Gjykata Supreme e Brazilit e ka dënuar ish-presidentin Jair Bolsonaro, me 27 vjet burgim nën akuzat se kishte planifikuar një grusht shtet me qëllim që të qëndronte në pushtet pas humbjes në zgjedhje.
Gjykatësit votuan 4 me 1 për të dënuar Bolsonaron, 70 vjeç, për planifikim të rrëzimit të Luiz Inacio Lula da Silva, pasi humbi zgjedhjet ndaj tij më 2022.
Prokurorët kanë thënë se plani dështoi pasi nuk u mbështet nga udhëheqësit kryesorë të ushtrisë.
Ekipi mbrojtës i Bolsonaros tha se dënimi “është jashtëzakonisht i rëndë”, duke paralajmëruar se do ta apelojë, “përfshirë në nivele ndërkombëtare”.
Uashingtoni reagoi menjëherë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja “do të përgjigjet në mënyrën e duhur” për atë që ai e cilësoi si “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht.
Ministria e Jashtme e Brazilit u kundërpërgjigj duke thënë se nuk frikësohet nga “kërcënimet” e Rubios.
“Një organizatë kriminale e armatosur u formua nga të pandehurit, të cilët duhet të dënohet në bazë të rrethanave faktike që unë besoj se janë dëshmuar”, tha gjykatësi i pesë, Cristiano Zanin, ish-avokat i Lulas.
Supremja veçse kishte arritur më herët gjatë 11 shtatorit shumicën e votave për shpalljen fajtor të Bolsonaros, pasi tre gjykatësit e parë votuan për dënimin e tij.
Politikani i krahut të djathtë, Bolsonaro dhe shtatë persona të tjerë kanë qenë të akuzuar për këtë rast, përfshirë ish-ministra dhe shefa të sigurisë, të cilët po ashtu u dënuan.
Bolsonaro pretendon se ai është viktimë e përndjekjes politike.
Aleati i tij, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar gjykimin ndaj Bolsonaros si “gjeti shtrigash” dhe ka vendosur tarifë prej 50 për qind ndaj një sërë importesh të Brazilit në shenjë hakmarrjeje.