Ndërlidhjet

Irani mohon sugjerimet perëndimore për aeroplanin e rrëzuar


Pjesë të aeroplanit të rrëzuar në periferi të Teheranit.
Pjesë të aeroplanit të rrëzuar në periferi të Teheranit.

Irani ka dënuar ashpër sugjerimet perëndimore se një raketë ka rrëzuar aeroplanin ukrainas afër Teheranit më herët gjatë kësaj jave, duke lënë të vdekur 176 persona në bord.

“Një gjë është e sigurt, ky aeroplan nuk është rrëzuar nga raketa”, ka thënë shefi i aviacionit civil në Iran, Ali Abedzadeh, pasi liderët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Kanadasë kanë thënë se të dhënat çojnë në dyshimin se një gabim katastrofik nga sistemi iranian i mbrojtjes ka rrëzuar aeroplanin.

Komentet e Abedzadeh kanë ardhur disa orë pasi Irani u ka dhënë qasje hetuesve ukrainas në zonën ku është rrëzuar aeroplani i Ukrainës dhe ka ftuar kompaninë Boeing bashkë me agjencinë amerikane për hetimin e aksidenteve që të ndihmojnë në hetime.

Në një deklaratë të zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, është thënë janë duke u bërë analizat e ADN-së të familjarëve që kanë vdekur në aksident për të identifikuar viktimat.

Megjithatë në deklaratë është thënë se “ende është shumë herët për të prezantuar detaje të hetimeve”.

Aeroplani ukrainas ishte nisur drejt Kievit kur është rrëzuar më 8 janar, pasi ishte nisur nga kryeqyteti i Iranit, Teheran.

Në mesin e viktimave kanë qenë 63 kanadezë, 82 iranianë, dhjetë suedezë, katër afganë, tre gjermanë dhe tre britanikë. Aty kanë qenë edhe 11 ukrainas.

Më 10 janar, për dallim nga qëndrimi paraprak, Irani ka thënë se ka ftuar një kompani amerikane për siguri dhe kompaninë që prodhon aeroplanë, Boeing për të marrë pjesë në hetime.

Ky vendim ka ardhur pasi zyrtarët amerikanë, kanadezë dhe britanikë kanë thënë se ka “shumë mundësi” që fluturimi i realizuar nga kompania ukrainase është qëlluar gabimisht me raketë iraniane.

Zyrtarët iranianë kanë mohuar se forcat e tyre kanë qëlluar aeroplanin, Boeing 737-800 dhe u kanë bërë thirrje kombeve perëndimore që të ndajnë informacionet që nxisin këtë pretendim.

Ali Abedzadeh, udhëheqës i autoritetit të aviacionit iranian ka thënë se përveç përfaqësuesve amerikanë, Teherani do të lejojë ekspertë nga Ukraina, Franca dhe Kanadaja që të marrin pjesë në hetime, në zonën ku është rrëzuar aeroplani.

Sipas rregullave të organizatës së Kombeve të Bashkuara për aviacion, Kompania amerikane për Sigurim të Transportit, duhet të marrë pjesë në hetime, pasi në rrëzim është përfshirë një aeroplan i kompanisë Boeing, që është dizajnuar dhe ndërtuar në Shtetet e Bashkuara.

Në kohën e rritjes së tensioneve pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani në një sulm amerikan me dron një javë më parë në Bagdad, Irani ka thënë më herët se nuk do t’iu ofrojë qasje amerikanëve në kutitë e zeza të aeroplanit.

Përveç vrasjes së gjeneralit, përfshirja e kompanisë amerikane mund të kufizohet edhe për shkak të sanksioneve të ashpra që Uashingtoni ka vënë mbi Teheranin.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë në një konferencë për media një ditë më parë se të dhënat sugjerojnë se një raketë iraniane ka rrëzuar aeroplanin ukrainas me pasagjerë.

“Ne kemi të dhëna nga disa burime, duke përfshirë aleatët dhe inteligjencën tonë. Të dhënat sugjerojnë se aeroplani është rrëzuar nga një raketë iranianë tokë-ajër”, ka thënë Trudeau.

“Kjo mund të ketë qenë e paqëllimshme”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për “hetim të plotë dhe kredibil” të shkakut të rrëzimit.

Aeroplani është rrëzuar vetëm disa orë pasi Irani ka nisur sulmin me raketa në bazat ushtarake amerikane në Irak, duke ngritur dyshime se aeroplani mund të jetë sulmuar po ashtu.

Komentet e Trudeaut vijnë në kohën kur e përditshmja amerikane The New York Times ka thënë se ka verifikuar një video që tregon momentin kur është qëlluar aeroplani.

Në video shihet një objekt që niset drejt qiellit para se të shihet një dritë e madhe. Disa sekonda më vonë, dëgjohet shpërthimi.

Duke përmendur fjalët e Trudeaus, kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë:

“Tani kemi informacione që thonë se aeroplani është rrëzuar nga një raketë iraniane tokë-ajër. Kjo mund të ketë qenë e paqëllimshme”, ka thënë mes tjerash Johnson.

Video: Pamje nga vendi ku u rrëzua aeroplani ukrainas

Aeroplani ukrainas rrëzohet në Iran, vdesin 176 persona
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka “dyshime” për rrëzimin, duke thënë se aeroplani “ka qenë fluturuar mbi një lagje të vrazhdë dhe dikush mund të ketë bërë gabim”.

“Kam dyshimet e mia. Nuk dua ta them atë, sepse persona tjerë kanë dyshime po ashtu. Është tragjike kur e sheh, se dikush ka mundur të bëjë një gabim në anën tjetër”, është shprehur ai.

Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë kanë thënë se janë të bindur se raketa iraniane ka qëlluar aeroplanin, bazuar në radarin satelitor dhe të dhënat elektronike.

Zyrtari i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov, ka thënë se shteti është duke hetuar nëse raketa ka rrëzuar aeroplanin.

Revista, Newsweek ka cituar Pentagonin dhe një zyrtar amerikan të inteligjencës, bashkë me një zyrtar irakian të inteligjencës të kenë thënë se besojnë që aeroplani ukrainas është rrëzuar nga raketa Tor, e prodhuar në Rusi.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG