Ndërlidhjet

Hungaria detyrohet të ndërrojë të propozuarin për komisioner të BE-së


Flamujt e BE-së të vendosura para selisë së Komisionit Evropian në Bruksel.
Flamujt e BE-së të vendosura para selisë së Komisionit Evropian në Bruksel.

Pas qëndrimit të prerë të Komisionit për Çështje Ligjore të Parlamentit Evropian, se kandidati nga Hungaria Lazslo Troszcanyi nuk është i denjë të jetë komisioner i BE-së sepse ka konflikte të pazgjidhura interesi, Qeveria e Hungarisë pas kërkesës së presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar një kandidat tjetër.

Si anëtar i Komisionit Evropian nga Hungaria është propozuar ambasadori i përfaqësisë së përhershme pranë BE-së, Oliver Verhelyi për të cilin tash do të ndiqet procedurë e rregullt.

Kjo procedurë përfshinë intervistimin nga von der Leyen, e më pas propozimin e tij do ta shqyrtojë Komisioni për Çështje Ligjore i PE-së dhe në fund do të ketë seancë dëgjimore në komisionet përkatëse.

Por, deri më tani nuk është sqaruar nëse kandidati i ri nga Hungaria do ta ketë të njëjtin post sikurse Laszlo Troscanyi, pra të jetë i ngarkuar me çështjet e fqinjësisë dhe zgjerimit.

Në reagimin e parë, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva ka tërhequr vërejtjen se propozimi i kandidatit të ri nuk do të thotë se ai me automatizëm do të ngarkohet me të njëjtin funksion sikur kandidati i mëparshëm.

“Në këtë moment nuk dëshiroj të spekuloj lidhur me vendimet e mundshëm të presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian para se ajo t’i kryej intervistat me kandidatët e rinj”, ka thënë ajo.

Qarqet diplomatike në Bruksel dhe disa deputetë të Parlamentit Evropian kishin pritur që kandidati nga Hungaria, Troscanyi të refuzohet, por jo për shkaqe të integritetit personal, pra ekzistimit të konfliktit të interesit.

Problematike shihej roli i tij në cilësinë e ministrit të Drejtësisë së Hungarisë në miratimin e ligjeve që, sipas Brukselit, ishin në kundërshtim me trashëgimin ligjore të BE-së për çka BE-ja edhe nisi procedurat kundër Hungarisë. Kritikët pohonin se një person i cili në vendin e tij ka propozuar dhe zbatuar ligje që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së, nuk do të jetë në pozitën më të mirë për të kërkuar nga vendet kandidate që të respektojnë këto vlera, të cilat edhe janë kushti kryesor për të lëvizur në procesin e integrimeve.

Ndonëse nuk mund të paragjykohet në këtë moment ka spekulime në BE se ende mund të ndodhë që fusha e zgjerimit dhe fqinjësisë t’i jepet ndonjë kandidati nga ndonjë shtet tjetër, e jo Hungarisë.

Por, në anën tjetër, burimet e BE-së pohojnë se nuk duhet paragjykuar asnjë kandidatë në bazë të shtetit nga i cili vjen. Prandaj duhet pritur derisa von der Leyen të mos vendosë të nominojë kandidatin nga Hungaria për komisioner të Fqinjësisë dhe Zgjerimit.

XS
SM
MD
LG