Ndërlidhjet

‘Heqja dorë’ e Vuçiqit nga Dodiku


Ndryshe nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e deklaroi publikisht mbështetjen e tij për Milorad Dodikun para zgjedhjeve. (Foto: Dodik dhe Vuçiq në Beograd më 26 gusht 2020)
Ndryshe nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e deklaroi publikisht mbështetjen e tij për Milorad Dodikun para zgjedhjeve. (Foto: Dodik dhe Vuçiq në Beograd më 26 gusht 2020)

Në zgjedhjet për president të Republikës Sërpska (RS), entitet ky në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodiku pati mbështetjen e Putinit dhe Orbanit, por jo edhe të Vuçiqit.

Ndryshe nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk e deklaroi publikisht mbështetjen e tij për Dodikun para zgjedhjeve.

Dodiku është mysafir i shpeshtë në ngjarjet zyrtare të Vuçiqit, ndërkaq të dy këta burrështetas kanë marrëdhënie shumë të ngushta. Në deklaratat e tij, Dodiku nuk e fsheh se llogarit në mbështetjen e Beogradit zyrtar për qëndrimet e tij, të cilat kanë hasur në reagime dënuese nga perëndimi.

Fakti që kësaj radhe Dodiku nuk e pati mbështetjen nga Vuçiq, sipas profesorit universitar nga Sarajeva, Enver Kazaz, dëshmon se jo vetëm janë ftohur raportet, por se në një farë mënyre Vuçiq ka zgjedhur opozitën në Republika Sërpska. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (RSE), ai thekson se politika e Vuçiqit nuk përcaktohet nga qëndrime agresive sikurse politika e Dodikut.

“Dhe, po vjen koha kur Dodik, me politikën e tij të fuqishme, nacionaliste, veçanërisht me vizitat e tij te Putini, e shqetëson Vuçiqin, sepse ai po aq sa luan me letrën e Evropës, po aq luan edhe me letrën e Rusisë”, vlerëson Kazaz për REL-in.

Më 20 shtator, Dodik, si anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, u takua në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Putin dhe Rusia janë nën izolim dhe sanksione ndërkombëtare për shkak të agresionit ndaj Ukrainës fqinje.

Radio Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS) raportoi se gjatë takimit, Putin i uroi Dodikut sukses në zgjedhje, me shpresën se ai do të fuqizonte forcat patriotike në Republikën Sërpska.

“Për ne është gjithmonë e rëndësishme të kemi miq si ju”, iu përgjigj Dodik.

Gjithashtu, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë prej vitesh se Putini është mik i Serbisë dhe është takuar disa herë me liderin rus.

Por, që nga fillimi i pushtimit rus kundër Ukrainës në shkurt të këtij viti, Vuçiq është përballur me thirrje nga Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore që Serbia të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është bashkuar me Perëndimin në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë, në votimet e BE-së për disa rezoluta, ajo iu bashkua dënimit të agresionit rus kundër Ukrainës.

“Dodiku luajti me letrën e Putinit”

Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia po përpiqet të baraspeshojë sa më shumë që të jetë e mundur.

“Megjithatë, Dodik padyshim luajti kartën e Putinit kur nga ai mori mbështetje të drejtpërdrejtë për zgjedhjet. Pra, ai doli të jetë një eksponent i drejtpërdrejtë i politikës ruse dhe vetë Putinit në rajon”, tha Popov.

Kabineti i Vuçiqit dhe ai i Dodikut nuk iu përgjigjën kërkesave të REL-it për të komentuar pretendimet për ftohje të marrëdhënieve të ndërsjella.

Popov vlerëson se në periudhat e mëparshme, nga Serbia ishte zhvilluar një fushatë shumë më e madhe në mbështetje të Dodikut. Tani, siç thotë ai, ka pasur vetëm një ngjarje të tillë - Dita e unitetit serb në Bijelinë.

Më 15 shtator, Vuçiq udhëhoqi delegacionin e Serbisë në Bijelinë, qytet në verilindje të Bosnjë e Hercegovinës, në kremtimin e “Ditës së unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb”.

Që nga viti 2020, Serbia e shënon këtë festë së bashku me Republikën Sërpska, entitet i Bosnjë e Hercegovinës.

Në kremtimin e asaj feste në Bijelinë, Dodiku i uroi mirëseardhjen Vuçiqit me fjalët “President, mirë se erdhe në të tënden dhe në mesin e të tuve”.

Dodik më pas tha se “serbët kanë dy shtete, Republikën Sërpska dhe Serbinë”, me përpjekjen “për të luftuar për unitet”.

Sipas Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska është definuar, jo si shtet, por si njëri prej dy entiteteve në shtetin e Bosnjë e Hercegovinës. Entiteti tjetër është Federata e Bosnjë e Hercegovinës.

Kushtetuta e shtetit nuk e përcakton mundësinë e shkëputjes së Republikës Sërpska nga Bosnjë e Hercegovina.

Në paraqitjet e tij publike, Dodik thekson se Bosnjë e Hercegovina nuk është vendlindja e tij, por Serbia.

Vuçiq, nga ana tjetër, shpesh thekson se Serbia respekton integritetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe integritetin e Republikës Sërpska në kuar të Bosnjë e Hercegovinës.

“Sikur ta dinit se sa shumë e duam Republikën Sërpska dhe sa shumë do të thotë ajo për ne, pavarësisht se sa e respektojmë Bosnjë e Hercegovinën dhe të gjithë të tjerët”, tha Vuçiq para të tubuarve në sheshin qendror në Bjelinë, më 14 shtator.

Çfarë tha Vuçiq për zgjedhjet në Republikën Sërpska?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 shtator deklaroi se nuk do të ndërhyjë në procesin zgjedhor në Republikën Sërpska dhe se populli do të zgjedhë kë të dojë.

“Unë e respektoj udhëheqjen e Republikës Sërpska, i respektoj edhe ata që janë në opozitë dhe dua të mbetem dikush që mbështet popullin serb në Republikën Sërpska”, tha Vuçiq në Ditarin e televizionit BN të Bijelinës.

I pyetur nëse është nën presion ndërkombëtar për shkak të politikave të udhëheqjes së Republikës Sërpska, Vuçiq tha se nuk do të flasë për këtë, duke theksuar se e respekton udhëheqjen e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, ashtu siç e respekton opozitën.

Për shkak të rrezikimit të institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës dhe politikës secesioniste, Dodik është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Dodik përmendet edhe në raportet e shërbimeve amerikane, sipas të cilave veprimtaria e tij politike financohej fshehurazi nga Rusia.

Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm thotë se Dodik “është i kompromentuar në disa baza” dhe se ka filluar të dëmtojë jo vetëm qytetarët e Republikës Sërpska dhe këtë entitet, por edhe autoritetet në Serbi.

Ai rikujton se Dodiku ka kaluar të gjitha vijat e kuqe ndaj komunitetit ndërkombëtar, duke mos pranuar emërimin e diplomatit gjerman Christian Schmidt si përfaqësues të lartë dhe as kompetencat e tij.

“Mendoj se ka tejkaluar masën që do t'u përshtatej autoriteteve të Beogradit, sepse mund të gjendet edhe dikush që nuk është aq i kompromentuar dhe që mund të jetë në funksion të ndikimit të Beogradit në ngjarjet në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Popov duke iu referuar opozitës së Dodikut.

Dodiku, paraprakisht e ka mbështetur Vuçiqin

Kur në prill u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, Milorad Dodik i dërgoi mbështetjen e tij Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë së tij Progresive Serbe.

“Për (Republikën) Sërpska është mjaft e rëndësishme përkrahja, të cilën ia ofron Serbia dhe të cilën ti e tregove në mënyrën më të mirë. Kjo përkrahje është pikëmbështetja më e mirë për ne”, theksoi Dodik në letrën e dërguar Vuçiqit, më 31 mars.

Mbështetjen për Vuçiqin dhe Partinë e tij Progresive Serbe në zgjedhjet parlamentare e dhanë pothuajse të gjitha partitë opozitare dhe liderët e tyre në Republikën Sërpska.

Megjithatë, para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnjë e Hercegovinë, më 2 shtator, mediat rajonale raportuan për mungesën e mbështetjes së qartë të progresistëve të Vuçiqit për Dodikun dhe Lidhjen e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD-në) të tij.

Zyrtarët e SNS-së nuk shiheshin në fotot e shpërndara prej tubimeve parazgjedhore të Dodikut.

Në vend të mbështetjes së progresistëve, mbështetja i erdhi nga Kosova, nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e afërt me Partinë Progresive Serbe në pushtet, të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Djali i Dodikut, Igori, para ditës së zgjedhjeve, ka publikuar në Twitter një foto të përbashkët me Rakiqin, me mesazhin “përkrahja e vëllezërve nga Kosova, përfaqësuesve të Listës Serbe”.

Ndalimi i anëtarëve të SNS-së nga policia në Banja Llukë

Më 29 shtator, në Banja Llukë, në Republikën Sërpska, policia ndaloi dhe kontrolloi anëtarët e Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit, Adam Shukalo dhe Vlada Mandiq. Kjo ndodhi tre ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnjë e Hercegovinë.

Më pas Shukalo i tha televizionit N1 se ata ishin marrë në pyetje në Departamentin e Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska.
Shukalo është ish-deputet i SNS-së në Parlamentin e Serbisë, ndërsa Mandiq është një ish-hendbollist serb. Të dy, Shukalo dhe Mandiq, janë anëtarë të Këshillit kryesor të SNS-së së Aleksandar Vuçiqit.

Disa media rajonale e interpretuan këtë ngjarje si një mesazh të Dodikut për autoritetet në Serbi, për shkak të mungesës së mbështetjes para zgjedhjeve.

‘Vuçiq duhej të mbështeste opozitën në mënyrë më radikale’

Milorad Dodik, megjithatë, sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve, kryeson në garën për president të Republikës Sërpska, në raport me kundërshtaren e tij Jelena Triviq nga Partia e Progresit Demokratik.

Profesori universitar nga Sarajeva, Enver Kazaz thotë se Vuçiq duhej të mbështeste opozitën në Republika Sërpska në mënyrë më radikale, në qoftë se kishte për qëllim “të hiqte qafe Dodikun”.

“Dhe, ajo që është shumë e rëndësishme, ai do të duhej të ndryshonte kursin ideologjik të politikës së tij, të mos flirtonte me qëndrimet e të djathtëve dhe të mos i jepte Dodikut mbështetje për politikën secesioniste”, thekson Kazaz.

Vite më parë Dodik ishte pranë Aleksandar Vuçiqit në të gjitha ngjarjet e rëndësishme në Beograd. Një nga treguesit më të dukshëm të marrëdhënies së tyre do të jetë nëse Dodik do të shfaqet në Beograd po aq shpesh sa më parë.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG