Ndërlidhjet

Hungaria i kërcënohet Ukrainës me pasoja të “dhimbshme”


Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto dhe presidenti ukrainas Petro Poroshenko
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto dhe presidenti ukrainas Petro Poroshenko

Hungaria ka shprehur përkushtim për ta bllokuar integrimin e mëtejshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian, pasi Kievi e ka miratuar një legjislacion kundërthënës arsimor, për të cilin kritikët vlerësojnë se i kufizon mësimet e gjuhëve të minoriteteve në shkolla.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha dje se pasojat për Kievin do të jenë të “dhimbshme”, pasi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka nënshkruar legjislacionin, me të cilin parashihet që gjuha ukrainase të mësohet prej klasës së pestë në shkollat shtetërore.

Hungaria do t’i bllokojë të gjithë hapat brenda Bashkimit Evropian, që do të mund të ishin hapa përpara në procesin integrues evropian të Ukrainës”, tha ministri Szijjarto në komentetet për agjencinë hungareze të lajmeve, MTI, që janë postuar edhe në faqen në Internet të Qeverisë së Hungarisë.

Ne mund të gartantojmë se e gjithë kjo do të jetë e dhimbshme për Ukrainën në të ardhmen”, ka theksuar Szijjarto.

Këto komente u bënë dy muaj para samitit të Partneritetit Lindor në Bruksel. Propozim-deklarata që Radio Evropa e Lirë e ka pasur në dispozicion javën e kaluar, sugjeron se samiti do të dominohet nga çështjet e lidhjes së BE-së me Ukrainën dhe dy shtete të tjera ish-sovjetike, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Legjislacioni thekson rolin e gjuhës ukrainase si shtetërore

Ligji i ri në Ukrianë nuk e ndalon mësimim në gjuhët e tjera; nxënësit mund të mësojnë edhe mëtutje në gjuhët e tyre amtare si lëndë e ndarë.

Poroshenko ka thënë se kjo çështje “e thekson rolin e gjuhës ukrainase si gjuhë shtetërore në procesin mësimor” dhe “siguron mundësi të njëjta për të gjithë”.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka kërkuar nga Ukraina që legjislacionin e ri ta dërgoj në Këshillin e Evropës, për të siguruar atë që ajo e ka cilësuar si “opinion të ekspertit” se ky ligj i plotëson standardet e Bashkimit Evropian.

Ajo ka theksuar se një legjislacion i tillë “duhet të balancohet në mënyrë të kujdesshme” ndërmjet qëllimit për statusin e gjuhës shtetërore për gjuhën ukrainase dhe “nevojën për t’i mbrojtur gjuhët e pakicave dhe ato rajonale”.

Sigurimet e presidentit Poroshenko për këtë ligj nuk i kanë zbutur shqetësimet e komuniteteve etnike në Ukrainë, përfshirë polakët, rumunët dhe hungarezët.

Legjislacioni i Ukrainës, po ashtu, i ka zemëruar edhe zyrtarët e vendeve të tjera fqinje të Ukrainës.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se legjislacioni “në mënyrë drastike e kufizon” qasjen e grupeve të minoriteteve në gjuhët e tyre amtare përkatëse. Në shenjë proteste ai e ka anuluar një vizitë të paraparë për në Kiev.

Rusia ishte veçanërisht e ashpër në kritikat e saj, duke theksuar se legjislacioni ka për qëllim “që me forcë të krijoj një regjim njëgjuhësor në shtetin kombëtar”.

Poroshenko: Dalje nga Perandoria Ruse

Gjuha është shndërruar në çështje të nxehtë në gjithë Ukrainën, veçanërisht në rajonet lindore, ku shumica e popullatës flet rusisht.

Legjislacioni i ri e ka hedhur poshtë ligjin e vitit 2012, i miratuar nën presidentin e atëhershëm, Viktor Yanukovich, aleat i Kremlinit, i cili pas dy vitesh ishte larguar në Rusi, për shkak të protestave masive kundër politikave të tij.

Sipas atij legjislacioni, pakicat janë lejuar që t’i përdorin gjuhët e tyre në rajonet ku ata përbënim më tepër se 10% të popullatës.

Kievi kishte synuar integrim më të madh me Bashkimin Evropian nën qeverinë properëndimore, e cila erdhi në pushtet pas përmbysjes së Yanukovichit.

Pas kësaj, Rusia e okupoi Krimenë e Ukrainës dhe i mbështet separatistët në pjesën lindore të ukrainës.

Në muajin qershor, Ukraina ka siguruar udhëtim pa viza për shtetasit e saj në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, në një zhvillim që presidenti Poroshenko e ka vlerësuar si “dalje finale e vendit tonë nga Perandoria Ruse”.

Mëtutje, më 1 shtator ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Asociacion, që i ka forcuar lidhjet ndërmjet Ukrainës dhe BE-së.

Vendimi i ish-presidentit, Viktor Yanukovich, për të mos e nënshkruar këtë marrrëveshje në vitin 2013, ishte njëri nga shkaqet e protestave masive, që sollën përmbysjen e tij.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG