Ndërlidhjet

Edhe diaspora është prekur nga kriza e koronavirusit


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Në llogarinë e fondeve për menaxhimin e situatës së pandemisë së koronavirusit, e të cilën e në emër të Republikës së Kosovës, më 3 prill e ka hapur Thesari i Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, deri më 21 prill janë tubuar mbi 480 mijë euro, konfirmojnë zyrtarët e kësaj ministrie.

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e të hyrave në këtë fond janë donacione të dhuruara nga mërgimtarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë në vendet e huaja.

“Deri në datën që po flasim (21 prill) kemi pranuar mbi 481 mijë euro në këtë llogari të dedikuar, prej të cilave shuma dominante është nga jashtë vendit. Pra, 447 mijë e 500 euro janë të pranuara nga bota e jashtme. Deri më tash janë rreth 1,300 transaksione, në numër, që kanë ardhur nga bota e jashtme, të cilat prihen nga Zvicra, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Shtete e Bashkuara të Amerikës. Kjo është struktura deri në datën e sotme”, tha Ismaili.

Ai shtoi që mjetet financiare dërgohen në llogarinë e dedikuar përmes transaksioneve bankare dhe vetëm përmes llogarisë.

Fondi me donacione nga diaspora, nuk mund të tjetërsohet

Ismaili thekson që siguria e këtij fondi është e plotë dhe mjetet e grumbulluara mbahen në Bankën Qendrore. Kjo e fundit, sipas tij, ka vendosur që asnjë tarifë bankare nuk do të aplikohet në këtë llogari, që nënkupton që të gjitha pagesat që arrijnë në këtë llogari si transfere ndërkombëtare, nuk do të kenë asnjë kosto shtesë në Kosovë.

Sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, mjetet të cilat hynë në llogarinë e Thesarit të Kosovës, konsiderohen para publike.

Por, Ismaili shpjegon që marrë parasysh që këto mjete janë dedikuar ekskluzivisht për luftën kudër koronavirusit, për të cilin qëllim edhe është krijuar llogaria, atëherë po këto mjete mund të përdoren dhe do të përdoren vetëm për qëllimin e definuar dhe monitorimi i mjeteve është i veçantë.

“Pra, për dallim prej fondeve tjera të grantit qeveritar, siç e quajmë ne, për këto mjete, qëllimi i përdorimit të tyre përcaktohet nga vet donatori, marrë parasysh që ky është një grant që jepet njëanshëm nga donatori”.

“Pra, Ministria e Financave, konkretisht Thesari, mjetet të cilat grumbullohen ka të drejtë t’i alokjë, përkatësisht, t’i vë në dispozicion te institucioni ose organizata, për shembull, në këtë rast, te Ministria e Shëndetësisë dhe ato mund të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin janë dhënë. Pra, mund të përdoren vetëm për zbatimin e masave për COVID-19. Ndryshe, devijimi ose ndryshimi i destinacionit nuk është i mundur në mënyrë të njëanshme, pa pëlqimin me shkrim nga vet donatori”, sqaroi Ismaili.

Pse ngurojnë dhuruesit potencialë nga diaspora?

Megjithatë, shuma e mjeteve financiare, të cilat janë dërguar deri më tash nga mërgimtarët me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, në llogarinë e hapur nga Thesari i Kosovës, për menaxhimin me situatën e pandemisë së koronavirusit, sipas organizatës joqeveritare 'Germin', që merret me organizmin e diasporës, nuk paraqet fuqinë financiare të diasporës.

Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në këtë organizate, thotë për Radion Evropa e Lirë që ka mjaft mërgimtarë që hezitojnë të dhurojnë donacione në këtë kohë. Sipas tij, ky hezitim nuk është vetëm për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila tashmë ka përmasa globale dhe i ka krijuar edhe efekte negative financiare, por edhe për shkak se në Kosovë aktualisht ekziston një krizë institucionale dhe politike.

“Kjo ka krijuar një lloj paqartësie dhe hezitimi edhe te diaspora që të dhurojë në këtë kohë mjete në një fond qeveritar. Natyrisht, kjo nuk e paraqet fuqinë e diasporës. Por, përveç faktit që është prekur edhe diaspora nga kjo krizë, ekziston edhe hezitimi për të dhuruar në një fond qeveritar në këtë kohë të krizës politike, përveç krizës së shkaktuar prej pandemisë”, tha Krasniqi.

Ai më tutje, ka shtuar që hezitimi kryesisht ka të bëjë me pasigurinë e dhuruesve potencialë për atë se çfarë mund të ndodhë me mjetet financiare në rast se eventualisht ndërrohet qeveria aktuale, e cila është në detyrë.

“Pikërisht për këtë shkak, sepse nuk është e qartë se sa afatgjate do të jetë qeveria në detyrë. Ne, në kontaktet që i kemi pasur të vazhdueshme, shumë njerëz hezitojnë të dhurojnë me arsyetimin se nuk e dinë se sa gjatë mund të qëndrojë në detyrë kjo qeveri dhe kanë frikë se këto mjete mund t’i përdorë një qeveri tjetër, për të cilën ata nuk e dinë se si do të duket. Prandaj, në këtë drejtim, është paksa edhe hezituese qasja e diasporës përballë këtij fondi”, tha Krasniqi.

Siç ka theksuar ai, në rast se Kosova në këtë kohë do të kishte qeveri stabile, me pushtet të plotë dhe jo në detyrë, gatishmëria e diasporës për të dhuruar mjete financiare në fondin e qeverisë për luftë kundër koronavirusit, do të ishte shumë më e madhe. Megjithatë, ai ka shprehur mendimin që edhe nëse situata politike në vend do të ishte stabile, përsëri diaspora nuk do të mund ta ofronte potencialin e vet të plotë të ndihmës për shkak të krizës, e cila sipas tij i ka prekur edhe ata ashtu sikurse gjithë botën.

Organizata joqeveritare “Germin” në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovë dhe me rrjetin e bizneseve të shqiptarëve në Gjermani “Besa”, ka zhvilluar një fushatë për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar familjet në nevojë në komunat më të prekura të Kosovës gjatë pandemisë së koronavirusit. Pakot e ndihmave kanë qenë me produkte të prodhuesve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG