Ndërlidhjet

Raisi thotë se protestat mbarëkombëtare janë “mposhtur”


Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi. Fotografi nga arkivi.

Gjatë fjalimit në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se protestat mbarëkombëtare kundër Qeverisë janë mposhtur.

Komentet e tij të bëra më 11 shkurt vijnë kur mijëra iranianë marshuan në qytetet në mbarë Iranin dhe ushtria organizoi një paradë ushtarake në Teheran.

Ceremonia për shënimin e përvjetorit të revolucionit – që përfshiu një sërë ngjarjesh që kulmuan me rrëzimin e dinastisë Pahlavi më 1979 – mbahet çdo vit më 11 shkurt. Shumica e festimeve përcillen me propagandë të tepruar qeveritare.

Që nga shtatori i kaluar, Irani është përballur me protesta masive që u nxitën pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e moralit.

Protestat fillimisht u përqendruan në heqjen e veshjes së detyrueshme të hixhabit – apo shamisë së kokës – por, më pas protestuesit i quajtën protestat një revolucion të ri.

Gjatë fjalimit në Teheran, Raisi tha se protestat u nxitën nga armiqtë e Iranit dhe sipas tij, protestat kishin për qëllim që të parandalonin shtetin që të vazhdojë të korrë arritje.

Raisi tha se festimet për Revolucionin Islamik ishin “epike” dhe tregonin “integritetin kombëtar”.

Në ditën e përvjetorit të Revolucionit Islamik, televizioni Telewebiom ishte cak i hakerëve në kohën kur po transmetohej fjalimi i Raisit, në përkrahje të protestave mbarëkombëtare.

Që nga shtatori, në protestat mbarëkombëtare janë vrarë mbi 500 persona, përfshirë 71 fëmijë, dhe janë arrestuar rreth 20.000 persona.

XS
SM
MD
LG