Kapaciteti ynë ushtarak mbetet i paprekur, thotë ministri i Jashtëm iranian
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për ABC News se Irani ka humbur disa komandantë, por se në kapacitetin e tij ushtarak “nuk ka ndryshuar asgjë”.
“Kjo është pikërisht ajo që ndodhi edhe herën e kaluar”, tha ai, duke iu referuar sulmeve izraelite dhe amerikane në qershor të vitit të kaluar.
“Ata vranë disa nga komandantët tanë më të lartë, por ata u zëvendësuan shumë shpejt dhe brenda më pak se 12 orësh ishim në gjendje të nisnim hakmarrjen”, tha Araghchi.
“Këtë herë ishte edhe më shpejt”, shtoi ai.
Disa figura të larta të regjimit iranian u vranë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit të shtunën, përfshirë liderin suprem, Ali Khamenei, komandantin e forcave tokësore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, gjeneral Mohammad Pakpour, si dhe këshilltarin e lartë për siguri, Ali Shamkhani.
Trump thotë se SHBA-ja shkatërroi nëntë anije të marinës iraniane
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja ka shkatërruar nëntë anije të marinës iraniane dhe se ka shkatërruar pjesërisht selinë kryesore të marinës së Iranit.
“Sapo më njoftuan se kemi shkatërruar dhe fundosur 9 anije të marinës iraniane - disa prej tyre mjaft të mëdha dhe të rëndësishme. Po shkojmë edhe pas të tjerave - ato së shpejti do të jenë në fund të detit, gjithashtu. Në një sulm tjetër, shkatërruam pjesërisht edhe selinë kryesore të marinës së tyre”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Von der Leyen bën thirrje për “tranzicion të vërtetë” në Iran
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se rreziku i përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme është “real”, ndaj “tranzicioni i vërtetë” në Iran është urgjentisht i nevojshëm.
Ajo i bëri komentet në rrjetin social X, pas një bisede telefonike me Sheikun e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani.
Liderja e BE-së nuk përmendi Izraelin apo Shtetet e Bashkuara në mesazhin e saj, por tha se ajo dhe Sheiku Hamad kanë diskutuar për “pasojat e sulmeve të pamatura të Iranit” ndaj Katarit.
Të dielën në mëngjes u raportua për disa shpërthime në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Sipas von der Leyenit, tranzicioni i vërtetë “duhet të nënkuptojë ndalimin e programeve ushtarake bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit, si dhe përfundimin e veprimeve destabilizuese në ajër, tokë dhe det”.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që çdo ndryshim të reflektojë “shpresat demokratike të popullit të guximshëm të Iranit”.
Pas Khameneit, pasiguri për pasardhësin e tij
Njeriu që do ta pasojë Ali Khamenein si udhëheqës suprem i Iranit, do ta marrë drejtimin e shtetit në kohën kur zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për rrëzimin e Qeverisë teokratike, që ka sunduar Iranin që nga viti 1979.