Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Sholtes: Javën e kaluar ishim më optimistë për dialogun sesa tani


Igor Sholtes

Zhvillimet e fundit në Kosovë që pasuan vizitën e paautorizuar të përfaqësuesit të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq dhe arrestimi i tij nga Policia e Kosovës, e kanë vështirësuar edhe më shumë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Igor Sholtes, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Eurodeputeti nga Sllovenia, Igor Sholtes, është raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian. Ai ka pasuar në këtë post, eurodeputeten Ulrike Lunacek.

Sholtes pret që Brukseli t’i intensifikojë kontaktet me Prishtinën dhe Beogradin për tejkalimin e tensioneve.

Ndërkaq sa i përket Kosovës dhe procesit të saj integrues, ai shprehet me bindje se pas ratifikimit të demarkacionit, në një të ardhme jo të largët, BE-ja do të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkohë që pret që shumë sfida për institucionet e Kosovës të qartësohen gjatë prillit, kur Komisioni Evropian do të bëjë publik Raportin më të ri të Progresit.

Radio Evropa e Lirë: Cila është perspektiva e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës pas ratifikimit të demarkacionit?

Igor Sholtes: Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit, tani kjo çështje (liberalizimi i vizave) do të rikthehet në Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian. Aty ku është marrë vendimi për regjimin e lëvizjes së lirë, pa viza. Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë këtë me anë të shumicës së kualifikuar, kurse Parlamenti Evropian me një shumicë të thjeshtë vetëm e rikonfirmon vendimin për liberalizimin e vizave.

Procedurat mund të zhvillohen relativisht shpejtë, sidomos nëse ka vullnet politik në Këshill, por po ashtu edhe në Parlament. Por, nisur nga diskutimet në Parlament, mendoj se vullneti aty ekziston që t’i hiqen vizat Kosovës. Mendoj se është me rëndësi për qytetarët e Kosovës që ata të mos përjashtohen nga një prej vlerave bazë dhe të drejtave në procesin integrues në BE, që ka të bëjë me lëvizjen e lirë.

Prandaj, është me rëndësi që të ndërmerren sa më shpejt që të jetë e mundur hapat e nevojshëm për të vazhduar me procedurat dhe të jepen informatat e sakta për muajin kur liberalizimi i vizave do të bëhet realitet. Por, duhet ta theksojmë edhe atë që Komisioni Evropian në disa raste e ka përmendur se ratifikimi i kufirit me Malin e Zi është një prej kushteve më të rëndësishme, por ne nuk duhet të harrojmë se për Kosovën mbetet shumë me rëndësi edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është një proces që nuk duhet të ndalet as pas regjimit të lëvizjes pa viza, do të jetë një kriter i rëndësishëm që do të duhet të përmbushet edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Radio Evropa e Lirë: Sa e shihni si pengesë, në lidhje me liberalizimin e vizave faktin që pesë vende anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur?

Igor Sholtes: Më kanë pyetur shpesh në lidhje me këtë çështje dhe e kam thënë po mund të ketë (pengesa). Sigurisht që mund të ketë edhe diskutime në Parlamentin Evropian në lidhje me këtë fakt, por mendoj që te shumica në Parlamentin Evropian ekziston vullneti politik për vendosjen e regjimit të lirisë së lëvizjes pa viza për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian tashmë ka dhe një strategji të re të zgjerimit për Ballkanin. A mund të jenë kosovarët të kënaqur me pozitën e tyre që kanë në këtë strategji, ku rruga e Kosovës drejt BE-së nuk është shumë e qartësuar?

Igor Sholtes: Në këtë letër-strategji për Ballkanin shihet qartë se Ballkani Perëndimor është interes i madh për Bashkimin Evropian. Zonja (Federica) Mogherini e ka përmendur në fjalimin e saj se tani dyert dhe dritaret janë të hapura për integrim evropian. Por, integrimi Evropian e ka ‘shpejtësinë’ e vet të veçantë për secilin vend. Sidoqoftë, ky proces nuk është i njëanshëm, është reciprok, dypalësh, që nënkupton se secila palë duhet të kryejë punën e vet. Dëshirë e secilit nga ne është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin më shpejtë dhe t’i kryejnë obligimet e domosdoshme dhe t’i përmbushin rekomandimet dhe kërkesat. Por, në anën tjetër po ashtu, shumëçka mund të bëhet edhe nga ana e Bashkimit Evropian.

Sa i përket Kosovës dhe arritjeve të saj në procesin integrues, ne duhet të presim për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili pritet të publikohet gjatë muajit prill. Ne të gjithë e dimë se pritjet janë relativisht të mëdha, por ne duhet të jemi vetëdijshëm që përparimi nuk është i rëndësishëm vetëm për procesin integrues, por është i rëndësishëm për shkak të Kosovës dhe shoqërisë, qytetarëve të saj.

Radio Evropa e Lirë: Për Kosovën, po ashtu edhe për Serbinë, edhe dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve mbeten shumë të rëndësishme në procesin e tyre integrues në BE. Por, si e shihni të ardhmen e dialogut pas zhvillimeve të fundit dhe arrestimit të Marko Gjuriqit në Kosovë?

Igor Sholtes: Mendoj se isha shumë më optimist javën e kaluar sesa sot. Mund të them se nuk jam aspak i kënaqur me atë që ndodhi të hënën dhe mendoj se është e rëndësishme për dialogun që të ndalen të gjitha sinjalet e dhunës dhe të fillohet të përdoret dialogu për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve. Dhuna nuk është përgjigje e duhur. Dhuna nuk është mjet për të mbrojtur demokracinë dhe mendoj se duhet ta kuptojmë që ky proces dhe ky dialog nuk është i lehtë, por në këtë dialog ne presim një lloj standardi të komunikimit. Konflikti nuk është përgjigje për këto çështje të rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, cili është mendimi i juaj, sa është e mundur të arrihet një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë?

Igor Sholtes: Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim. Shpresoj që ditëve në vijim ‘temperaturat’ do të ulen, do të qetësohet atmosfera dhe të ndalen tensionet. Për këtë është me rëndësi komunikimi mes Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur mënyrën e vazhdimit të dialogut dhe kam frikë se askush nuk mund ta thotë se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim e posaçërisht, askush nuk mund të paragjykojë datën e saktë të epilogut të këtij dialogu, pasi që ka ende mjaft shumë çështje, dhe kam frikë se në këtë dialog ende ne më shumë kemi pyetje sesa përgjigje.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG