Ndërlidhjet

Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei.
Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei.

Si rrodhi dita e parë e operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit

• Presidenti amerikan, Donald Trump tha më 28 shkurt se lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, është vrarë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit në Teheran.

•Trump tha se Uashingtoni kishte nisur “operacione të mëdha luftarake” kundër Iranit, vetëm disa orë pasi Izraeli njoftoi se kishte kryer atë që e përshkroi si një “sulm parandalues” më 28 shkurt.


22:54 28.2.2026

Trump thotë se Khamenei është vrarë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sapo ka njoftuar se lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, është vrarë.

Trump shkroi në platformën e tij Truth Social:

Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por edhe për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për ata njerëz nga shumë vende të botës që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e KRIMINELËVE të etur për gjak. Ai nuk arriti t’u shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe gjurmimit shumë të sofistikuara dhe, duke punuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai, apo udhëheqësit e tjerë që u vranë bashkë me të, mund të bënin.

Kjo është mundësia e vetme më e madhe për popullin iranian që ta rimarrë në dorë vendin e vet. Po dëgjojmë se shumë prej anëtarëve të IRGC-së, ushtrisë dhe forcave të tjera të sigurisë dhe policisë, nuk duan më të luftojnë dhe po kërkojnë imunitet nga ne. Siç thashë mbrëmë, “tani mund të kenë imunitet, më vonë marrin vetëm vdekjen!” Shpresojmë që IRGC-ja dhe policia të bashkohen në mënyrë paqësore me patriotët iranianë dhe të punojnë së bashku si një njësi për ta rikthyer vendin në madhështinë që meriton. Ky proces duhet të fillojë së shpejti, sepse jo vetëm vdekja e Khameneit, por edhe vendi është, brenda vetëm një dite, shkatërruar shumë dhe madje, zhdukur. Megjithatë, bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë, pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur synimin tonë të PAQES NË TË GJITHË LINDJEN E MESME DHE, NË TË VËRTETË, NË BOTË!

23:07 28.2.2026

Festë në Iran për vrasjen e raportuar të ajatollah Ali Khameneit

Sipas videove të publikuara nga llogaria Vahid Online, në mbrëmjen e së shtunës, shumë njerëz në Iran brohoritën dhe festuan pas raportimeve se Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i republikës islamike, është vrarë.

Fillimisht kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli për vdekjen e Khameneit, e pastaj presidenti amerikan, Donald Trump tha se Khamenei është vrarë në sulmet e së shtunës.


23:44 28.2.2026

Pahlavi: Përpjekjet për të emëruar pasardhësin janë të “destinuara të dështojnë”

Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit, ka postuar në X reagimin e tij për raportimet për vdekjen e Khameneit.

Postimi i tij i plotë:

Ali Khamenei, despoti gjakatar i kohës sonë, vrasësi i dhjetëra mijëra bijve dhe bijave më të guximshëm të Iranit, është fshirë nga faqja e historisë. Me vdekjen e tij, republika islamike në fakt ka arritur fundin e saj dhe shumë shpejt do të hidhet në koshin e pluhurit të historisë.

Çdo përpjekje nga mbetjet e regjimit për ta emëruar një pasardhës të Khameneit është e destinuar të dështojë që në fillim. Këdo që ata e vendosin në vend të tij nuk do të ketë as legjitimitet dhe as jetëgjatësi, dhe pa dyshim do të jetë gjithashtu bashkëfajtor në krimet e këtij regjimi.

Reza Pahlavi.
Reza Pahlavi.
01:19 1.3.2026

SHBA-ja thotë se Irani e refuzoi ofertën bërthamore para sulmeve parandaluese

Shtetet e Bashkuara thanë më 28 shkurt se nisën sulme ushtarake parandaluese kundër Iranit, pasi arritën në përfundimin se Teherani po përgatitej të përdorte arsenalin e tij të raketave kundër forcave amerikane dhe aleatëve, dhe nuk kishte ndërmend të pranonte kufizime domethënëse për programin e tij bërthamor.

Gjatë një bisede informuese me gazetarë, zyrtarë të lartë të administratës argumentuan se informacionet e inteligjencës për një sulm të mundshëm të Iranit si veprim paraprak, të kombinuara me atë që e përshkruan si dështim të negociatave bërthamore, e lanë presidentin amerikan Donald Trump “pa zgjidhje tjetër” përveçse të vepronte.

Sipas tyre, vendimi u udhëhoq nga ajo që e cilësuan si një kërcënim i dyfishtë: ambicia afatgjatë e Iranit për të siguruar armë bërthamore dhe kapacitetet e tij të menjëhershme konvencionale me raketa.

Një zyrtar tha se administrata besonte se arsenali iranian i raketave balistike, veçanërisht në pjesën jugore të vendit, përbënte një “rrezik të papranueshëm” për forcat amerikane në rajon. Veprimi para se këto raketa të lëshoheshin, sipas tij, do të zvogëlonte ndjeshëm viktimat e mundshme krahasuar me pritjen që Irani të godiste i pari.

Më shumë:


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG