Ndërlidhjet

Gjeneratat fatkeqe 


Një murale e artit të rrugës në Prishtinë - Foto nga arkivi.
Një murale e artit të rrugës në Prishtinë - Foto nga arkivi.

Pandemia e koronavirusit ia ndryshoi shumë gjëra Gresa Morinës, e cila ka diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në Kosovë. Ajo thotë se pandemia ka ndikuar negativisht në shumë drejtime për planet e saj, si në aspektin e studimeve, po ashtu edhe në atë të punësimit.

Në kohën kur ka nisur pandemia, Gresa ka qenë duke kryer punë praktike në një nga qytetet e shtetit të Gjermanisë. Ajo atje pas një kohe të shkurtër, kishte planifikuar të vazhdojë një punë të rregullt e afatgjatë, në Berlin, por pandemia ka detyruar atë që të kthehet në Kosovë.

"Pas gjashtë muajsh sa e kisha praktikën, normal që kemi biseduar me [punëdhënësin] që të vazhdohet puna, kontrata. Por, nuk ka qenë e mundshme. Po ashtu edhe punë të tjera që kam pasur t'i bëj nuk kam arritur", thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

Pas kthimit në Kosovë, Gresa ka përfunduar temën e diplomës, por edhe gjatë kësaj periudhe ajo ka pasur vështirësi për ta kryer hulumtimin e saj rreth temës për shkak të infektimit me koronavirus. Pandemia, thotë Morina, i ka ulur edhe ambiciet e saj për të kërkuar gjëra të reja.

"Planet siç i kam pasur nuk kam për t’i arritur për shkak të pandemisë, por duhet të gjenden mënyra të tjera për t'i arritur ato", shprehet ajo.

Gresa thekson po ashtu se pandemia, por edhe angazhimet për përfundimin e studimeve dhe diplomimin, e kishin rënduar edhe në aspektin psikologjik.

"Normal që [edhe në aspektin psikologjik] ka ndikuar kjo gjendja e pandemisë, sidomos kur je duke punuar në një temë diplome dhe që ishte hulumtim, ku ke pasur nevojë të dalësh e të takosh njerëzit. Po në fund fare kam pasur një thyerje të madhe sa që më është dashur kohë deri sa të rimarr veten", tha ajo.

Para një jave, Gresa ka gjetur një vend pune, por për shkak të pandemisë, ajo nuk di saktë se sa kohë mund të punojë aty.

"Kam një kontratë për tre muaj e mandej shohim, se për shkak të pandemisë nuk ka plane të qëndrueshme", deklaroi Morina.

Mungesa e arritjes së rezultateve në arsimim

Pandemia, ka prekur dhe ka dëmtuar disa sektor, siç është ekonomia, por mbi të gjitha edhe sistemin arsimor.

Eksperti i çështjeve arsimore në Kosovë, Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, tha për Radion Evropa e Lirë, se pasojat nga COVID-19, do të jenë shumë të mëdha dhe të pariparueshme në sistemin arsimor.

Ai thotë se nëse autoritetet kompetente nuk bëjnë një analizë të duhur dhe një vlerësim të saktë të asaj çka është realizuar, pasojat nga pandemia në sistemin arsimor do të jenë të mëdha.

Hyseni thotë se deri tash nuk ka pasur asnjë vlerësim profesional për ndikimin e COVID-19 në organizimin e mësimit.

"Është mëse urgjente që tani Ministria e re të shkojë drejt një vlerësimi dhe një ekspertize profesionale të saktë në secilën shkollë. Të bëhet një vlerësim kush ka qenë i përfshirë në mësimdhënie në distancë, kush nuk ka qenë i përfshirë edhe të hartohet një program korrektues për t'i mënjanuar dëmet. Nëse kjo nuk ndodh, pasojat do të jenë fatale në radhë të parë për gjeneratat të cilat kanë kaluar në këtë proces, por edhe për Kosovën", tha ai.

Hyseni shtoi se sistemi arsimor në të gjitha nivelet është dëmtuar në masë të madhe.

"Pa një diagnostikim të saktë kjo gjendje nuk sanohet. Ndërsa, pa sanimin e kësaj gjendjeje arsimi i Kosovës nuk mund të dalë nga ky kolaps", tha ai.

Ndikimi i pandemisë në sistemin arsimor, thotë Halimi, do të ketë padyshim pasoja për gjeneratat e reja në të ardhmen.

"Gjeneratat [e kësaj] kohe do të jenë fatkeqe, do të jenë të palumtura. Nuk do të mund të integrohen në shoqëri. Do të jenë analfabetë funksionalë, edhe jo vetëm këta do të kenë pasoja, por do t'i kenë pasojat edhe gjeneratat pas tyre. Me dekada do të ndihen pasojat e kësaj gjendjeje", tha Hyseni.

Pasojat dhe ndikimi i pandemisë në aspektin psikologjik

Havushe Spahiu, psikologe klinike, tha për Radion Evropa e Lirë që pasojat te gjenerata e reja dhe jo vetëm, në aspektin mendor, mund të jenë shumë të mëdha, sidomos nëse nuk trajtohen me kohë.

"Problemi kryesor ka qenë izolimi në shtëpi. Do të thotë mosangazhimi i tyre që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në shkolla apo fakultete dhe ka qenë gjithçka demotivim për ta. Kryesisht kjo situatë ka ndikuar te të rinjtë, ka pasur një panik tek ata. Pasojat mund të jenë shumë të mëdha dhe nëse në disa raste nuk trajtohen me kohë, atëherë do te kenë depresion madhor, do të thotë demotivim për gjithçka", tha ajo.

Sipas psikologëve, frika nga infektimet, kufizimi i kontakteve sociale, izolimi dhe shqetësimet të tjera janë disa nga faktorët që mund të dëmtojnë shëndetin mendor.

Spahiu thotë se kryesisht Ministria e Arsimit, por edhe institucione të tjera duhet të merren me këtë problematikë.

Gjatë vitit të kaluar, por edhe tash, pandemia e shkaktuar nga koronavirusi dhe masat kufizuese për parandalim e saj, në Kosovë kanë ndikuar në përkeqësimin financiar të shumë bizneseve në Kosovë.

Në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, kohë më parë është hapur një linjë telefonike për ndihmë psikologjike qytetarëve dhe grupeve të rrezikuara nga koronavirusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG