Trump thotë se SHBA-ja shkatërroi nëntë anije të marinës iraniane
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja ka shkatërruar nëntë anije të marinës iraniane dhe se ka shkatërruar pjesërisht selinë kryesore të marinës së Iranit.
“Sapo më njoftuan se kemi shkatërruar dhe fundosur 9 anije të marinës iraniane - disa prej tyre mjaft të mëdha dhe të rëndësishme. Po shkojmë edhe pas të tjerave - ato së shpejti do të jenë në fund të detit, gjithashtu. Në një sulm tjetër, shkatërruam pjesërisht edhe selinë kryesore të marinës së tyre”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Kapaciteti ynë ushtarak mbetet i paprekur, thotë ministri i Jashtëm iranian
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për ABC News se Irani ka humbur disa komandantë, por se në kapacitetin e tij ushtarak “nuk ka ndryshuar asgjë”.
“Kjo është pikërisht ajo që ndodhi edhe herën e kaluar”, tha ai, duke iu referuar sulmeve izraelite dhe amerikane në qershor të vitit të kaluar.
“Ata vranë disa nga komandantët tanë më të lartë, por ata u zëvendësuan shumë shpejt dhe brenda më pak se 12 orësh ishim në gjendje të nisnim hakmarrjen”, tha Araghchi.
“Këtë herë ishte edhe më shpejt”, shtoi ai.
Disa figura të larta të regjimit iranian u vranë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit të shtunën, përfshirë liderin suprem, Ali Khamenei, komandantin e forcave tokësore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, gjeneral Mohammad Pakpour, si dhe këshilltarin e lartë për siguri, Ali Shamkhani.
Trump: Irani dëshiron të bisedojë pas sulmeve ajrore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i tha revistës The Atlantic se udhëheqësit iranianë që dolën në skenë pas sulmeve ajrore, në të cilat u vranë disa zyrtarë të lartë, duan të zhvillojnë bisedime me SHBA-në.
“Dëshirojnë të bisedojnë, dhe unë kam pranuar të bisedoj, kështu që do të flas me ta. Këtë është dashur ta bëjnë më herët, është dashur të marrin masa shumë praktike dhe të lehta më parë, por kanë pritur shumë gjatë”, tha Trump nga rezidenca e tij në Floridë.
Si duket një bazë e sulmuar raketash në Iran?
Imazhet satelitore nga Planet Labs PBC tregojnë dëmet e shkaktuara në një bazë iraniane raketash në qytetin veriperëndimor të Tabrizit. Baza u godit më 28 shkurt, gjatë sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.