Ndërlidhjet

Ivanov kërkon të mos mbështetet Marrëveshja me Greqinë


Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov gjatë fjalimit të tij vjetor para Kuvendit të Maqedonisë.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov gjatë fjalimit të tij vjetor para Kuvendit të Maqedonisë.

Fjalimi i fundvitit i presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov para deputetë të Kuvendit është shoqëruar me ndërprerje të vazhdueshme për shkak të reagimeve të deputetëve të LSDM-së në pushtet, në veçanti kur kreu i shtetit u ndalë në amnistinë e personave të akuzuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, por edhe për Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit si dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Ivanov në veçanti ka kritikuar pushtetin për formën që ka zgjedhur për të falur ish-zyrtarët dhe protestuesit e tjerë që kishin pushtuar Kuvendin, duke e quajtur falje të kushtëzuar, ndërsa ka mbrojtur faljen që ai i kishte bërë personave të njëjtë duke e quajtur falje për pajtim, por që e kishte tërhequr pas reagimeve të shumta në opinion.

“Cili është dallimi mes faljeve të mia dhe amnistisë tuaj? Në qëllimet. Qëllimi im ishte pajtimi përmes faljes, kurse qëllimi juaj është sigurimi i mbështetjes për ndryshimet kushtetuese përmes shantazheve. Nëse unë vendimet i kam marrë për të parandaluar kaosin në shtet, ju, vendimet për amnisti i merrni që t'i bëni të ligjshme shantazhet me të cilat krijohet kaos dhe rrënohet shteti juridik”, ka deklaruar Ivanov.

Ivanov në fjalimin e tij ku morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, kryeministri Zoran Zaev, deputetët e LSDM-së dhe VRMO-së, por jo edhe deputetët dhe ministrat nga radhët e BDI-së, kritikoi edhe Marrëveshjen me Greqinë e cila sipas tij është burim të gjitha krizave dhe pakënaqësive që kanë përcjell vendin gjatë këtij viti.

Ivanov vlerësoi se kjo marrëveshje dhe tjetra me Bullgarinë, platforma e Tiranës dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, rrënojnë themelet e shtetit. Edhe pse kundërshton Ligjin për avancimin e shqipes, Ivanov tha se kjo nuk nënkupton se është kundër shqiptarëve në Maqedoni.

“Nëse me Marrëveshjen e Prespës mohohet populli maqedon, me interpretimin e lirë të Marrëveshjes me Bullgarinë zhbëhet historia maqedonase, ndërsa me platformën e Tiranës dhe me Ligjin kundërkushtetues për përdorimin e gjuhëve bëhet përpjekje për demontimin e shtetit maqedonas”, u shpreh Ivanob.

Ai ka kritikuar pushtetin për mosrespektimin e rezultatit të referendumit në të cilin qytetarët me mosdalje i thanë “jo” Marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit kushtetues, me qëllim ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës maqedonase.

Ivanov ka folur edhe për regjistrimin e popullsisë duke kundërshtuar me këtë rast paralajmërimet se në fletët e regjistrimit nuk do të ketë opsion për të zgjedhur përkatësinë etnike të qytetarëve. Kjo sipas tij rrënon Marrëveshjen e Ohrit pasi në bazë të përcaktimeve të saj, apo 20 përqindëshit rregullohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e bashkësive etnike.

“Gjatë kohë insistoj në regjistrimin e popullsisë, por cili do të ishte qëllimi i realizimit të regjistrimit pa shprehjen e përkatësisë etnike...Pyes publikisht nëse me një regjistrim të tillë i humbet vlera Marrëveshjes së Ohrit? A thua kjo nuk paraqet rrënim të demokracisë tonë shumetnike? A thua harrohet se pa grafën etnike nuk ka Marrëveshje kornizë të Ohrit?”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG