Udhëheqësi i ri suprem mund të zgjidhet "brenda një ose dy ditësh"
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha në një intervistë për rrjetin Al Jazeera se, pas vdekjes së Ali Khameneit, udhëheqës i ri suprem mund të zgjidhet “brenda një ose dy ditësh”.
Kjo vjen pasi Teherani caktoi një udhëheqje të përkohshme, për të cilën Araghchi tha se “do të veprojë si përgjegjëse derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri”.
Ai shtoi se sulmet e Iranit janë “një akt vetëmbrojtjeje dhe hakmarrjeje ndaj agresionit amerikan kundër nesh”.
Ambasada amerikane paralajmëron për rrezik në Irak
Ambasada e SHBA-së në Bagdad lëshoi një paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë, duke i këshilluar ata “të tregojnë kujdes të shtuar, të mbajnë profil të ulët, t'i kufizojnë lëvizjet e tyre dhe të qëndrojnë të strehuar në vend, sipas nevojës”.
“Raportimet për raketa, dronë ose predha në hapësirën ajrore të Irakut vazhdojnë”, thuhet në paralajmërim.
Tre ushtarë amerikanë të vrarë në operacionin në Iran
Tre pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane janë vrarë në luftime dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë në operacionin Tërbimi Epik (Epic Fury) në Iran, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së.
Viktimat u konfirmuan në orën 9:30 të mëngjesit, sipas kohës lindore të SHBA-së, më 1 mars.
Sipas njoftimit, disa pjesëtarë të tjerë kanë pësuar plagë më të lehta nga copëzat shpërthyese dhe, aktualisht, po vlerësohet rikthimi i tyre në detyrë.
“Situata është dinamike”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore të SHBA-së.
Nga respekti për familjet, vijon deklarata, identitetet e ushtarëve të vrarë nuk do të publikohen deri 24 orë pasi të jenë njoftuar familjarët më të afërt.
Operacione të mëdha luftarake janë në vazhdim e sipër, thuhet po ashtu në njoftim.
Detaje të tjera tash për tash nuk ka.
Dronët iranianë godasin bazën detare në Abu Dabi
Një sulm me dronë nga Irani ndaj bazës detare Al Salam në Abu Dabi shkaktoi zjarr, por pa viktima, tha Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Irani vazhdon të sulmojë rajonin në ditën e dytë me radhë, pas një vale fillestare sulmesh nga SHBA-ja dhe Izraeli.