Ndërlidhjet

Imunizimi i popullatës dikton lehtësimin e masave


Maqedoni e Veriut: qytetarë me maska mbrojtëse dhe dy policë në një zonë Shkupit.
Maqedoni e Veriut: qytetarë me maska mbrojtëse dhe dy policë në një zonë Shkupit.

Lehtësimi i masave shtrënguese në Maqedoninë e Veriut, varet nga imunizimi i popullatës. Ministria e Shëndetësisë pret që deri nga mesi i verës të vaksinohet 60 për qind e popullatës. Por ish-Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thotë se procesi që është në rrjedhë nuk jep shpresë për vaksinim të shpejtë, ndërsa flet edhe për menaxhim jo të mirë me pandeminë. Me mbi 5200 viktima, Maqedonia e Veriut është në krye të shteteve me pasojat më të mëdha nga pandemia e koronavirusit.

Masat kufizuese në Maqedoninë e Veriut do të vlejnë deri më 1 qershor dhe pas kësaj date, pritet heqja e shumë prej tyre, nëse gjendja epidemiologjike vazhdon të shkoj drejt përmirësimit, sikurse gjatë muajit maj, kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë bazuar në raportet e Institutit të Shëndetit Publik.

Aktualisht, në fuqi është ora policore apo ndalimi i plotë i lëvizjes së qytetarëve nga mesnata deri në orën 4:00 të mëngjesit. Mbajtja e maskave është e detyrueshme në vendet publike, ndërsa objektet e gastronomisë punojnë vetëm në hapësirat e jashtme, sikur edhe restorantet e objektet tjera hoteliere. Shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura ndërsa kufizime të pakta ka në punën e administratës shtetërore.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë për Evropën e Lirë se lehtësimi i masave varet nga imunizimi i popullatës.

“Duke marrë parasysh të gjitha sasitë e vaksinave që duhet të arrijnë në vendin tonë, ne vlerësojmë se deri nga mesi i verës do të arrijmë imunizimin e nevojshëm deri në masën e 60 për qind. Lehtësimi i masave varet nga vaksinimi. Tani kemi edhe rritje të interesimit të popullatës për vaksinim”, ka deklaruar Filipçe.
Në javën e parë të qershorit, në Maqedoninë e Veriut pritet të arrijnë 600 mijë vaksina. Sipas të dhënave zyrtare, deri të enjten janë vaksinuar rreth 200 mijë qytetarë, ndërsa afër 390 mijë janë paraqitur për vaksinim.

Arben Taravari, ish Ministër i Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se heqje të masave kufizuese duhet të ketë, por vetëm pasi të arrihet imunizimi i duhur. Ai thotë se institucionet kanë dështuar në menaxhimin me pandemisë sikurse edhe me procesin e vaksinimit.

“Në bazë të statistikave që i marrin nga institucionet relevante ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut është në mesin e pesë shteteve të para në botë sa i përket mortalitetit, e fatalitetit, fatkeqësisht. Edhe sa i përket menaxhimit me vaksinimin sërish jemi ndër shtetet e fundit në botë, sa i përket vaksinimit të pakët të njerëzve, që flet për menaxhim jo të mirë. Jemi në fund të majit dhe ende nuk kemi vaksinuar as 10 për qind të popullatës. Natyrisht që qeveria duhet t’i lehtësoi masat, por me shumë kujdes, pasi ende jemi shumë larg numrit prej 50 për qind të popullatës”, thotë Taravari.

Mjeku Ilir Luma, thotë për Radion Evropa e Lirë se lehtësimi i masave duhet të varet nga imunizimi i popullatës, por sipas tij, kjo duhet të përfshijë edhe mosmbajtjen e maskave dhe se për këtë duhet të ketë një pëlqim edhe nga shtetet tjera, meqë sipas tij, imunizimi apo marrja e dy dozave të vaksinave, është në funksion të kthimit të jetës në gjendjen normale.

“Ne marrim vaksinat pikërisht që të lirohemi nga maskat, nga kufizime tjera, tubimet, distanca, karantina, ora policore e kështu me radhë. Kjo dilemë duhet të eliminohet pasi mendoj se me pranimin e vaksinave ashtu siç parasheh protokolli për dhënien e tyre, duhet që popullata e vendeve që plotësojnë përqindjen e të vaksinuarave të lirohet nga kufizimet që tani vlejnë kudo në botë”, thotë Luma.

Që nga paraqitja e koronavirusit në mars të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19 janë diagnostikuar rreth 150 mijë persona, ndërsa besohet se një numër i konsiderueshëm e kanë kaluar infektimin pa qenë fare në dijeni për këtë. Por, përkundër kësaj dhe masave të rrepta shtrënguese, Maqedonia e Veriut ka regjistruar numër të madh të të infektuarve, e në veçanti raste të vdekjeve, që shkon mbi 5200 persona.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG