Ndërlidhjet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Trump: Do të vazhdojmë me “forcë të plotë” në Iran derisa t'i arrijmë objektivat

• Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra të shtunën në zyrën e tij nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

• Izraeli tha të dielën se po i vazhdon sulmet kundër shënjestrave të regjimit “në zemër të Teheranit”, ndërsa Irani po kryen sulme në shtetet e Gjirit Arab.

• Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se tre ushtarë amerikanë janë vrarë në luftime dhe pesë të tjerë janë plagosur në operacionin Tërbimi Epik (Epic Fury) në Iran.

19:54 1.3.2026

Trump: Irani dëshiron të bisedojë pas sulmeve ajrore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i tha revistës The Atlantic se udhëheqësit iranianë që dolën në skenë pas sulmeve ajrore, në të cilat u vranë disa zyrtarë të lartë, duan të zhvillojnë bisedime me SHBA-në.

“Dëshirojnë të bisedojnë, dhe unë kam pranuar të bisedoj, kështu që do të flas me ta. Këtë është dashur ta bëjnë më herët, është dashur të marrin masa shumë praktike dhe të lehta më parë, por kanë pritur shumë gjatë”, tha Trump nga rezidenca e tij në Floridë.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.
19:31 1.3.2026

Kapaciteti ynë ushtarak mbetet i paprekur, thotë ministri i Jashtëm iranian

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për ABC News se Irani ka humbur disa komandantë, por se në kapacitetin e tij ushtarak “nuk ka ndryshuar asgjë”.

“Kjo është pikërisht ajo që ndodhi edhe herën e kaluar”, tha ai, duke iu referuar sulmeve izraelite dhe amerikane në qershor të vitit të kaluar.

“Ata vranë disa nga komandantët tanë më të lartë, por ata u zëvendësuan shumë shpejt dhe brenda më pak se 12 orësh ishim në gjendje të nisnim hakmarrjen”, tha Araghchi.

“Këtë herë ishte edhe më shpejt”, shtoi ai.

Disa figura të larta të regjimit iranian u vranë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit të shtunën, përfshirë liderin suprem, Ali Khamenei, komandantin e forcave tokësore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, gjeneral Mohammad Pakpour, si dhe këshilltarin e lartë për siguri, Ali Shamkhani.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.



19:10 1.3.2026

Trump thotë se SHBA-ja shkatërroi nëntë anije të marinës iraniane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja ka shkatërruar nëntë anije të marinës iraniane dhe se ka shkatërruar pjesërisht selinë kryesore të marinës së Iranit.

“Sapo më njoftuan se kemi shkatërruar dhe fundosur 9 anije të marinës iraniane - disa prej tyre mjaft të mëdha dhe të rëndësishme. Po shkojmë edhe pas të tjerave - ato së shpejti do të jenë në fund të detit, gjithashtu. Në një sulm tjetër, shkatërruam pjesërisht edhe selinë kryesore të marinës së tyre”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

18:36 1.3.2026

Von der Leyen bën thirrje për “tranzicion të vërtetë” në Iran

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se rreziku i përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme është “real”, ndaj “tranzicioni i vërtetë” në Iran është urgjentisht i nevojshëm.

Ajo i bëri komentet në rrjetin social X, pas një bisede telefonike me Sheikun e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani.

Liderja e BE-së nuk përmendi Izraelin apo Shtetet e Bashkuara në mesazhin e saj, por tha se ajo dhe Sheiku Hamad kanë diskutuar për “pasojat e sulmeve të pamatura të Iranit” ndaj Katarit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Të dielën në mëngjes u raportua për disa shpërthime në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Sipas von der Leyenit, tranzicioni i vërtetë “duhet të nënkuptojë ndalimin e programeve ushtarake bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit, si dhe përfundimin e veprimeve destabilizuese në ajër, tokë dhe det”.

Ajo gjithashtu bëri thirrje që çdo ndryshim të reflektojë “shpresat demokratike të popullit të guximshëm të Iranit”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG