Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Haradinaj: SHBA duhet të përfshihet në dialogun Kosovë – Serbi


Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të insistojë për një rol më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Në një tryezë të organizuar nga organizata joqeveritare Lëvizja “FOL”, kryeministri Haradinaj tha se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës tha se është kundër vazhdimit me këtë format të dialogut në Bruksel.

“Iu kam thënë se duhet të kalojmë në fazën finale të bisedimeve që nënkupton njohjen reciproke mes dy shteteve. Këtë ia kam thënë edhe Federica Mogherinit. Nëse ndodhë kështu, është mirë për Kosovën. Ndryshe, status quo-ja është e dëmshme për vendin dhe rrezikon ta kthejë prapa”, u shpreh ai.

“Unë asnjëherë s’kam qenë krejt i bindur se kur i harxhojmë marrëveshjet dhe të kalojmë në një fazë finale për shkak se faza finale është vullneti politik i vendimmarrësve të mëdhenj”, deklaroi Haradinaj.

Për fazën finale edhe presidenti Donald Trump duhet të ketë pak kohë që të merret me Kosovën, edhe kancelaria gjermane Angela Merkel, kryeministrja e Britanisë se Madhe, Theresa May dhe presidenti francez Emmanuel Macron”, tha ai.

Sa i përket Kosovës, Haradinaj tha se pajtohet që në krye të dialogut të jetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Sipas tij, kryeministri edhe ashtu është shumë i zënë me punë, kurse presidenti ka më shumë kohë që të merret me diçka.

“Këtu secili ka rol, Qeveria ka shumë rol në dialog. Por, është shumë mirë që presidenti i vendit e udhëheq agjendën. Presidenti i vendit nuk ka shumë punë, ai kur shkon në zyre në mëngjes duhet të kërkojë se çka të punojë, kurse kryetari i Qeverisë, nga ngarkesa shikon çka mundet të shtyhet, cilat tema mund të presin. Edhe është shumë mirë, që presidenti ka qenë i kyçur si kryetar i Qeverisë”, theksoi Haradinaj

Ndërkaq, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri u shpreh se ky është një proces serioz që është nisur, i bazuar në obligimet që ka Kosova, dhe e gjitha që ndërtohet si statut i Asociacionit, duhet të verifikohet në Gjykatë Kushtetuese.

Një çështje tjetër që shtohet vazhdimisht në debate të tilla është edhe ajo e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kryeministri Haradinaj tha se formimi i ushtrisë së Kosovës, nuk është pjesë e marrëveshjes me Listën Serbe.

“Kosova e ka një opsion, që është ligji, një ndryshim në bazë të ligjit dhe duhet ta konsumojë arritjen që të gjitha palët të sigurohen që Kosova është e gatshme, që përmes ndryshimeve kushtetuese, të arrihet dalja për këtë temë”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë diskutim me mediat, Haradinaj është shprehur i bindur edhe në lidhje me marrjen e konfirmimit nga Bashkimi Evropian për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, kushti i mbetur ka të bëjë me faktet që dëshmojnë se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, për çka Haradinaj tha se janë angazhime të vazhdueshme të cilat do të vazhdojnë edhe pas liberalizimit të vizave.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG