Ndërlidhjet

Fillon fushata zgjedhore për kryetarët e komunave veriore


Mitrovica e veriut

Subjektet politike të cilat janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe, kanë nisur edhe zyrtarisht fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit në katër komunat në veri të Kosovës.

Gjatë pesë ditëve rresht, kandidatët e tri subjekteve politike për kryetar, do të shpalosin programet e tyre për mandatin e mbetur dyvjeçar në komunat, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha për Radion Evropa e Lirë, se sa i takon punës së KQZ-së, të gjitha përgatitjet janë duke shkuar sipas planit.

"Organizimi i këtij procesi ka shkuar në bazë të planifikimeve të parapara nga ana e KQZ-së dhe nuk ka pasur ndonjë problem apo ndonjë vonesë për organizimin e këtyre zgjedhjeve", tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit do të hapen 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.

Zëdhënësi Elezi, tha sa i takon vëzhgimit të zgjedhjeve, në ditët në vijim do të bëhet akreditimi i vëzhguesve të partive politike dhe përfaqësueseve të organizatave joqeveritare.

"Vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor pasi që ne konsiderojmë se do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në një proces zgjedhor", u shpreh Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto komuna.

Kjo listë votuese përmban 57 mijë e 983 emra të votuesve, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. Lista votuese bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil, i cili përpilohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil.

Demokracia në Veprim, rrjet i organizatave joqeveritare, siç kanë deklaruar përfaqësuesit e tyre, do të vëzhgojë procesin zgjedhor në katër komuna me mbi 100 vëzhgues. Ky koalicion ka ftuar të gjitha subjektet politike të përfshira në proces që të zhvillojnë një garë fer dhe të lirë zgjedhore.

Po ashtu, ka ftuar edhe qytetarët me të drejtë vote, që të përfshihen në aktivitetet e fushatës parazgjedhore, në mënyrë që të jenë sa më të informuar për premtimet dhe programet e kandidatëve për kryetarë të komunave.

Edhe zyrtarët e OSBE-së, më herët me anë të një deklarate për media, kanë konfirmuar se në ditën e votimit do të kenë rol mbështetës.

"Siç e dini, Komisioni Qendror Zgjedhor i ka kërkuar OSBE-së të ofrojë mbështetje në mbajtjen e zgjedhjeve më datë 19 maj në katër komuna në veri të Kosovës. Misioni do të ketë personel të vendosur në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që të ofrojë këshilla teknike dhe asistime gjatë procesit të votimit”, është thënë në një deklaratë të OSBE-së.

Nga ana tjetër, autoritetet e rendit, thonë se me 19 maj, por edhe gjatë fushatës parazgjedhore, policia e Kosovës do të punojë në me urdhër operacional me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të rregullt dhe të qetë të zgjedhjeve.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se policia ka nisur me zbatimin e një plani i cili, siç tha ai, përfshin fazat e fushatës parazgjedhor, ditën e zgjedhjeve dhe atë të pas procesit të votimit.

“Siguria është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës për të cilin jemi angazhuar në kuadër të planit operativ deri në përfundimin dhe rikthimin e materialit të ndjeshëm në qendrat e numërimit të votave. Kështu që, deri tani nuk kemi asnjë informacion të mundësisë të cenimit apo përkeqësimit të sigurisë së përgjithshme sa i takon rajonit të Mitrovicës në veri", tha Hoti.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia.

Në deklaratën e përbashkët, ish-kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, i Leposaviqit, Zoran Todiq, dhe i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, kanë thënë se me këtë taksë, "serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, shërim dhe mbijetesë".

Më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

XS
SM
MD
LG