Ndërlidhjet

Meta dekreton emërimin e Ramës për kryeministër të Shqipërisë


Presidenti i Shqiërisë, Ilir Meta.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar emërimin e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë, një ditë pas konstituimit të Kuvendit.

Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se dekretimi i Ramës bëhet në bazë të neneve 93 dhe 96 të Kushtetutës, pasi Partia Socialiste ka shumicën e vendeve në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve të 25 prillit.

Disa ditë më parë, Partia Socialiste propozoi zyrtarisht Edi Ramën si kryeministër, përmes një kërkese drejtuar presidentit.

Brenda dhjetë ditëve kryeministri i mandatuar duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe emrat e kabinetit të ri. Pas miratimit nga Kuvendi, qeveria e re shkon përsëri për dekretim te presidenti i Republikës.

Kuvendi i ri i krijuar e gjen Shqipërinë në një situatë të ndërlikuar mes këtij institucioni dhe presidentit të vendit.

Në muajin qershor të këtij viti, deputetët në largim votuan në favor të shkarkimit të Metës me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Megjithatë, Partia Socialiste ka bërë të qartë se ka për qëllim shkarkimin e Metës.

Vendimi i kuvendit për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit i është dërguar Gjykatës Kushtetuese, e cila, nëse vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Në rast të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese, presidenti Meta do të bëhet presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.

Shqipëria ka konstituuar legjislaturën e saj të dhjetë që nga rënia e komunizmit në vend në seancën e së premtes me deputetët e zgjedhur më 25 prill të vitit 2021.

Lindita Nikolla është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Shqipërisë me 79 vota pro, katër vota kundër dhe 57 abstenime.

Kuvendi i ri i Shqipërisë përbëhet nga Partia Socialiste që fitoi 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim katër dhe Partia Social-Demokrate tri mandate.

XS
SM
MD
LG