Ndërlidhjet

Vrasja e presidentit thellon kaosin në Haiti


Jovenel Moïse, presidenti i vrarë i Haitit. Fotografi nga arkivi.
Jovenel Moïse, presidenti i vrarë i Haitit. Fotografi nga arkivi.

Vrasja e presidentit të Haitit, Jovenel Moïse duket se ka thelluar kaosin në këtë shtet, teksa ka paqartësi se kush do të jetë pasardhësi i tij.

Agjencia e lajmeve Associated Press sjellë një vështrim se si duket situata në Haiti.

Kush ishte presidenti që u vra?

Jovenel Moïse, 53 vjeç, ishte biznesmen dhe një politikan neofit që u betua në postin e presidentit të Haitit më 7 shkurt 2017. Ish-prodhuesi i bananeve, e kishte trashëguar një shtet në kaos – një shtet, ku për një vit nuk ishte zgjedhur ndonjë lider. Me vrasjen e tij, shteti sërish mbetet në kaos.

Kur e mori detyrën, ai ishte zotuar se do të forconte institucionet, do ta luftonte korrupsionin dhe do të sillte më shumë investime dhe do të hapte vende të reja të punës, në shtetin më të varfër të hemisferës.

“Ne mund ta ndryshojmë Haitin nëse punojmë së bashku”, kishte thënë Moïse teksa kishte qëndruar në hapësirën ku më parë ndodhej Pallati Kombëtar – një prej shumë ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i janarit të vitit 2010, ku u vranë mijëra qytetarë të Haitit.

Një mural me portretin e Moïse në Port-au-Prince të Haitit.
Një mural me portretin e Moïse në Port-au-Prince të Haitit.

Por, zotimi për të punuar së bashku nuk u realizua kurrë dhe administrata e tij, që prej fillimit u përball me protesta masive. Madje edhe zgjedhja e tij më 2015 u anulua, por më pas ai fitoi edhe në zgjedhjet e reja. Kritikët e kishin akuzuar atë se po shndërrohej në një lider autoritar. Ai udhëhoqi me shtetin përmes dekretit mbi një vit pasi shpërndau parlamentin në janarin e vitit 2020, pas vonesave në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Në shkurt, Moïse i kishte thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që oligarkë të fuqishëm kishin bërë disa përpjekje për ta rrëzuar atë nga pushteti. Në po të njëjtin muaj, ai kishte njoftuar se rreth 20 persona ishin arrestuar pasi kishin bërë komplot për ta vrarë atë. Por, Gjykata e Apelit më vonë refuzoi këto pretendime dhe liroi të akuzuarit, në mesin e të cilëve ishte edhe një gjykatës dhe inspektori kryesor i policisë.

Çfarë dimë për vrasjen?

Detajet për vrasjen janë të pakta. Kryeministri në detyrë, Claude Joseph tha se me gjasë, sulmues të trajnuar, që flisnin gjuhën spanjolle ose atë angleze, e kanë vrarë presidentin në shtëpinë e tij. Gruaja e parë po ashtu është plagosur. Ai tha se policia dhe ushtria po kryejnë kontrolle.

Policia pranë rezidencës private të Jovenel Moïse, pasi ai u vra më 7 korrik.
Policia pranë rezidencës private të Jovenel Moïse, pasi ai u vra më 7 korrik.

Bocchit Edmond, ambasadori i Haitit në Shtetet e Bashkuara, i përshkroi sulmuesit si persona “mirë të trajnuar dhe ushtarakë profesionistë” si dhe “mercenarë të huaj”, që u maskuan si agjentë të Administratës amerikane në luftën kundër drogës (DEA). Ai nuk ka komentuar për motiviet e mundshme të vrasjes, por tha se Haiti ka kërkuar nga Qeveria amerikane që të asistojë në hetimin e kësaj ngjarjeje.

Policia në Haiti më pas tha se ka vrarë katër persona, që dyshohet se ishin vrasës të presidentit, ndërkaq dy të tjerë janë arrestuar. Policia është në kërkim edhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e presidentit.

Si është situata në Haiti?

