Rrugët rëndomë të gjalla të kryeqytetit të Iranit tani janë kryesisht bosh, sepse forcat e sigurisë po mbajnë kontrollin pasi i shtypën protesta e papara kundër sundimtarëve klerikë të vendit.
Banorët e Teheranit e përshkruajnë qytetin si një vend në gjendje të ligjit të jashtëzakonshëm, duke qenë se forcat e sigurisë janë vendosur nëpër rrugë, ndërsa banorët po qëndrojnë brenda kryesisht.
Shumë dyqane dhe restorante mbyllen në mbrëmje.
“Është një ndjesi sikur jemi nën ligj të jashtëzakonshëm gjatë natës”, tha për Radion Farda një burrë në të 70-at, i cili u largua nga Irani më 17 janar.
“Një nga arsyet për këtë,” shtoi ai, “është se forcat e armatosura ndalojnë makina në mënyrë të rastësishme. Ata e kontrollojnë gjithë makinën dhe gjithashtu telefonat celularë. U kërkojnë njerëzve t’i zhbllokojnë telefonat”.
Prania e madhe ushtarake dhe policore - si edhe ndërprerja e internetit dhe komunikimeve – u vendosën në mbarë Iranin që nga çasti kur autoritetet nisën shtypjen e përgjakshme ndaj protestave kundër pushtetit, të cilat shpërthyen më 28 dhjetor.
Disa mijëra protestues janë vrarë dhe mbi 20.000 janë arrestuar gjatë tri javëve të fundit, ndonëse besohet se numri i vërtetë i viktimave është dukshëm më i lartë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.
Burri që foli për Radion Farda tha se forcat e sigurisë po “kontrollonin veprimtarinë e qytetarëve në rrjetet sociale, si edhe galeritë e fotografive në telefonat e tyre, për të gjetur prova të pranisë së tyre në protesta”.
Ai tha se ishte ndaluar në veri të Teheranit dhe se kishte dëgjuar të njëjtën gjë edhe nga të tjerë.
“Prandaj njerëzit po i thonë njëri-tjetrit të qëndrojnë në shtëpi pas orës 20:00”, tha ai.
Banorët e Teheranit thanë se ushtarë iranianë, agjentë civilë dhe anëtarë të forcës paramilitare, Basij, janë zhvendosur jo vetëm në qendrën e qytetit, por edhe nëpër lagje banimi.
Militarizimi në provinca
Zhvendosje e ngjashme e forcave të sigurisë është vërejtur edhe në pjesë të tjera të Iranit, përfshirë zonat me shumicë kurde.
“Prania e forcave ushtarake dhe të sigurisë në këto qytete është aq e dukshme sa njerëzit po flasin për një lloj sundimi ushtarak,” i tha Radios Farda Kaveh Kermanshahi, anëtar i bordit të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut të Kurdistanit, duke përshkruar gjendjen në qytetet perëndimore si Kermanshahu pas kulmimit të protestave javën e kaluar.
“Jo se njerëzit e zakonshëm e kanë të ndaluar të lëvizin, por çdo lëvizje ndodh nën mbikëqyrje dhe kontroll të rreptë”, shtoi ai.
Pamje të verifikuara nga Radio Farda tregojnë automjete ushtarake dhe ushtarë duke mbajtur pushkë automatike të standardit të ushtrisë në rrugët e qytetit perëndimor Borujerd, në provincën Lorestan.
Pamjet, që thuhet se janë xhiruar më 17 janar, tregojnë pajisje ushtarake të pozicionuara në kryqëzime kyçe të qytetit.
Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se forcat e sigurisë, madje edhe njësi të blinduara, janë zhvendosur në disa provinca, veçanërisht në zonat që përjetuan protesta të mëdha ose sulme ndaj ndërtesave qeveritare.
Në një raport të 14 janarit, Instituti për Studimin e Luftës me seli në SHBA tha se “dislokimi i gjerë i patrullave të sigurisë ka të ngjarë të kontribuojë në uljen e aktivitetit të regjistruar të protestave, sepse këto patrulla ka mundësi t’i pengojnë disa iranianë të marrin pjesë në protesta”.
Megjithatë, raporti shtoi se mbajtja për javë të tëra e një numri kaq të madh personeli të armatosur rëndë në rrugë rrezikon si lodhjen e forcave të sigurisë, ashtu edhe radikalizimin e mëtejshëm të zemërimit publik në zonat tashmë të goditura rëndë nga shtypja shtetërore.
Ndjekja brenda hapësirave të banimit
Forcat e sigurisë janë duke vepruar thellë në ndërtesat e banimit, duke e mjegulluar kufirin mes protestës publike dhe jetës private.
Pamje nga kamerat e sigurisë të një blloku apartamentesh në Teheran, të publikuara fillimisht nga kanali aktivist në Telegram Vahid Online, tregojnë agjentë civilë që më 7 janar hyjnë me forcë në kompleks, duke ndjekur protestuesit nëpër shkallë, ndërsa mbanin shkopinj gome, hanxharë dhe armë zjarri.
Pamjet sugjerojnë një ndjekje të qëllimshme dhe sistematike të demonstruesve që kërkonin strehë në hapësira private dhe përputhen me dëshmitë e banorëve që përshkruajnë bastisje derë më derë dhe arrestime larg vendeve të protestës.