Ndërlidhjet

Gjykata në Shqipëri dënon një iranian me 15 vjet burgim për terrorizëm


Personeli i ambasadës iraniane shihet prapa një derë e mbyllur, kur Shqipëria ndërpreu marrdhëniet diplomatike me Iranin dhe urdhëroi largimin e diplomatëve të këtij shteti, për shkak të sulmeve kibernetike. 7 shtator 2022.
Personeli i ambasadës iraniane shihet prapa një derë e mbyllur, kur Shqipëria ndërpreu marrdhëniet diplomatike me Iranin dhe urdhëroi largimin e diplomatëve të këtij shteti, për shkak të sulmeve kibernetike. 7 shtator 2022.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri dënoi me 15 vjet burgim një shtetas iranian, pasi e gjeti fajtor për akuzat për terrorizëm.

Vendimi ndaj Bijan Poladrag u dha të mërkurën. Ai do të vuajë vetëm dhjetë vite burgim, pasi përfiton ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Nga gjashtë akuzat që Prokuroria e Posaçme ngriti ndaj tij, gjykata e shpalli fajtor për dy nga to: pjesëmarrje në një organizatë terroriste dhe kryerje e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur organizatë terroriste.

Poladrag u arrestua në tetor të vitit 2020. Në atë kohë u arrestuan edhe disa shtetas të tjerë iranianë.

Ai ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2016, si pjesë e një grupi iranianësh që gjetën strehim në kampin e Manzës, ku aktualisht janë të strehuar rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Sipas prokurorisë, Poladrag banoi për një periudhë të caktuar në kamp, ku vepronte si i infiltruar, ndërsa dyshohet se po përgatiste sulm terrorist.

Pas rreth dy vjetësh ai ishte shkëputur nga kampi, pasi mori leje-qëndrim në Shqipëri. Pas arrestimit, Poladrag iu gjetën mesazhe dhe biseda të shkëmbyera me disa persona që jetojnë në Iran, që dyshohet se janë pjesë e Gardës Revolucionare.

Më 7 shtator Qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe deklaroi se Irani qëndron pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve qeveritare

Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë akuzat se janë mbrapa sulmeve të korrikut.

Megjithatë, aleanca ushtarake e NATO-s ka konfirmuar se prapa atij sulmi ka qenë Irani.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe kreun e këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik të muajit korrik ndaj Shqipërisë.

Irani ka dënuar ashpër sanksionet amerikane.

XS
SM
MD
LG