Irani dhe Rusia kanë nisur stërvitje të përbashkëta detare në ujërat jugore të Iranit më 19 shkurt, derisa Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë ta zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Detin Arabik.
Stërvitjet po zhvillohen kryesisht në Ngushticën e Hormuzit, në Gjirin e Omanit dhe në pjesën veriore të Oqeanit Indian.
Të njohura si “Brezi i Sigurisë Detare”, këto ushtrime vjetore mbahen që nga viti 2019 dhe zakonisht kanë përfshirë edhe Kinën, megjithëse Pekini nuk duket të jetë i përfshirë në stërvitjet e tanishme.
Admirali i marinës iraniane, Hassan Maqsudlu, u tha gazetarëve se një nga qëllimet e stërvitjeve është “parandalimi i çdo veprimi të njëanshëm në rajon”, me gjasë duket duke iu referuar rritjes së pranisë ushtarake amerikane.
Stërvitjet e përbashkëta Iran-Rusi
Sipas mediave iraniane, marinat e Iranit dhe Rusisë zhvilluan ushtrime të vëzhgimit ajror dhe praktikuan formacione taktike si dhe manovrime në kuadër të stërvitjes.
Ushtrimet përfshinë gjithashtu skenarë të formacioneve ofensive, me qëllim përmirësimin e koordinimit taktik, forcimin e komandës dhe kontrollit të përbashkët, si dhe simulimin e reagimit të shpejtë në kushte operacionale, ku njësitë praktikuan teknika të kombinuara dislokimi dhe manovrimi.
Forcat pjesëmarrëse përfshinin njësi nga marina iraniane dhe marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) - si anije luftarake, anije me raketa, helikopterë, ekipe të operacioneve speciale dhe mjete të shpejta sulmuese - së bashku me korvetën ruse Stoikiy dhe avionë luftarakë të Forcave Ajrore Iraniane.
IRGC-ja, e cila i zhvilloi stërvitjet e veta detare në Ngushticën e Hormuzit më 16–17 shkurt, pritet të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian këtë javë.
Vendimi për ta futur IRGC-në në listën e zezë u mor muajin e kaluar.
Nga pala ruse, duket se vetëm një anije luftarake mori pjesë në stërvitje.
“Të vogla dhe simbolike”
Duke e theksuar praninë e kufizuar të Rusisë, ish-oficeri i marinës iraniane, Mohammad Parsi, i përshkroi stërvitjet si “të vogla dhe simbolike”.
“Nuk mund ta paramendoj Rusinë duke ofruar mbështetje reale në një përballje të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, i tha ai Radios Farda, duke shtuar se Moska ka gjasa ta përdorë Teheranin si “mjet presioni” në përballjen e saj më të gjerë me Perëndimin, në vend që të angazhohet për mbrojtje të ndërsjellë.
Stërvitjet po zhvillohen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje të mundshme që do të kufizonte programin bërthamor të Iranit dhe do të shmangte luftën.
“Irani do tregonte mençuri duke arritur marrëveshje”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, më 18 shkurt, pasi rundi i dytë i bisedimeve SHBA–Iran në Gjenevë përfundoi pa ndonjë përparim.
Uashingtoni ka rritur praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme javët e fundit dhe së fundmi ka dërguar aeroplanmbajtësen e dytë në Detin Arabik.
Sipas disa raportimeve, fuqia ajrore amerikane në rajon ka arritur tani nivelin më të lartë që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.