Haiti është përballur me paqëndrueshmëri politike – si dhe me varfëri të skajshme dhe nivele të larta të krimit – që prej përfundimit të diktaturave brutale të Francois dhe Jean-Claude Duvalier, që udhëhoqën me shtetin nga viti 1957 deri më 1986.

Bandat kriminale gjatë këtij viti kanë detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërkaq protestuesit që më 2019 kërkuan rrëzimin nga pushteti të Moïse mbyllën shumicën e ekonomisë. Për më tepër, ky shtet, prej 11 milionë banorësh ende nuk nisur vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit të ri.

Bruno Maes, përfaqësues i Haitit në agjencinë për fëmijët të OKB-së, muajin e kaluar, kishte krahasuar situatën me bandat me atë të luftës guerile, “ku mijëra fëmijë dhe gra janë nën zjarr”. Pierre Espérance, drejtor i Rrjetit të Kombëtar të Haitit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ka thënë se bandat kontrollojnë afër 60 për qind të territorit të shtetit.

Policia dhe ushtria shpesh kanë qenë cak i bandave. Oficerët e maskuar, që thanë se i përkisnin një fraksioni të pakënaqur, në muajin mars sulmuan disa stacione policie dhe liruan disa shok të tyre që ishin akuzuar për pjesëmarrje në një tentim grusht-shteti. Ushtria e këtij shteti ishte ri-inauguruar më 2017. Haiti nuk kishte pasur ushtri që nga viti 1995, pasi kishte rënë diktatura.

Ndërkaq, grindjet politike janë thelluar që prej 7 shkurtit, kur liderët opozitarë pretenduan se mandati i ligjshëm i Moïse ka përfunduar – pesë vjet që kur ai do të duhej të merrte detyrën, nëse zgjedhja e parë e tij do të shpallej e ligjshme. Moïse kishte argumentuar se mandati i përfundonte më 2022, pasi ai nuk ishte betuar si president deri në vitin 2017.

Qeveria e Haitit është pa kryeministër formal që prej prillit, kur Joseph Jouthe dha dorëheqje pas një rritje të vrasjeve dhe rrëmbimeve. Pasardhësi i tij ende nuk është miratuar nga parlamenti.

Teksa Moïse ka udhëhequr përmes dekretit, qeveria ka paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në shtator dhe në nëntor raundi i mundshëm i balotazhit. Qeveria po ashtu ka shtyrë përpara një referendum për kushtetutën e re, që sipas kritikëve, do t’i lejonte presidentit të Haitit të zgjeronte fuqitë e tij. Por, votimi në referendum është shtyrë po ashtu.

Çfarë pritet të ndodhë?

Autoritetet kanë mbyllur aeroportin ndërkombëtar dhe kanë deklaruar shtetrrethim.

Sipas Kushtetutës së Haitit, presidenti i Gjykatës Supreme përkohësisht do ta marrë udhëheqjen e shtetit. Por, kreu i kësaj gjykate, së fundmi ka vdekur nga COVID-19. Asambleja Kombëtare do të duhet që më pas të zgjedhë një lider të ri. Por, kjo është e pamundur pasi nuk ka kuvend të ligjshëm: mandati i deputetëve të Dhomës së Ulët ka skaduar si dhe ai i dy të tretave të ligjvënësve në Senat.

Policia ndërhyn gjatë një proteste kundër Moïse në shkurt të vitit 2021.
Policia ndërhyn gjatë një proteste kundër Moïse në shkurt të vitit 2021.

Kjo nënkupton që udhëheqja e shtetit mbetet në duart e kryeministrit në detyrë, Joseph dhe kabinetit të tij, tha avokati nga Haiti, Salim Succar, i cili më herët ka qenë shef stafi për ish-kryeministrin, Laurent Lamothe.

Por, Joseph ka rol të përkohshëm. Moïse u vra një ditë pasi nominoi Ariel Henry, neurokirurg, në postin e kryeministrit. Megjithatë, Henry nuk është konfirmuar në këtë post. E gjithë kjo mund të krijojë edhe më shumë paqëndrueshmëri në këtë shtet, që pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më vonë gjatë këtij viti.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG