Ndërlidhjet

Me ftohjen e motit, kafiteritë përsëri në luftë me koronavirusin


Fotografi nga arkivi.

Mosrespektimi i masave kundër koronavirusit në sektorin e gastronomisë dhe në instutcionet publike, sipas ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit.

Ministri Zemaj të shtunën paralajmëroi se masat mund të shtrëngohen, nëse nuk respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.

“Kërkoj sot që Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë më komunat të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës, bashkë me neve”, tha Zemaj më 10 tetor.

Në dy ditët e fundit, më 9 dhe 10 tetor, në Kosovë u regjistruan 159 raste me COVID-19, që paraqet një rritje të rasteve, pasi për disa javë, autoritetet shëndetësore në Kosovë regjistruan shifra më të ulëta ditore të infektimeve me koronavirus.

Me afrimin e stinës së dimrit, janë rritur edhe shqetësimet se frekuentimi nga qytetarëve i ambienteve të mbyllura, siç janë kafiteritë, mund të ndikojë në rritjen e rasteve të reja me COVID-19.

Deri më tash klientët e kafiterive dhe bareve janë ulur jashtë në terrasa, një vendim në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se me ftohjen e motit dhe grumbullimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, është shumë e rëndësishme që të mbahet distanca, maska dhe higjiena personale, në mënyrë që të mos ketë shtim të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.

“Me ftohjen e kohës, qëndrimi i njerëzve nga jashtë fokusohet në objekte të mbyllura, ku shpesh nuk ka ventilim sidomos në kafiteri ku ka grumbullim të njerëzve dhe këto janë faktorë favorizues të përhapjes së virusit dhe elementi i tretë është gripi sezonal”, tha Raka.

Prishtinë.
Prishtinë.

Edhe vet pronarët e kafiterive në Prishtinë kanë ngritur shqetësimin lidhur me punën gjatë stinës së dimrit. Shpat Hashani pronar i “Babel Café” në qendër të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të jetë shumë vështirë respektimi i distancës.

“Do të kemi kujdes të shtuar sepse tash edhe brenda do të ketë më shumë qarkullim për shkak se jemi afër stinës së dimrit. Për shumicën e lokaleve do të jetë pothuajse e pamundur, do të jetë shumë vështirë. Ne do të mundohemi maksimalisht të ruajmë shëndetin e njerëzve, por do të jetë i pamundur funksionimi i lokaleve në këtë formë”, thotë Hashani.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, thotë se vetëm Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike, mund t’i shpëtojë këto biznese nga falimentimi.

“Nuk ma merr mendja që do të mund të respektohen shumë sepse nuk po ka subvencionime edhe kuptohet se kur iu vazhdon qiraja e plotë, pagesa ndaj stafit, shpenzimet e ujit, rrymës, të tjerat, kreditë edhe gjithçka tjetër. Atëherë, si do të munden të mbijetojnë me dy tavolina me një distancë kaq të madhe?”, thotë Kllokoqi.

Ndarja fizike mes tavolinave

Ministria e Shëndetësisë në lehtësimin e masave anti-COVID-19, ua mundësoi sektorit të gastronomisë që të punojnë edhe në hapësira të brendshme, por me disa rregulla.

Distanca ndërmjet tavolinave duhet të jetë 2 metra, të hyrja e lokalit duhet të jetë matësi për matjen e temperaturës secilit klient, duhet të ketë dezinfektues në lokal, maskat janë të obligueshme për stafin si dhe muzika duhet të ndalet në ora 21:00, kurse orari i punës është deri në ora 23:30.

Pronarët e kafiterive i kanë propozuar Ministrisë së Shëndetësisë që të lejohen të bëjnë ndarje fizike ndërmjet tavolinave.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte nëse do t’i bëjmë disa ndarje fizike dhe normalisht do të mund të kishim hapësirë që t’i fusim tavolinat në funksion dhe besoj që do të ishte më e kapshme për të gjithë neve, si biznese, por edhe për shëndetin e myshterinjve”, thotë Hashani.

Për të mbajtur distancën fizike, në një kafiteri në Prishtinë është vendosur ky arush. Prishtinë, korrik, 2020.
Për të mbajtur distancën fizike, në një kafiteri në Prishtinë është vendosur ky arush. Prishtinë, korrik, 2020.

“Mund t’i bëjmë ndarjet me xham, me dru ose me lule, në mënyra të ndryshme vetëm që të kemi sa më shumë tavolina brenda dhe normalisht duke i respektuar edhe masat anti-COVID-19”, thotë Hashani.

Virusi përhapet më së shpejti brenda lokaleve

Përhapja e koronavirusit në hapësira të brendshme ku grumbullohen njerëz, si në objekte fetare, restorante ose bare, bëhet në mënyrë më të shpejtë, që njihet ndryshe edhe si ‘organizim i përhapjes së shpejtë’.

Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, një pjesëtar i një kori muzikor i cili ishte i infektuar, por pa simptoma të koronavirusit, ka marrë pjesë gjatë provave në muajin mars. Pesëdhjetedy persona janë sëmurë me COVID-19 nga gjithsej 60 pjesëmarrës, kurse dy prej tyre kanë vdekur.

Në një rast tjetër në Hong Kong, një shpërthim në katër bare ka infektuar 39 konsumatorë, 20 pjesëtarë të stafit dhe 14 muzikantë, para se të infektoheshin 33 pjesëtarë të familjeve dhe më pas edhe kontaktet e tyre.

Gjurmuesit e sëmundjes kanë zbuluar se grupet muzikore kanë qenë të pranishme në të katër baret, andaj ata mund të kenë përhapur virusin te më shumë se 100 njerëz.

Sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins, autoritetet në gjithë botën kanë raportuar për 36 milionë persona të infektuar me koronavirusin e ri. Prej tyre mbi 1 milion persona kanë vdekur.

Në Kosovë që nga konfirmimi i rasteve të para me koronavirus në muajin mars, janë infektuar mbi 16 mijë qytetarë, kurse 645 kanë vdekur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG