes penale apo ekzekutimit të dënimit. Procedura për ekstradimin e personit iniciohet vetëm mbi bazën e lutjes më shkrim të shtetit kërkues drejtuar Ministrisë".

Në anën tjetër, organizata që merren më të drejtat e njeriut në Kosovë, theksojnë se autoritetet kompetente në Kosovë në të gjitha rastet kanë përfillur procedurat ligjore për zbatimin e ekstradimit dhe largimit të personave që bien ndesh më ligjin.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, (KMLDNJ) thotë për Radion Evropa e Lirë se deri tek depërtimi i gjashtë shtetasve turq, autoritetet e Kosovës kanë respektuar bazën ligjore për ekstradim dhe deportim.

“Ata të cilët e kanë marrë vendimin për ekstradim i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e kundërshtimit dhe kur kanë shterur mundësitë ligjore janë ekstraduar. Ekstradimi është një dukuri që në Kosovë ndodh shpesh, mirëpo kalon në heshtje sepse nuk prodhon ndonjë efekt. Ata ekstradohen pasi dikush ka bërë krime, dikush ndonjë vepër tjetër penale. Kjo është krejt normale”, thotë Shala.

Deportimi

Një formë tjetër e dëbimit të shtetasve të huaj, është edhe deportimi. Rreth 320 është numri i shtetasve të huaj që janë deportuar prej vitit 2017 e deri më tash nga Kosova në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.

Deportimet realizohen në dy forma, në bazë të vendimit të Gjykatës dhe urdhër-largimet me forcë që nxirren dhe ekzekutohen nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, që funksionin në kuadër të Ministrisë se Punëve të Brendshme, ka thënë zëvendësministri i kësaj ministrie, Izmi Zeka.

“Sa i përket urdhër-largimeve me vendim Gjykate, kjo nënkupton që këta shtetas të huaj u janë nënshtruar një procedure gjyqësore, domethënë, kanë qenë të akuzuar/dënuar për vepra të ndryshme penale dhe deportimi si masë është ekzekutuar nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj me kërkesë të Gjykatës”.

“Urdhër-largimet me forcë nxirren dhe ekzekutohen nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj. Këto vendime lëshohen kundër shtetasve të huaj në përputhje me Ligjin për të huaj”, theksoi Zeka.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha për Radion Evropa e Lirë më së shumti deportime nga Kosova për në vende tjera janë realizuar për në Shqipëri, Turqi dhe Serbi.

Sipas të dhënave të Ministrisë Punëve të Brendshme, në vitin 2017, me vendim të gjykatës janë ekzekutuar 15 deportime, kurse 246 janë realizuar me forcë.

Nga Kosova për në Shqipëri, prej vitit të kaluar e deri në këtë muaj, janë larguar 264 persona, në Turqi 15, në Maqedoni 6 persona, 5 në Serbi kurse më pak se 5 persona janë deportuar për në Bullgari, Kolumbi, Filipine, Bosnje Hercegovine, Tunizi dhe Pakistan.

"Janë vepra të ndryshme penale që kanë bërë në Kosovë. Do të thotë ata që janë dëbuar më vendim të Gjykatës është numër më i vogël”.

“Arsye kryesore e shumicës së këtyre urdhër-largimeve me force, si për vitin 2017 ashtu edhe për vitin 2018, është se këta persona janë hasur duke qëndruar ilegalisht në territorin e Kosovës, që do të thotë janë në kundërshtim me Ligjin për të huaj”, tha Zeka.

Deportimi i shtetasve turq

Në muajin mars autoritetet e sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me inteligjencën turke, kanë arrestuar dhe më pas kanë deportuar nga Kosova për në Turqi gjashtë persona, pesë prej të cilëve punonin në institucionet arsimore në Kosovë dhe njëri në ato shëndetësore.

Arsyetimi i autoriteteve të sigurisë në Kosovë për largimin e gjashtë shtetasve turq, ka qenë se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Nxënësit e kolegjit Mehmet Akif, kanë protestuar kundër dëbimit të mësuesve të tyre. Prishtinë, 29 mars, 2018
Nxënësit e kolegjit Mehmet Akif, kanë protestuar kundër dëbimit të mësuesve të tyre. Prishtinë, 29 mars, 2018

Ky veprim kishte nxitur reagimet e krerëve më të lartë të shtetit, por edhe faktorit ndërkombëtar në Kosovë.

Behxhet Shala nga KMLDNJ, thekson se autoritetet kompetente në këtë rast kanë shkelur të gjitha normat ligjore duke bërë shkelje të të drejtave të njeriut.

“Në rastin e ‘gylenistëve’ nuk ka qenë as ekstradim as deportim, por ka qenë kidnapim i njerëzve, abuzim i skajshëm edhe me ligjin edhe me të drejtat e njeriut dhe të gjitha normat ligjore, morale, njerëzore etj".

"Atyre nuk iu ka dhënë mundësia që të shfrytëzojnë asnjë të drejtë ligjore për të kundërshtuar deportimin eventual dhe për këtë arsye ne kemi reaguar dhe do të reagojmë”, tha Shala.

Riatdhesimi

Edhe riatdhesimi paraqet një formë të pranimit të shtetasve ngarendet tjera, duke i akomoduar ata sërish me vendin amë.

Nga viti i kaluar e deri më tani, nga shtete tjera në Kosovë janë riatdhesuar rreth 5.000 persona në mënyrë vullnetare apo të detyruar. Vetëm gjatë këtij viti janë riatdhesuar 450 persona.

XS
SM
MD
LG