Ndërlidhjet

Haradinaj mbrohet në heshtje


Haradinaj duke dalë nga ndërtesa e Prokurorisë Speciale.
Haradinaj duke dalë nga ndërtesa e Prokurorisë Speciale.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi paraqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila vepron në Hagë.

Pas qëndrimit për më shumë se një orë në objektet e Prokurorisë, Haradinaj tha se ka vendosur të mbrohet në heshtje.

"Sot jam paraqitur si i dyshuar. Kam kryer obligimin ligjor në bazë të një ftese të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Posaçme. Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem fare në pyetje", tha Haradinaj, duke shtuar se nuk pret ndonjë aktakuzë kundër tij.

*Prononcimi i Haradinajt për media

Haradinaj: Nuk pres aktakuzë nga Specialja
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

​Haradainaj ​dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës javën e kaluar, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Çka është mbrojtja në heshtje?

Mbrojtja në heshtje është e drejtë legjitime dhe ligjore e gjithsecilit person që ftohet para një procedure penale, tha për Radion Evropa e Lirë, Avni Puka, profesor i të Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, mbrojtja në heshtje është zbatuar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe të tjerët [ish-pjesëtarë të UÇK-së], meqë Gjykata Speciale nuk jep informacione se "për çka dikush akuzohet dhe për cilat veprime".

“Atëherë në këtë fazë është edhe imponuese që mbrojtja të bëhet në heshtje, derisa të mësohen për cilat fakte bëhet fjalë".

“Në rastin e zotit Haradinaj do të jetë shumë me interes të mësohet se për cilat vepra, për cilat fakte është ftuar si person i dyshuar. Personalisht kam përshtypjen se kjo do të jetë në interes edhe për praktikën ndërkombëtare të gjykimit të krimeve të luftës”, tha ai.

Ai përsërti të mërkurën se në Hagë ka dashur të intervistohet si qytetar i Kosovës dhe jo si udhëheqës shteti.

"Imagjinojeni sikur lajmet të shkruanin sot se kryetari i Qeverisë së Kosovës (po merret në pyetje)... Por, unë kam ardhur si Ramush Haradinaj. E kemi ruajtur shtetin tonë të ri dhe kemi krijuar një precedent që i obligon të gjitha palët tjera të na respektojnë, qofshin në rajon, qofshin në bashkësinë ndërkombëtare", tha Haradinaj.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj, në kohën e luftës, ka qenë komandant i UÇK-së për zonën operative të Dukagjinit.

Të mërkurën në Hagë u intervistua edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, njëherësh ish-zëdhënës i UÇK-së.

Ai nuk dha detaje për mediat, duke thënë vetëm se ka kryer një obligim ligjor.

*Prononcimi për media i Krasniqit, pas daljes nga ndërtesa e Prokurorisë Speciale

Pas intervistimit, Krasniqi thotë se ka kryer një obligim ligjor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:40 0:00

Prokuroria Speciale, nga janari i këtij viti, ka intervistuar dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, por Haradinaj dhe Krasniqi përbëjnë figurat më të larta që merren në pyetje.

Për Haradinajn, ndërkaq, është hera e dytë që dha dorëheqje për t'u përballur me drejtësinë ndërkombëtare.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Megjithatë, ai është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012.

Ftesa për intervistim këto ditë morën edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-anëtari i këtij shtabi, Sokol Bashota, ish-shefi i një zone operative, Shukri Buja, e të tjerë.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata u bë plotësisht funksionale në korrik të 2017-ës.

Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutet e saj u lejojnë prokurorëve që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.

Vendimi për themelimin e saj pasoi publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin u tha se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99.

Formimi i Gjykatës nxiti pakënaqësi dhe çoi në protesta të veteranëve të UÇK-së. Në fund të vitit 2017, pas një peticioni me mbi 15 mijë nënshkrime, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndërmori një nismë për shfuqizimin e Gjykatës, por ajo dështoi pas disa javësh presion politik nga bashkësia ndërkombëtare.

Ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare thonë se pas intervistimeve në Prokurorinë Speciale, pritet të ngrihen edhe akuza.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 22 korrik, Haradinaj tha se ai “e ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë” dhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, të cilën e mbajti nga viti 2017, “për ta ruajtur nderin e shtetit dhe të kryetarit të qeverisë”.

Haradinaj: S’ka arsye të vonohen zgjedhjet
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:26 0:00

Haradinaj, i cili udhëheq Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, tha të mërkurën se shpërbërja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja tani janë kompetencë e presidentit të Kosovës.

Haradinaj tha se nuk ka më ndonjë obligim ndaj Prokurorisë Speciale.

“Meqë nuk kam obligime dhe shteti ka mbetur shtet dhe nuk është nën hetime, as në gjykatë, do të kthehem si të gjithë të tjerët, kolegët e mi, në politikë dhe do të ofrohem para qytetarëve me ato opsione, me ato tema që janë interes i yni“.

“Unë besoj se Kosova është e qëndrueshme, e fortë, ka demokraci të shëndoshë, partitë politike garojnë. Nëse popolli më jep mua besim, unë e respektoj atë besim, vazhdoj punën. Nëse jo, u uroj sukses atyre që e marrin besimin“.

Haradinaj tha se do t’i qëndrojë besnik agjendës së tij politike “për dialog pa kushte me Serbinë dhe për marrëveshje për njohje reciproke“.

XS
SM
MD
LG