Ndërlidhjet

Gratë në politikë nuk i përkrah as partia e as shoqëria 


Gratë mbajnë mbishkrime për barazi gjinore gjatë një proteste në Prishtinë më 23 shtator, 2020. Fotografi ilustruese.
Gratë mbajnë mbishkrime për barazi gjinore gjatë një proteste në Prishtinë më 23 shtator, 2020. Fotografi ilustruese.

Që nga viti 1999, në Kosovë vetëm një komunë është udhëhequr nga një grua.

Në vitin 2013, Mimoza Kusari-Lila kishte fituar garën për të udhëhequr me Komunën e Gjakovës.

Që nga ajo kohë, partitë politike kanë kandiduar kryesisht burra dhe asnjë grua nuk arriti që të fitonte garën për të udhëhequr ndonjë komunë.

Në dy palë zgjedhjet e fundit lokale, ato të vitit 2017 dhe 2013, partitë politike kishin kandiduar vetëm 17 gra për kryetare të komunave, nga rreth 450 kandidatë.

Sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës, përfaqësimi i grave në dy palë zgjedhjet e fundit lokale ka qenë tejet i ulët edhe gratë si bartëse të listave për Asamble komunale.

“Nga mbi 400 lista të dorëzuara pranë KQZ-së (Komisionit Qendror të Zgjedhjeve) nga subjektet politike në dy palë zgjedhjet e fundit lokale (2017 dhe 2013), vetëm më pak se 1 për qind e tyre (38 gjithsej), kishin gra si bartëse të listave”, thuhet në raport.

A do të kandidojnë gra partitë politike?

Ndonëse janë afruar zgjedhjet e 17 tetorit, në këtë pyetje ka qenë e vështirë të merret përgjigje nga partitë kryesore politike në Kosovë, përfshirë partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje si dhe partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zyra për informimin në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se ditët në vijim do të konfirmohen emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe se pastaj do të bëhen publikë për opinionin.

Deri më tani, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës publikisht ka njoftuar se ka kandiduar dy gra për zgjedhjet lokale. Hyrie Dobrunaj do të garojë për kryetare të Komunës së Deçanit, ndërkohë që Sibel Halimi është kandidate e LDK-së për Komunën e Ferizajt.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Halimin që po ashtu mban edhe pozitën e zëdhënëses së partisë, por ajo ka thënë se e ka të pamundur të përgjigjet.

Ndërkaq, në një përgjigje të shkruar, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se udhëheqësia e re e këtij subjekti politik, është e përkushtuar që gratë dhe të rinjtë të kenë edhe më shumë hapësirë në vendimmarrje.

“Jemi duke diskutuar me gra të shumta që janë rritur organikisht me PDK-në, por edhe me zonja që po i bashkohen PDK-së, që t’u krijojmë hapësirën e merituar dhe të garojnë për kryetare komunash, bartëse të listave dhe natyrisht në listat për Asamble komunale”, thotë Çitaku.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se kanë biseduar me shumë gra. Por, sipas deputetes së këtij subjekti politik, Time Kadriaj, shumë prej tyre kanë refuzuar që të marrin përgjegjësi.

“Faktikisht, ne i kemi thënë disa propozime dhe shumicën e rasteve që nuk po i bëjmë publike, kanë hezituar që të marrin përgjegjësi”, thotë Kadriaj.

Kadriaj thotë se ende nuk është vendosur për të gjithë emrat dhe se AAK-ja mund të ketë edhe gra kandidate për të udhëhequr ndonjë nga komunat.

Kusari-Lila: Shumica e grave nuk gjejnë hapësirë e disa refuzojnë vetë

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ish-kryetarja e Gjakovës tani deputete në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se mungesa e grave në vendimmarrje, përveç se është problem politik, është problem edhe shoqëror.

Kusari-Lila, që është gruaja e vetme që ka qenë kryetare komune, thotë se përveç partive politike, e gjithë shoqëria duhet që të angazhohet më shumë në përfshirjen e grave në vendimmarrje.

Ajo thotë se një numër i madh i grave nuk gjejnë hapësirë nëpër subjekte politike përkundër faktit se kanë përgatitje të mjaftueshme profesionale, por sipas saj, ka edhe gra në politikë që hezitojnë të garojnë për të udhëhequr ndonjë komunë.

“Ka mjaftueshëm gra në kuadër të subjekteve politike, të cilave edhe pse u janë ofruar mundësitë për kandidimin e të parës së komunës, kanë refuzuar. Me aq sa kam njohuri kjo ka ndodhur në disa subjekte për arsye se pozita e kryetarit të komunës konsiderohet me një kompleksitet pak më të gjerë dhe me një gamë të sfidave më të mëdha sesa në pozita të nivelit qendror apo legjislativ”, thotë Kusari-Lila.

Përveç në zgjedhje lokale, edhe në ato të përgjithshme, numri i grave në lista të subjekteve politike mbetet i ulët.

Ligji për barazi gjinore parasheh që 50 për qind të jenë burra si dhe 50 gra. Por, në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, në listat e partive gra ishin vetëm 30 për qind.

Cakolli: Barazia gjinore, koncept i panjohur për partitë

Eugen Cakolli, hulumtues politikash në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike në të shumtën e rasteve respektojnë kriteret minimale për përfshirjen e grave në lista zgjedhore.

Sipas tij, partitë mundohen që të respektojnë minimalisht Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që të paktën 30 për qind e listës së partive në komunat ku ato garojnë, duhet të jenë të përbëra nga gratë.

“Gratë kanë tradicionalisht trende më të larta të daljes në zgjedhje lokale sesa që kanë burrat. Një pjesë të fajit e kanë vetë votuesit, e sidomos gratë, të cilat nuk i kanë ndëshkuar me votë subjektet politike të cilat nuk kanë përfshirë në radhët e tyre numër të barabartë të grave dhe të cilat nuk kanë kandiduar gra për të parin e komunës”, thotë Cakolli.

Sipas Cakollit, shumica e subjekteve politike në procese zgjedhore anashkalojnë Ligjin për barazi gjinore, i cili e përcakton barazinë gjinore si situatë ku të dyja gjinitë janë të përfaqësuara në raportin 50-50.

Gratë janë më të përfaqësuara në rajon

Gjendje më e mirë e përfaqësimit të grave në pushtetin lokal është në shtetet e rajonit.

Nga 61 bashki sa ka Shqipëria, tetë prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Në Serbi janë 169 pushtete lokale dhe prej tyre, 22 udhëhiqen nga gratë.

Nga 34 komuna sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut, gjashtë gra mbajnë pozitën e kryetares.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2020 që u mbajtën në Bosnje dhe Hercegovinë, nga 142 pozita udhëheqëse, vetëm tri gra u zgjodhën në pozitën e kryetares së komunës.

Në Mali të Zi, prej 24 komunave, vetëm dy udhëhiqen nga gratë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesëmarrja dhe udhëheqja e barabartë e grave në jetën politike dhe publike janë thelbësore për arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

“Me ritmin aktual, barazia gjinore në pozicionet më të larta të pushtetit nuk do të arrihet për 130 vjet të tjera”, thuhet një raport të publikuar nga OKB-ja këtë vit.

Sipas OKB-së, të dhënat tregojnë se gratë janë të nënpërfaqësuara në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në mbarë botën dhe arritja e barazisë gjinore në jetën politike është larg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG